1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Fjala është flori - Takimi Kerry-Lavrov

Pesë orë biseduan ministri i Jashtëm i SHBA Kerry dhe homologu i tij rus Lavrov. Edhe pse në Paris nuk u arrit një kthesë vendimtare në krizën e Ukrainës, kjo është një shenjë pozitive.

default

Për sa kohë flitet dhe diplomacisë i jepet një shans, ka pak gjasa që Rusia të përdorë 30.000 deri 40.000 ushtarët, që ka mbledhur në kufi me Ukrainën. Bisedimet mes Kerry dhe Lavrov duhet të ulin tensionet dhe të mundësojnë një rikthim në politikën e arsyes.

Edhe bisedimet e nivelit më të lartë mes dy presidentëve, atij të SHBA dhe Rusisë, nuk duhet të jenë tabu, nëse me to mund të arrihet që Vladimir Putin të zmbrapset nga planet e tij për të përpirë edhe Transnistrinë, këtë rrip toke nën sundimin e nostalgjikëve të ish Bashkimit Sovjetik, që është pjesë e Republikës së Moldavisë dhe ndodhet në kufi me Ukrainën.

Me sa duket këtë herë Presidenti rus me telefonatën e tij të papritur tek Presidenti Obama bëri hapin e parë. Prandaj mund të thuhet se Perëndimi me strategjinë e tij, e cila u miratua dhe përforcua pak ditë më parë në Hagë në samitin e G-7, ka shënuar sukseset e para: rusët kanë kuptuar se janë të izoluar në plan ndërkombëtar. Para së gjithash vështrimi në të dhënat ekonomike i ka bërë rusët të reflektojnë.

Ndoshta nuk ishte vetë Putini, por rrethi i tij më i ngushtë, me ndikim të madh ekonomik, që kërkojnë çtensionim. Megjithëse sanksionet ekonomike ende nuk janë vendosur, investitorët po largohen nga Rusia. Larg qëndrojnë jo vetëm sipërmarrje perëndimore, edhe rusët e pasur po i nxjerrin paratë e tyre jashtë vendit.

Rubla pu humbet në vlerë. Banka Qendrore e Rusisë pret gjatë vitit në vijim në rastin më të mirë një stanjacion, por jo më rritje. Barack Obama dhe BE-ja gjatë ditëve të kaluara kanë njoftuar besueshëm se do të shtrëngojnë rripin me sanksione ekonomike, nëse Rusia do të avancojë më shumë në Ukrainë.

Të paktën në periudhë afatgjatë importet evropiane të energjisë nga Rusia, do të reduktohen. Kjo vendosmëri i ka bërë të mendojnë zotërinjtë në Kremlin. Edhe sulmet verbale të Obamës, të menduara mirë, duket se kanë pasur efekt. Obama e kategorizoi Rusinë në plan ndërkombëtar si fuqi rajonale tö rangut të dytë. Duket se kjo matje forcash i bën përshtypje Kremlinit. Por cilado qoftë arsyeja, që i ka sjellë rusët në tryezën e bisedimeve, Perëndimi nuk duhet të shpërthejë në britma triumfi, apo të fërkojë duart nga kënaqësia, siç dëgjohet nga disa qarqe konservatore në SHBA.

Mendjemadhësia mund të shkaktonte humor të keq tek Rusia. Ashtu si dhe më parë rusët janë të nevojshëm për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe të kënaqshme për krizën e Ukrainës.

SHBA ngul këmbë në tërheqjen e trupave ruse nga zona kufitare me Ukrainën dhe këtë e argumentojnë edhe me "klimën e frikës dhe intimidimit", që krijohet nga prania e trupave. Nëse Rusia i përgjigjet kësaj körkese, mbetet të shihet.

Rusia ngul këmbë për një Ukrainë neutrale, e cila të ketë një kushtetutë federale me të drejta të forta për pakicën ruse. Një anëtarësim në NATO duhet të përjashtohet. Nëse Ukraina do dhe duhet të pranojë një kufizim të tillë të sovranitetit të saj, mbetet një çështje tejet e kontestuar. Sergej Lavrov do të donte të negocionte për Ukrainën, por jo me të. Kjo nuk mund të pranohet. Ukraina nuk është një plaçkë, për fatin e së cilës mund të vendosin Perëndimi, apo Rusia. Këtë ministri i Jashtëm i SHBA, John Kerry, e theksoi pas takimit në Paris: Nuk do të ketë "vendim për Ukraninën pa Ukrainën".

Bie në sy fakti që ministri i Jashtëm i SHBA nuk ngul më aq fort këmbë për tërheqjen e rusëve nga Krimeja, të cilën Rusia sipas këndvështrimit perëndimor e ka aneksuar në shkelje të plotë të së drejtës ndërkombëtare. Për Kerry-n është e rëndësishme të pengojë një shkallëzim të mëtejshëm ushtarak. Ai duket se e ka kuptuar, dhe bashkë me të edhe evropianët, se Krimeja është e humbur për qeverinë ukrainase. Rusia nuk do të heqë dorë nga Krimeja. Për këtë arsye, megjithë përpjekjet diplomatike, nuk mund të ketë as kthim në normalitet me rusët. Trysnia duhet të vazhdojë. Vladimir Putin u diskretitua me politikën e tij ekspansioniste. Por tani të paktën duket se ka kuptuar, ku i ka kufijtë.