1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Evropa nuk duhet të izolohet

Andrea Schmidt5 Tetor 2013

Kjo është drama më e rëndë e refugjatëve para bregdetit italian. Evropa duhet ta pengojë përsëritjen e një tragjedie të tillë me shumë të vdekur, kërkon Andrea Schmidt në komentin e saj.

https://p.dw.com/p/19tjt

Tragjedia e tmerrshme para Lampeduzës është një dëshmi varfërie për Evropën. Vdekja e njerëzve të pafajshëm në Mesdhe duhet të ndalojë menjëherë. Askush nuk e braktis pa qenë në hall të madh atdheun dhe ia dorëzon veten trafikantëve pa skrupuj. Dhjetëra mijëra vetë janë përpjekur vitet e kaluara që të mbërrijnë në Evropë nëpër rrugë të rrezikshme. Ata nuk kanë rrugë tjetër, sepse rrugët legale të sigurta janë të mbyllura për ta. Refugjatët përpiqen që me varka krejt të papërshtatshme, pa ushqim dhe ujë të largohen nga zonat e krizës. Një arrati, të cilën shumë vetëve u duhet ta paguajnë me jetën e tyre. Në mënyrë që kjo vuajtje të marrë fund njëherë, Evropa duhet t'i japë fund politikës së saj të mbylljes dhe të kërkojë rrugë, të cilat e vënë në qendër të vëmendjes mirëqënien e njerëzve.

Të vdekur para kështjellës Evropë

Italia, e cila është vetëm 120 km larg Afrikës bën pjesë në synimet kryesore të refugjatëve nga zonat afrikane të krizës. Njësoj si bregdeti i Greqisë dhe i Maltës, ujërat e Mesdheut janë kthyer në kurth vdekjeprurës për shumë refugjatë. Numri i madh i të vrarëve tregon: me politikën e saj të izolimit, të mbështetur nga kontrollet ushtarake të kufirit, Evropa hyn në mëkat. BE e kërcënojnë Greqinë madje se do t'i fuste sërish kontrollet e kufirit, nëse ajo nuk i mbyll në mënyrë hermetike kufijtë e saj të jashtëm. Pse nuk i dëgjon askush organizatat e të drejtave të njeriut, që kërkojnë prej vitesh që trafiku i rrezikshëm i njerëzve në Mesdhe të ndalet dhe që të kërkojnë zgjidhje?

Edhe indeferentizmi i Evropës duhet të marrë fund. Evropa nuk duhet t'i lërë vetëm vende si Italia. Ka kohë që parti radikale të djathta fitojnë kapital nga vërshimi i personave që kërkojnë ndihmë.Të gjitha vendet evropiane duhet të bashkëpunojnë me frymë konstruktive për të siguruar një akses të sigurtë për azilkërkuesit.

Asnjë shpresë në atdhe

Njëkohësisht duhen ndërmarrë përpjekje të mëdha, për t'i përmirësuar kushtet e jetesës në atdheun e refugjatëve. Njerëzit nga zonat e krizës kërkojnë me ngulm një jetë në siguri dhe në paqe. Ata largohen nga uria, lufta dhe shtypja. Dhe pikërisht atje, tek rrënjët e problematikës së refugjatëve duhet të mbështetet bashkësia ndërkombëtare. Afrika është kontinent fqinj me ne.