1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dyshime për nxënësin shembullor

Christoph Hasselbach8 Shtator 2015

Gjerrmania e sheh veten si shembull vezullues për mënyrën si duhen trajtuar refugjatët. Por partnerët në BE janë shumë më kritikë. Me të drejtë, mendon Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/1GSVf
Refugjate Mynih
Fotografi: picture-alliance/dpa/N. Armer

Është emocionuese si i pritën gjermanët në fundjavë sërish me gëzim mijëra refugjatë, të cilët erdhën përmes Hungarisë dhe Austrisë. Kudo në vend refugjatët priten me ndihmë dhe ngrohtësi, të cilat u kanë munguar në rrugën e tyre të gjatë. Kudo në vendet e tjera ata i kanë duruar si kalimtarë tranzit dhe pastaj i kanë përcjellë me shpejtësi. Kancelarja Federale thotë: "Do t'ia dalim mbanë". Shumë gjermanë janë krenarë, dhe janë me të drejtë. Gati mund të thuhet se ekziston një patriotizëm i ri gjerman. Ai bazohet në faktin që ky vend duke vepruar gati i vetëm dhe kundër kundërshtive të mëdha është bërë shpëtimtar për qindra mijëra vetë. Kjo është pamja nga brenda vendit. Pamja nga jashtë shpesh është e ndryshme. Sepse shumë njerëz në pjesën që mbetet të Evropës e shohin sjelljen e gjermanëve jo me admirim, por pa e kuptuar. Për më tepër, javët e fundit nga bota e jashtme shpesh nuk kanë munguar komentet, edhe në faqet e dw.com, në të cilat mbizotëronte ideja: "Gjermanët kanë humbur çdo masë, kalojnë nga njëri ekstrem tek tjetri." Një kulturë mikpritjeje, e cila pranon pa e vrarë mendjen dhe pa kufi secilin, kjo i frikëson shumë në Evropë.

Gjermania është unikale

Christoph Hasselbach
Christoph HasselbachFotografi: DW/M.Müller

Këtu shprehimisht nuk bëhet fjalë për çështjen, nëse Evropa duhet të pranojë parimisht refugjatë të luftës civile apo jo. Kjo është e vetëkuptueshme. Por bëhet fjalë për humbjen e kontrollit, për heqjen dorë thuajse plotësisht të drejtimit dhe të kufizimit të vërshimit në rritje, të cilin gjermanët e pranojnë, nëse nuk e lejojnë në mënyrë të ndërgjegjshme. Këtu Gjermania dallohet nga gjithë të tjerët. Që nga Londra në Kopenhagë, Varshavë, Rigë, Pragë deri Budapest shefat e qeverive thonë: "Po të jenë çmendur vërtet në këtë masë gjermanët, atëherë të paktën pa ne!"

Askund në botë nuk mund të shkosh pa leje në vendin që ke zgjedhur dhe të thuash: "Tani dua të jetoj këtu!"- askund me përjashtim të këtyre javëve në Gjermani. Dhe kjo u intereson edhe shteteve të tjera. Hungarezët dhe austriakët ankohen se Berlini nga njëra anë shkakton një vorbull thithëse, por nga ana tjetër kërkon nga shtetet tranzit që t'i respektojnë rregullat e Dublinit dhe të kujdesen për refugjatët. Ndërsa britanikët druhen se një pjesë e refugjatëve të Gjermanisë do të përpiqet më vonë që të vendoset në ishullin britanik. Po të marrin një nënshtetësi të BE, ata do të kishin të drejtë ta bënin këtë, për shkak të lëvizjes së lirë të njerëzve.

Bëhet fjalë për pasoja afatgjata

Prej britanikëve të kritikuar shpesh, gjermanët duhet të pranonin të dëgjonin diçka për integrimin. Sepse britanikët kanë më tepër përvojë në këtë drejtim. A është rastësi që shumica dërrmuese e britanikëve është kundër çdo migrimi të ardhshëm në vend? Në diskutimin gjerman bëhet fjalë thuajse gjithmonë vetëm për përballimin administrativ teknik të rrymës së refugjatëve. Duket se thuajse askush nuk e vret mendjen për pasojat afatgjata. Po kjo është pikërisht sfida: a do t'a përballojë dot shoqëria një shndërrim të tillë kaq rrënjësor? A e do ajo fare atë? E rëndësishme është: eksperimenti nuk mund të ndërpritet, edhe po të dështojë. Kjo do të thotë: sot bëhet fjalë për vendime për breza të tërë. Edhe ai që nuk merr në dorë drejtimin, siç bëjnë gjermanët tani, merr me këtë qendrim vendime. Ka ardhur koha për të rimarrë në dorë frenat e kontrollit.