1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Hendeku i ri i Europës

Franca dhe Italia janë bërë problem ekonomik për Evropën. Ata kanë rrezik të mos e mbajnë dot hapin, mendon Christoph Hasselbach.

Rezultati kryesor i analizës së vjeshtës së Komisionit të BE nuk është korigjimi me rënie i prognozës së zhvillimit. Kjo është ndarja e përhershme ekonomike e Evropës në fitues dhe humbës. Por hendeku nuk është që jemi mësuar të shohim. Shkak për shqetësim për Komisionin nuk përbëjnë më Greqia, Spanja, apo edhe Irlanda. Irlanda madje ka arritur në krye të rritjes ekonomike të të gjithë BE-së. Spanja ka disa kohë që bën hapa të mirë përpara. Edhe në Greqi duken ca drita në horizont.

Jo shqetësimi më i madh sot janë Franca dhe Italia, ekonomia e dytë dhe e tretë për nga rëndësisa në zonën e euros. Deficiti i Francës po rritet gjithnjë e më shumë dhe deri në vitin 2016 mund të bëhet më i madhi në eurozonë. Dhe Italia ka vite që as nuk del nga stagnacioni dhe as nga mali masiv i borxhit nuk bie, ai është më i larti në BE.

Nuk bëhet pa presion

Irlanda apo Portugalia kanë qenë nën presionin e donatorëve ndërkombëtarë për të kursyer dhe për t'u reformuar. Vende të tjera si vendet Baltike e kanë bërë me forcat e veta dhe pa ndihmë nga jashtë. Franca dhe Italia nga ana tjetër kanë pushuar në dëmin e tyre. Duhet thënë qartë se atyre u mungon presioni. Sepse edhe Komisioni i BE, i cili duhet të disiplinojë, është treguar zemërgjerë me ta. Edhe Banka Qendrore Europiane u ka lënë hapësirë. Kur shefi i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, në verën e vitit 2012 premtoi se do të bëjë gjithçka për të ruajtur euron dhe për këtë do të blejë obligacionet e qeverivë të vendeve në borxhe, ai u dha fund me një fjali të vetme trubullirave të tregut financiar.

Por ai tha gjithashtu, se nuk mund t'ua kursejë reformat e nevojshme strukturore vendeve me probleme. Po kështu ka thënë edhe për lëshimet e Komisionit në reduktimin e defiçiteve: Vendeve të prekura duhet t'i jepet pak më shumë kohë për të bërë detyrat e shtëpisë, në mënyrë që ata të kenë përsëri ngritje. Por në fakt duket se disa vende e kanë keqkuptuar duke e parë politikën e Bankës Qendrore Evropiane dhe të Komisionit si shilarëse. Ata kane menduar: ne po e ruajmë veten nga vështirësitë e në rast nevoje na ndihmojnë të tjerët. Kjo ishte ndoshta ajo, për të cilën e pati fjalën Presidenti i Komisionit Jyrki Katainen, kur tha në prezantimin e prognozës, se të qënit pjesë e Bashkimit Monetar u ka dhënë disa vendeve "një ndjenjë të rreme sigurie".

E vjetra nuk kthehet më

Christoph Hasselbach

Christoph Hasselbach

Si në Francë ashtu edhe në Itali kanë mbetur tek deklaratat për planet për reforma. Franca për shembull duhet ta heqë urgjentisht javën 35 orëshe dhe ta ngrejë moshën e daljes në pension. Italisë i duhet një treg pune më i hapur. Që reforma të tilla janë politikisht të ndjeshme, këtë nuk e vë askush në diskutim. Por heret a vonë shtetet janë të detyruara t'i bëjnë ato. Jo komisioni i BE apo Berlini do të imponojnë ndryshimet, është globalizimi që e bën këtë.

Ku janë politikanët kurajozë, që u japin votuesve të tyre verë të pastër, në vend që të shpresojnë se bota e vjetër e bukur, e rehatshme do të kthehet vetiu përsëri? Ajo nuk kthehet. Por popullsia shpesh është më përpara politikës. Njerëzit janë të gatshëm të bëjnë sakrifica, nëse e dinë se ata janë të nevojshme dhe se barra ndahet në mënyrë të drejtë.

Kundërshtitë francezo-finlandeze

Domethënëse në prezantimin e prognozës nuk ishin vetëm rezultatet, por edhe prezantimi i përbashkët i dy komisionerëve përgjegjës. Në strukturën e re, komisioneri për ekonominë Pierre Moscovici nga Franca përgjigjet si komisioner për këtë sektor, ndërsa finlandezi Jyrki Katainen si zëvendëspresident përgjigjet për vendet e punës dhe zhvillimin. Ndërsa ai kërkoi tani në Bruksel programe shtetërore zhvillimore për të gjithë Evropën, Moscovici mbeti në retorikën e kohës, kur ka qenë ministër socialist i financave në Francë. Ai ka frikë se njerëzit mund të zhgjënjehen nga projekti evropian, nëse politika nuk kujdeset për më shumë punësim. Do të donim të merrnim vesh, nëse ai për këtë do të pranonte edhe borxhe më të larta.

Finlandezi Katainen ana tjetër e sheh rrugëdaljen nga kriza në rradhë të parë në reformat strukturore dhe në aftësinë konkurruese dhe ai bëri të qartë, se edhe për investime nuk duhet të merren borxhe të reja. Mosrrugëdlaja politike përballë kërkimeve të zgjidhjeve racionale, inciativa shtëtorore përballë vetëpërgjegjësisë- një duo më të ndryshme vështirë se mund të përfaqësohej. Dëgjuesi kishte ndjenjën irrituese se "në njëfarë mënyre çdo gjë është e drejtë" për Komisionin. Presidenti Jean-Claude Juncker me këtë strukturë të re mund të ketë synuar një sistem të kontrollit reciprok. Por në qoftë se rezultati është bllokim reciprok, atëherë vendimi do të ishte i gabuar. Ky prezantim i parë i mbështet më shumë kritikët e modelit Juncker.