1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Evropa nuk duhet të jetë kështjellë

Qindra vetë marrin arratinë nga lufta, përndjekja dhe varfëria në drejtim të Evropës. Tani Hungaria e mbylli me një gardh kufirin me Serbinë, për t'i penguar refugjatët. Kjo është rruga e gabuar, mendon Zoran Arbutina.

Të gjithë evropianët e njohin trashëgiminë e Mesjetës kudo në kontinent: kështjella, mundësisht të paarritshme në shkëmbinj të lartë ose të siguruar me hendekë. Qytete me mure të trasha dhe porta të ngushta. Paraardhësit tanë donin të mbroheshin nga depërtuesit, të parandalonin rrezikun e sulmimit dhe të plaçkitjes. Rojet te porta vendosnin se kush hynte brenda dhe kush jo.

Sot kështjellat e Evropës nuk kanë më funksion. Dhe qytetet e saj janë zhvilluar prej kohësh përtej mureve të vjetra. Në këtë mënyrë ato kanë ndryshuar, por njëkohësisht edhe janë zhvilluar. Këmbimi i ri dhe i lirë me ata të cilët nuk lejoheshin më parë të hynin brenda, i ka pasuruar ata. Qytetet kështjella, të cilët nuk i kanë hedhur në erë muret e tyre, ndërkohë e kanë humbur rëndësinë. Sot ato janë tërheqëse për turistët, të bukura për t'i parë, por nuk janë më metropole të lulëzuara.

Evropa nuk duhet ta tradhëtojë veten

Edhe Evropa e sotme ndodhet para vendimit: mijëra refugjatë para portave dhe akoma më shumë duan të hyjnë. Çfarë duhet bërë? Të ngrihen edhe më të larta muret dhe gardhet, si tani në Hungari? Të vendoset më shumë polici dhe ushtarë në kufi? Të angazhohen më shumë nëpunës, për t'i dëbuar më shpejt ata që vijnë? A duam ne t'i përqendrojmë forcat tona vetëm për t'u mbrojtur?

Apo më mirë t'i përqendrojmë energji, para dhe vullnet politik në masa që mundësojnë një pranim me rregull, integrimin më të mirë të mundshëm dhe në fund të fundit marrjen e nënshtetësisë nga refugjatët? A duam vetëm të konservojmë apo të mendojmë për të ardhmen? A duhet t'i kthehemi së kaluarës, apo edhe së ardhmes? Këto janë çështjet, para të cilave ndodhet Gjermania dhe Evropa.

Megjithë krizat dhe dallimet brenda BE, për ata që janë jashtë ai mbetet një vend i mirëqenies, stabilitetit dhe shtetit juridik. Një vend ku respektohen të drejtat e njeriut. Prandaj BE ushtron një fuqi magjike tërheqjeje - jo vetëm ndaj refugjatëve të luftës nga Lindja e Afërt dhe e Mesme, por edhe për njerëzit nga Afrika dhe Ballkani Perëndimor.

Ajo që është më e rëndësishme: të gjitha këto arritje bëjnë pjesë në imazhin e vetvetes të Evropës. Ajo që nisi dikur si projekt ekonomik, prej kohësh është bërë shumë më tepër: është bërë një bashkësi vlerash. Prandaj Evropa sot nuk duhet ta përkufizojë veten përmes lartësisë së gardheve ose efektivitetit të punonjësve të saj të policisë, por duke qenë e hapur, përmes tolerancës dhe lirisë.

Arbutina Zoran Kommentarbild App

Zoran Arbutina

Evropa ndodhet në udhëkryq

Përmes izolimit, Evropa do t'i tradhëtonte parimet e saj dhe do ta linte veten pa të ardhme. Sepse të ardhurit do ta ndryshojnë Evropën, kjo është e natyrshme: por Evropa e ka në dorë që të vendosë se në cilin drejtim do të ndryshojë. Sepse edhe një Evropë e mbyllur do të ndryshojë detyrimisht. Nëse shtëpia Evropë kthehet në një kështjellë Evropë, kjo do të ketë pasoja jo vetëm për ata që depërtojnë brenda saj - edhe vetë evropianët bëhen të burgosurit e frikërave të tyre. Ai që u ndalon sot refugjatëve që të hyjnë në kështjellë, ai i hyn rrezikut që ta kërkojë nesër të huajën brenda kështjellës. Shumë ekstremistë të djathtë, shovinistë dhe ata që urrejnë të huajt në gjithë Evropën mezi e presin këtë.

Në vend të kësaj sfida, që sjell numri i madh i refugjatëve, duhet pranuar. Në të duhet parë potenciali për të ardhmen e shoqërisë. Shumë iniciativa për mbështetjen e refugjatëve në Gjermani tregojnë si mund të bëhet kjo. Në shumë vende e në komuna sot lindin forma të reja të ndihmës së fqinjëve për ata që vijnë. Një politikë migrimi serioze dhe e ndershme e Gjermanisë do të ishte përgjigjia në nivel më të lartë. Kjo do të ishte e mirë për migrantët dhe e mirë për Evropën. Të gjithë së bashku mund të fitojnë këtu.

DW.COM