1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Fenomeni Willy Brandt

Adenauerin e nderonin, Schmidtin e respektonin, me Kohl-in në fillim talleshin, pastaj për të brohorisnin. Por Willy Brandt-in e admironin. Një kancelar i një lloji tjetër, mendon Volker Wagener:

Çdo periudhë, thuhet, ka aktorët e saj. Willy Brandti ishte një njeri që i dha emrin kohës së tij. Vite drejt një epoke të re e quajnë kronistët gjysmën e parë të qeverisjes së Brandtit.

Atyre që e përjetonin Willy Brandt-in në fund të viteve '60/në fillim të viteve '70, ai u bënte përshtypje të thellë. Fjalët e tij, zëri i thellë me pauzat dhe theksimet unikale në të folur, ato thjesht i dëgjoje me dëshirë. Temat e tij tingëllonin revolucionare. "Ne duam të guxojmë më shumë demokraci", ishte lejtmotivi i tij. Gjithçka te ai qe ndryshe. Brandti fliste shumë gjuhë në një kohë kur shumica e gjermanëve nuk e dinin çfarë do të thoshte t'i kaloje pushimet jashtë vendit. Ai mishëronte të renë, ndonëse nuk qe edhe kaq i ri në moshë. Dhe kërkonte këshilla, frymëzim dhe mbështetje te artistët. Të marra të gjitha bashkë, ai ishte fundi përfundimtar i kohës së Adenauerit, kur zotërinj të vjetër ngjyrë gri e bënin politikën në dhomën e pasme, kurse vendi i grave qe pranë oxhakut.

Me Brandtin në jetën publike erdhën ngjyrat. Willy thjesht të elektrizonte. Më vonë sociologët shpikën konceptin "brezi Willy". Të pafundme qenë radhët e të rinjve dhe të vjetërve që u bënë në atë kohë anëtarë të partisë socialdemokrate. Socialdemokracia përjetoi nën Willy Brandtin një kulm të pranimit të saj nga shoqëria.

S'ka të ardhme pa të kaluarën

Me tipare vizionare: politika e Brandtit ndaj Lindjes, e ashtuquajtura Ostpolitik-a. Në atë kohë ajo ishte e guximshme, koha e vërtetoi. Sado e rëndësishme që ishte edhe për suksesin ekonomik të Gjermanisë politika për lidhjen me Perëndimin e Adenauerit, po aq e njëanshme qe ajo. Brandti solli sërish ekuilibër në politikën e jashtme. "Ndryshim përmes afrimit", ishte motoja në trajtimin e RDGJ, Polonisë, Çekosllovakisë dhe Bashkimit Sovjetik. Ai ishte thellësisht i bindur, se nuk do të kishte të ardhme, po të mos merrej parasysh e kaluara. Ai ishte më afër realitetit se CDU-ja, që nuk donte të pranonte atë që ishte prej kohësh e pranishme: zonat që më parë ishin gjermane në Lindje të kufijve Oder dhe Neiße. Pranimi i kësaj ishte hapi i parë që sollën gjendjen normale në marrëdhëniet ndërshtetërore. E lidhur me pranimin e fajit, që me gjestin e gjunjëzimit në ish-geton e Varshavës ka mbetur në kujtesën e të gjithëve.

Së bashku me strategun e tij për politikën ndaj Lindjes, Egon Bahr ai krijoi gjëra që e ndryshuan botën. Fjalia që nuk të tërheq shumë vëmendjen në marrëveshjen gjermano-sovjetike të vitit 1970, në bazë të së cilës kufijtë mund të ndryshohen vetëm me dakordim reciprok, është nga perspektiva e sotme fillimi i fundit të Perandorisë Sovjetike. Kuptimi i thellë i këtij formulimi që u arrit me debate të forta u bë i qartë vetëm në vitet 1989/1990, kur qeveria e RDGJ, e RFGJ dhe BS eleminuan në marrëveshje kufirin e brendshëm të Gjermanisë. E parë në këtë mënyrë, Brandti është babai i bashkimit të Gjermanisë, kurse Kohli menaxheri i bashkimit. Dy patriotët gjermanë, të cilët nuk mund të ishin më të ndryshëm, kur u bënë pensionistë të politikës u kuptuan shkëlqyeshëm me njëri-tjetrin.