1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Fitorja historike e Trumpit - shumë çështje të hapura

Donald Trump do të jetë presidenti i ri amerikan. Shoku është i madh ndërsa pasojat të paparashikueshme.

Donald Trump ia doli. Me një fushatë me ofendime personale, arrogancë dhe padituri, ai jo vetëm që ia doli të mobilizojë zgjedhësit e dëshpëruar, por pikërisht me këtë strategji i fitoi zgjedhjet. Një fitore kaq të bindshme nuk e ka pritur askush. Suksesi i Trumpit është pjesë e një populizmi vulgar dhe një shuplakë e rëndë për establishmentin dhe elitën politike në SHBA dhe përfaqësuesen e tyre Hillary Clinton. Clinton ishte një kundërshtare e përshtatshme për të, sepse edhe ajo ishte shumë e padashur sikur edhe Donald Trump. Me aferën e saj të e-maileve ajo e furnizonte kundërshtarin me municionin e  duhur për sulme. Por suksesi dramatik zgjedhor i Trumpit nuk mund të shpjegohet vetëm me padashjen ndaj Hillary Clintonit.

Trump si pasojë e pakënaqësisë

Fitorja e Trumpit është më shumë pasojë e pakënaqësisë së thellë të disa pjesëve të popullit, e madje edhe ndoshta të urrjetjes. Urrejtjes ndaj status quo-së, globalizimit dhe sistemit politik në Uashington. Trump ishte ventili i duhur për të shprehur këtë pakënaqësi, në radhë të parë të klasës së bardhë punëtore. Hillary Clinton ishte një kundërshtare e duhur për këtë. Fitorja e saj me shumë mund si kandidate e demokratëve për president ndaj Bernie Sandersit, ishte një sinjal paralajmërimi.

Suksesi i Trumpit është një shuplakë edhe për mediat e etabluara, për ekspertët e ThinkTanks dhe hulumtuesit e opinionit. Sepse gati askush nuk e kishte llogaritur seriozisht fitoren e Trumpit. Suksesi është një shuplakë edhe ndaj partnerëve perëndimorë të SHBA, të cilët në masë të madhe u pozicionuan për Hillary Clinton dhe kundër Trumpit. Në anën tjetër, këtij rezultati mund t'i gëzohet Kremlini - sepse Trumpi disa herë ka folur fjalë të mira për presidentin rus Vladimir Putin.

Fitorja e Trumpit konteston rolin udhëheqës global të SHBA

Se çfarë do të thotë konkretisht fitorja e Trumpit për SHBA dhe botën, është shumë vështirë të parashikohet menjëherë pas befasisë zgjedhore. Në njërën anë, Trump nuk ka kurrfarë përvoje politike dhe nuk mund të krahasohet me asgjë. Dhe në anën tjetër, Trump nuk ka paraqitur ndonjë koncept koherent të politikës së jashtme, me disa përjashtime të vogla.

Por ajo që mund të thuhet që tani është se fitorja e Trumpit do të ndryshojë status quonë në SHBA, por edhe rregullin e deritashëm botëror dhe rolin e SHBA në botë. Se çfarë do të thotë kjo konkretisht, është ende e hapur. Si mund të ketë sukses një president si Trump, i cili i ka përçarë grupet e popujve në SHBA që ta tejkalojë këtë përçarje të thellë në këtë vend? A do të pretendojë Trumpi që të realizojë parullat e dëgjuara gjatë fushatës? Si e sheh Trump rolin udhëheqës të SHBA në raportet transatlantike dhe në NATO? Si do të zgjidhë problemet me marrëveshjet tregtare që SHBA ka nënshkruar me shumë vende, për të cilat ka thënë se do t'i rinegociojë? Si do të pozicionohet Trumpi ndaj myslimanëve, për të cilët ka kërkuar që t'u ndalohet hyrja në SHBA, apo ndaj latino - amerikanëve? A do të largohet Trumpi nga Marrëveshja e Parisit për klimën? Dhe tek e fundit, si do të sillet Trumm me armët bërthamore?

Të gjitha këto pyetje nuk mund të kenë ndonjë përgjigje në këto orë. Me fitoren e Trumpit, SHBA dhe bota janë futur në një epokë të re. Ne duhet të përgatitemi për kohëra të paqeta.