1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Gabim historik i atyre, që s'heqin dorë nga lufta e ftohtë

Me kursin e ri ndaj Kubës Presidenti Barak Obama bën një ndryshim të vonuar të politikës së jashtme amerikane. Kundër kësaj republikanët bëjnë atë, që bëjnë gjithmonë dhe e kanë komplet gabim, mendon Michael Knigge.

Nuk duhet të jesh njohës i politikës amerikane, që të parashikosh reagimin e republikanëve për kthesën në marrëdhëniet amerikano-kubane. Mjafton të dihet se është fjala për një iniciativë të Barack Obamës. Duke patur këtë informacion, kushdo që ndjek edhe shkarazi ngjarjet në botë që nga zgjedhja e Obamës në vitin 2008, mund të parashikonte se republikanët do ta kundërshtonin orientimin e ri të politikës ndaj Kubës. Sepse këtë konservatorët amerikanë e bëjnë gjithmonë. Refleks opozitar dhe kështu ndodhi edhe kësaj rradhe.

I udhëhequr nga i preferuari i lëvizjes Tea Party, senatori me origjinë nga Florida, Marco Rubio, republikanët mobilizohen kundër afrimit me armikun e preferuar në hemisferën perëndimore. Rubio, prindërit e të cilit vijnë nga Kuba dhe që konsiderohet si kandidat i mundshëm presidencial për 2016, deklaroi menjëherë pas shpalljes së iniciativës: "Kongresi nuk do ta heqë embargon."

Kritikë ndaj Papa Françeskut

Rubio, katolik si shumë amerikanë me origjinë nga Kuba, kritikoi madje hapur rolin e Papës në realizimin e afrimit amerikano-kuban. Ai tha se do t'i lutet Papës, që të angazhohet për lirinë dhe demokracinë. Mbështetje për çmimin opozitar frontal të Rubios erdhi nga udhëheqësi i ardhshëm i shumicës në Senat, Mitch McConnell. Por edhe John McCain akuzoi Obamën për "politikë pajtimi ndaj diktatorëve."

Michael Knigge

Michael Knigge

Në fakt vetëm Kongresi amerikan mund të heqë zyrtarisht embargon tregtare, që ekziston që nga viti 1960, thelbin e politikës së deritanishme anti Kubë. Kjo është e papërfytyrueshme me shumicën e deritanishme dhe të ardhshme në Kongres. Por nën këtë prag presidenti Obama ka shumë hapësirë për të zgjeruar, siç u njoftua, mundësitë e udhëtimit ndërmjet dy vendeve, për të normalizuar marrëdhëniet diplomatike dhe për të shqyrtuar statusin e Kubës si sponsor i terrorit. Në këtë mënyrë marrëdhënia midis dy vendeve vendoset në një bazë të re, edhe pa heqjen e embargos.

Politikë bllokuese në kongres

Të gjithë këtë do të mundohen ta pengojnë dhe ta shtyjnë udhëheqësit republikanë në Kongres. Për këtë që nga janari ata kanë edhe më shumë mundësi se më parë, me shumicën e tyre në kongres. Mund të pritet që ata të refuzojnë emërimin e një ambasadori amerikan për Kubën, ose të përpiqen të bllokojnë mjetet finanicare për orientimin e ri të politikës ndaj Kubës. Marco Rubios do t'i bjerë këtu detyra kryesore. Sepse që nga janari ai ndoshta do të jetë kryetari i ri i komisionit në senat për hemisferën perëndimore, në detyrat e të cilit hyn edhe politika ndaj Kubës.

Megjithë kritikën e tyre instinktive ndaj iniciativës së Obamës, shumë republikanë refuzojnë me këmbëngulje që të marrin parasysh një aspekt qendror të politikës aktuale ndaj Kubës: qëllimi i embargos me të gjatë tregtare në botë ishte që të sjellë demokracinë në Kubë. Kjo është një ambicie fisnike. Për fat të keq ajo nuk u arrit edhe pas më shumë se 50 vitesh izolimi dhe bllokade të ishullit. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se kjo do të ndryshonte me ruajtjen e status quo-së. Por viktimat e kësaj politike nuk janë vëllezërit Castro, shumë të urryer nga shumë konservatorë. Është popullsia kubane!

Paralajmërimi i Gorbaçovit

Në vend që të pranojnë, se politika anti-Kubë, e nisur para më shumë se një gjysëm shekulli, ka dështuar dhe të diskutojnë për rrugët e reja drejt demokratizimit të Kubës, konservatorët amerikanë nuk heqin dorë nga kursi i vjetër. Republikanët nuk kanë dëshirë ta dëgjojnë, por ata duhet të kujtojnë një fjali të Mihail Gorbaçovit. Udhëheqësi i fundit sovjetik ka thënë një herë në një tjetër kontekst: "Atë që vjen vonë, e dënon jeta." Kjo vlen edhe në këtë rast.

DW.COM