1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Gagauzia mbetet në kursin antievropian

Rajoni autonom i Gagauzisë ka një guvernatore të re: Kandidatja e mbështetur nga Moska Irina Vlah. Për perspektivën evropiane të Republikës së Moldavisë zgjedhja e saj do të thotë një hap prapa, mendon Robert Schwarz.

Që shumica e gagauzëve janë prorusë, ky nuk ishte ndonjë sekret, madje as para zgjedhjeve. Dhe që kandidatja Irina Vlah, e mbështetur nga Moska dhe nga socialistët moldavë prorusë, do t'i fitonte fare qartë zgjedhjet në raundin e parë, nuk qe ndonjë surprizë. Por disi e çuditshme ishte deklarata e parë e fitueses së zgjedhjeve. "Ne duam marrëdhënie më të mira me qeverinë qendrore ne Kishinau!" Dhe disi qetësuese tingëllonte edhe fjalia tjetër e saj: "Ne e shohim të ardhmen tonë brenda Republikës së Moldavisë." A nuk flitet më për tendenca separatiste në rajonin autonom të Gagauzisë?

Nuk është kështu. Në programin e saj zgjedhor politikania pragmatike ka bërë thirrje për federalizimin e Republikës së Moldavisë. Dhe në një intervistë ekskluzive me DW Irina Vlah akuzoi qeverinë qendrore në Moldavi se injoron problemet e rajonit autonom të Gagauzisë. Edhe Bashkimi Evropian nuk ka treguar mirëkuptim për to, mbështetje mund të marrësh vetëm nga Moska! Megjithatë ajo ka qenë e gatshme për t'i ofruar Kishinaut stabilitet, nëse i jepen më shumë të drejta dhe sidomos më shumë para për rajonin.

Loja me zjarrin

Ky propozim tingëllon më shumë si një shantazh se një dialog i ndershëm politik. Guvernatorja e re luan me zjarrin. Përreth rajonit të saj të vogël me 160.000 banorë zien: Lufta në Ukrainë, konflikti i ngrirë në republikën separatiste të Transnistrisë, rastet precedentë në Abkhazi dhe Osetinë Jugore kanë treguar qartë se Rusia do ta forcojë pushtetin e saj në këtë zonë në veri dhe në lindje të Detit të Zi.

Robert Schwartz

Me fitoren e politikanes së mbështetur nga Moska perspektiva evropiane e republikës së Moldavisë është larguar edhe pak më tej. Qeveria e pakicës në Kishinau, e cila varet nga mbështetja e partisë komuniste anti-europiane, është gjithsesi në një pozicion të dobët. Për shkak të formimit të qeverisë në kushte të paqarta është dëmtuar shumë besimi i Evropës, që ishte krijuar me shumë mund. Përveç kësaj është e paqartë, nëse Kishinau do të ketë tani vullnetin dhe autoritetin për të çuar përpara procesin e reformave.

BE-së i nevojiten pergjigje të reja

Në këtë kuadër guvernatorja e re në Gagauzi mendon se i ka të gjitha kartat në dorë: 98 për qind e bashkatdhetarëve të saj e shohin të ardhmen e rajonit të tyre në bashkimin doganor me Federatën Ruse. Moska vazhdon të importojë verëra dhe produkte bujqësore nga Gagauzia, pavarësisht nga embargoja kundër republikës së Moldavisë e vendosur si rrjedhojë e marrëveshjes së asocimit të kësaj republike me BE. Më shumë para nga qeveria qendrore në Kishinau Irina Vlah nuk ka për të marrë dot, sepse republika e Moldavisë është një nga vendet më të varfra të Evropës. Kështu që gruaja e re e fortë e Gagauzi do të vazhdojë pa drojë rrugën e saj drejt Moskës.

"Partneriteti lindor" i BE, që ngrihej aq lart dikur, po bëhet tani gjithnjë më i brishtë. Fillimisht gjendja në Gjeorgji, pastaj lufta në Ukrainë dhe tani destabilizimi gjithnjë e më i madh në Republikën e Moldavisë kanë nevojë për një përgjigje shumë më të vendosur dhe zgjidhje të vlefshme nga ana e BE. Përderisa këto të mos jenë, nuk do të ketë kurrë qetësi në Lindje të Evropës.