1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Heronj të përlotur dhe diplomaci e heshtur

Veteranët e D-Day meritonin më shumë: dita e tyre historike përkujtimore u transformua në një program për zgjidhjen e krizës së Ukrainës. Sidoqoftë: një hap për zgjidhjen e konfliktit është hedhur, mendon Felix Steiner.

Përse pikërisht 70 vjetori i pushtimit të aleatëve në Normandi do të festohej më shumë se kurrë më parë, e bëri të qartë çdo fokusim i kameras në radhët e veteranëve: burra të vjetër, gati 90 vjeçarë ose dhe më shumë, nga të cilët pjesa më e madhe nuk do ta përjetojnë jubileun e ardhshëm.

Pjesërish u panë skena shumë prekëse, gjatë numrit të madh të aktiviteteve festive. Veteranë që qanin në kujtim të shokëve të panumërt që humbën jetën veçanërisht në orët e para të operacionit Overlord. Pleq që mezi mbaheshin në këmbë me uniformë, të cilët me mundim përpiqeshin të mbanin qendrim korrekt ushtarak. Nga fytyrat e tyre rrezatonte megjithatë një krenari e pabesueshme. Krenari e përligjur. Sepse ishin ata që duke vënë në rrezik jetën e tyre i risollën Evropës Perëndimore lirinë dhe demokracinë. Të gjithë që kanë lindur në shoqëritë e lira evropiane dhe e konsiderojnë këtë të vetëkuptueshme, i detyrohen falenderim këtyre burrave. Dhe për këtë arsye veteranët e D-Day e kanë merituar këtë nderim!

Në sfondin e krizës së Ukrainës nocioni D-Day mori ditët e kaluara një kuptim të ri: u fol për Diplomacy-Day, ditën e diplomacisë dhe pritjet ishin respektivisht të larta. Franca si mikpritëse nuk e kishte përjashtuar nga ftesat Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, ndryshe nga samiti i G7 i cili u zhvillua menjëherë para D-Day. Përkundrazi, ai ishte i ftuar dhe krahas tij edhe Presidenti i sapozgjedhur i Ukrainës, Petro Poroshenko. Jubileu i D-Day si mundësia e parë e kontaktit mes kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Perëndimit dhe Putinit që prej aneksimit të Krimesë, që shkeli të drejtën ndërkombëtare. Kush do të fliste më kë? Cilat do të ishin gjestet dhe cilët sinjale do të jepeshin?

Bilanzi diplomatik i ditës është pozitiv: që François Hollande dhe Angela Merkel do të zhvillonin bisedime me Vladimir Putinin, ishte bërë e ditur që gjatë javës. Kjo nuk ishte e papritur pasi Gjermania dhe Franca punojnë për çtensionimin dhe i tremben sanksioneve me të cilat Perëndimi kërcënon në rast të një ashpërsimi të mëtejshëm të konfliktit po aq shumë sa Rusia. Një e papritur pozitive ishte nga ana tjetër takimi më tepër "jozyrtar" i Barack Obamës me Putinin - një takim zyrtar mes dy presidentëve duket i pamundur të paktën një herë për një herë.

Lajmi padyshim më i mirë i ditës është megjithatë biseda 15-minutëshe mes Putinit dhe Presidentit ukrainas Poroshenko. Kështu humbi rëndësinë edhe hamendësimi nëse Rusia do të nisë një përfaqësues për betimin e Poroshenkos të dielën (08.06.2014) në Kiev. Sepse biseda mund të interpretohet si një njohje e Rusisë për zgjedhjen e Poroshenkos si të ligjshme. Fakti që të dy folën për dhënien fund të luftimeve në lindje të Ukrainës nuk është aq i rëndësishëm sa tingëllon. Pasi Putin nënvizoi pozicionin e tij të vjetër se ka vetëm ndikim të kufizuar tek separatistët.

Nëse bëjmë një paralelizëm situata i ngjan pikërisht mbrëmjes së 6 qershorit të 70 vjetëve më parë: u bë një fillim pozitiv. Por nëse operacioni në përgjithësi do të ketë sukses nuk mund të dallohet ende.