1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Format i një epoke të shkuar, nuk ka kthim tek G8

Edhe në qoftë se Rusia do ta ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Ukrainës - G8 është histori, mendon Thorsten Benner. Më e rëndësishme do të ishte që G7 të shfrytëzohej për bashkërendimin e demokracive liberale.

Në prag të samitit G7 në Elmau të dielën e ardhshme mungesa e Rusisë është objekt diskutimi. Kryetari i komisionit të Ekonomisë Gjermane për Lindjen, Eckhard Cordes, foli për një shans të humbur: "Një takim i G7 plus Rusinë mund të kontribuonte për zgjidhjen e krizës". Në mënyrë të ngjashme e vlerëson situatën edhe Volker Perthes, drejtor i fondacionit Shkenca dhe Politika, që financohet nga qeveria gjermane: "Ne tani kemi një situatë, ku G7 do të diskutojë për të tetën, në vend që të kemi tetë fuqi të mëdha, të cilat të diskutojnë me njëra-tjetrën për botën".

Kancelarja Merkel dhe ministri i Jashtëm Steinmeier nxituan që të garantojnë, se "përderisa Rusia nuk mbështet vlerat themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe nuk vepron në bazën e tyre", është i pakonceptueshëm një kthim në formatin G8. Por Steinmeier theksoi se dyert janë të hapura: "Unë jam i bindur se ne do të përmirësonim kushtet e punës ndërkombëtare, sikur Rusia të kthehej në G8".

Por kjo bindje e Steinmeierit bazohet në një iluzion. Kthimi te G8 në rastin më të mirë jep një ndihmë margjinale për zgjidhjen efikase të problemeve globale. Kjo do ta shndërronte G8 në një forum për problemet, që shkakton Rusia te fqinjët përreth saj. Por G8 nuk ka qenë e destinuar për një gjë të tillë - për këtë gjë ka formate përkatëse, që nga OSBE-ja deri te Këshilli i Sigurimit. Dhe vetëm për të ledhatuar Rusinë si fuqi të madhe, G8 është një format i shtrenjtë. Si zgjerim i G7, G8 duhej t'i kushtohej çështjeve më globale, si stabilitetit financiar, politikave të zhvillimit, shëndetit dhe ndryshimeve klimatike. Por për këto çështje edhe G8 është shumë e vogël. Çdo format G-x pa Kinën dhe Indinë, të cilat përbëjnë së bashku mbi një të tretën e popullsisë së botës, nuk e luan dot rolin e një forumi për zgjidhjen efektive të problemeve.

Thorsten Benner

Thorsten Benner

Klub demokratik

Në të njëjtën kohë një kthim te G8 do të dëmtonte qëllimin kryesor, që mund ta plotësojë sot G7: Ajo duhet të ndihmojë për të koordinuar politikën ndërmjet demokracive liberale dhe strategjive. Kancelarja gjermane Merkel e tha shumë saktë: "G7 janë shtatë kombe demokratike, të lidhura në angazhimin e tyre për liri dhe të drejtat e njeriut". Rusia nuk adaptohet aty, edhe sikur të pushonte me aneksimin e territoreve dhe me dërgimin e trupave në vendet fqinje. Me Rusinë si të vetmin anëtar jo liberal në tavolinë, nuk do të ishte më i mundur koordimini mes demokracive me të njëjtën mendësi. Do të ishte një humbje e madhe.

Kohët, kur vendet e G7 mund ta konsideronin veten si sundimtarë të vetëm të botës, kanë kaluar me kohë. Duke pasur parasysh konkurrencën për rendin botëror dhe grupimet e reja, si "BRICS" dhe Shanghai Cooperation Organization, koordinimi mes demokracive liberale është edhe më qënësor. Qëllimi nuk është për të ndërtuar një front sipas motos "Perëndimi kundër pjesës tjetër". Por vlerat liberale, që kanë të përbashkëta anëtarët e G7, do të luajnë një rol të qëndrueshëm në rendin global, vetëm kur demokracitë të angazhohen në unison dhe t'i koordinojnë veprimet e tyre.

Ide e një kohe të shkuar

Edhe pa Rusinë G7 ka dështuar në vitet e fundit, siç e tregon së fundmi shembulli i Asian Infrastructure Investment Bank (AIIB). Këtu udhëheqësit e vendeve të G7 dështuan që të bashkëpunojnë përballë iniciativës së Kinës. Rezultati ishte një seri e turpshme e deklaratave të njëanshme të anëtarësimit të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ndërsa Japonia dhe SHBA kanëmbetur të margjinalizuar tani për tani. Sikur krerët e G7 të investonin aq shumë për koherencën e politikave sa në spektaklin e samitit à la Elmau, kjo mund të ishte shmangur, megjithë interesat e ndryshme. Këtu duhet të përqëndrohet fokusi i G7 në vitet e ardhshme, jo në diskutimin, nëse Rusia mund të kthehet, nëse heq dorë nga ekseset më të këqija.

Por çfarë duhet të bëjë G7, nëse Rusia në kundërshtim me të gjitha pritjet, bëhet një demokraci liberale? Aq sa mund të jetë arsye për të festuar, aq pak mund të shërbejë kjo si kusht për kthimin në G8. Kur mendohet për një G7 + të demokracive, kjo në botën e sotme nuk duhet bërë pa Indinë, Brazilin, Indonezinë dhe Afrikën e Jugut. Një G8 vetëm me Rusinë është një ide e një epoke të shkuar, që mund të varroset pa ndonjë hezitim të madh.

Thorsten Benner (@thorstenbenner) është drejtor i Global Public Policy Institute (GPPI) në Berlin.