1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Franca ka nevojë për ndihmë në krizën e Sirisë

Rrëzimi i një avioni luftarak rus nga Turqia minon përpjekjet e presidentit francez Hollande në krijimin e një koalicioni kundër IS-it. Për më tepër që Francës i mungon edhe pesha politike për këtë, mendon Miodrag Soriç.

Tani edhe kjo u desh: aviacioni ushtarak turk rrëzoi një avion luftarak rus. E pra sikur të mos mjaftonte që gjendja në zonën kufitare me Sirinë është mjaft e ndërlikuar. Zyrtarisht tani NATO e mbështet aleaten e vet Turqinë. Jo vetëm në Bruksel, por edhe presidentët e Francës dhe SHBA-së gjatë takimit të tyre të nivelit të lartë në Uashington theksuan, se Ankaraja ka të drejtë të mbrojë hapësirën e vet ajrore.

Rrëzimi i avionit e ashpërson gjendjen pa qenë nevoja

Jo zyrtarisht turqve u duhet të dëgjojnë kritika. Pikërisht tani, kur presidenti i François Hollande bëhet gati të niset për në Moskë, ku synon ta bindë kreun e Kremlinit që të heqë dorë nga mbështetja ndaj sundimtarit sirian Bashar al-Asad, gjendja përshkallëzohet. Kjo pa qenë e nevojshme.

Soric Miodrag Kommentarbild App

Miodrag Soriç

Rusia ka një pjesë të fajit. Sepse ajo vepron në Siri, sipas kokës së vet pa i koordinuar veprimet ushtarake me Perëndimin. Kjo është e rrezikshme. E kësaj here i kushtoi jetën një piloti rus. Incidenti nuk do të kishte pasur pasoja të mëdha. Të paktën në rast se Turqia nuk do të vazhdonte t'i hidhte benzinë zjarrit dhe nëse presidenti rus do ta mbante nën frena indinjatën e tij. Nga një përshkallëzim në fund përfiton vetëm i ashtuquajturi "Shteti Islamik".

Roli drejtues francez nuk është i mjafteushëm

Misioni i Hollande në Moskë si rrjedhojë ndërlikohet edhe më shumë prej këtij incidenti Përpjekja e tij, për të krijuar një koalicion të gjerë - duke përfshirë Rusinë dhe Iranin - kundër Shtetit Islamik meriton vlerësim. Por tek e fundit vetëm roli drejtues francez nuk do të mjaftojë për këtë. Franca nuk e ka peshën politike të një supërfuqie. Dhe europianët - si gjithmonë - janë të pavendosur, të përçarë, nuk duan të shpenzojnë para për mbrojtjen.

SHBA janë e vetmja fuqi drejtuese, me pushtet të mjaftueshëm, për të farkëtuar një aleancë kundër islamistëve të epokës së gurit. Uashingtoni - pikërisht tani - mund ta disiplinojë Ankaranë, mund t'i japë Moskës njohjen publike si fuqi drejtuese, për të cilën është e etur ajo, mund të ushtrojë presion ndaj Arabisë Saudite dhe Emirateve, të paktën për t'u ulur për një periudhë kalimtare në një tryezë me përfaqësuesit e qeverisë së Asadit. Në një zgjidhje politike për Sirinë duhet të përfshihen të gjithë.

SHBA duhet të paraprijë

Në fund të fundit SHBA duhet të paraprijë me një shembull të mirë. Ajo duhet të dojë të drejtojë. A ekziston për këtë vullenti në Uashington? Vitet e fundit lindën disa dyshime. Por krizat ndërkombëtare si kjo e Sirisë nuk mund të zgjidhen vetvetiu.

DW.COM