1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Fërkimet duhet të marrin fund

Turqia dhe Gjermania janë partnere - kjo duhet përmendur herë pas here. Pas mosmarrëveshjes për rezolutën për Armeninë do të ishte i mundur një fillim i ri. Tani Turqia duhet të tregojë se ajo edhe e do këtë.

Kur Ministria e Jashtme gjermane pesë javë më parë deklaroi se në marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Turqisë aktualisht ka shumë "buçitje", ky ishte perifrazim diplomatik i një krize serioze. Nga Gjermania u kërkua që të dorëzonte mbështetësit e Gylenit. U bënë kërcënime se do të ndërpritej marrëveshja për refugjatët. Dhe pala turke pengoi deputetët gjermanë të vizitojnë ushtarët e Bundeswehrit në Incirlik. Çdo pikë në vetvete qe për gjermanët një gjë absurde. Por kësaj iu shtua edhe toni.

Jo komunikim mes miqsh

Në vend që për problemet të flitej në mënyrë të arsyeshme, turqit zgjodhën variantin e poteres: kështu ata thirrën disa herë Ambasadorin e Gjermanisë dhe për këtë "masë" u informua me dëshirë edhe shtypi. Kështu nuk veprohet në marrëdhëniet e mira. Palës gjermane iu desh të investonte shumë fuqi dhe të kujtohej se Turqia është në fakt mikeshë - një aleate e NATO-s, kandidate për anëtarësim në BE, partnere tregtare. Si mund të ketë fërkime të kësaj natyre në një raport të tillë?

Po, Turqia e ndjeu veten të keqkuptuar dhe të trajtuar në mënyrë të padrejtë. Në Ankara ishte krijuar përshtypja se Gjermania shqetësohet më pak për përpjekjen për puç, se sa për reagimin e Erdoganit ndaj saj. Kjo përshtypje ndoshta ishte e drejtë. Ministri i Jashtëm gjerman u përpoq së fundi me ndjeshmëri të madhe që të tregojë qoftë edhe me vonesë keqardhje të madhe. Një ecje të tillë mbi trarin e ekuilibrit ndërmori edhe Angela Merkel në rastin e rezolutës për Armeninë. Këtë shkeljen më të rëndë, sipas pikëpamjes turke, Kancelarja e tërhoqi në mënyrë paradoksale, duke e mbrojtur përmbajtjen dhe në të njëjtën kohë duke pranuar se deklarata është pa pasoja.

Fabian von der Mark

Fabian von der Mark

Gjermania me këtë u tregua jashtëzakonisht e butë. Kritikët thonë se qeveria gjermane u tregua pa shtyllë kurrizore. Por ky ishte çmimi për aksesin në bazën e Incirlikut, e cila ka rëndësi jo vetëm në politikën e brendshme, por për të gjithë misionin e NATO-s.

Tani nuk ka më llogari të pashlyera

Por butësia gjermane ishte edhe ftesa për një shtensionim të marrëdhënieve, për kalimin në një kontakt normal midis partnerëve. Llogari të hapura tani nuk ka më. Turqia duhet ta vërë në jetë marrëveshjen për refugjatët dhe në të njëjtën kohë të pranojë se liberalizimi i vizave mund të ndodhë vetëm me kushtet e njohura. Turqia duhet ta marrë seriozisht kritikën për shkeljen e shtetit juridik, të të drejtave të njeriut ose të lirisë së medias në vend, pikërisht kur ajo vjen nga partnerët. Tani nuk ka më shkak për t'u ndierë i fyer.