1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Erdoan tregohet mikpritës i keq

Presidenti gjerman Gauck u kritikua ashpër për shkak të kritikës së tij ndaj Turqisë. Kryeministri turk Erdoan ka gabuar në fjalët e zgjedhura, por edhe Gauck nuk bëri gjithçka si duhej, mendon Baha Güngör.

default

Mysafirët, sipas mendësisë së turqve, janë një dhuratë nga Perëndia. Prej këtej buron edhe mikëpritja e mirënjohur e turqve. Kur mysafirët vijnë nga "Almanya", pra nga Gjermania, tranicionalisht bëhet fjalë për "miq". Por kjo rrezikon të mos jetë më kështu në të ardhmen. Diplomatëve nga të dy palët do t'u duhet të punojnë për kufizimin e dëmeve në marrëdhëniet dypalëshe, të cilat i shkaktoi para së gjithash kryeministri turk Rexhep Taip Erdoan, ende pa u larguar nga Turqia Presidenti gjerman Joachim Gauck. Sidoqoftë Erdoan u tregua një mikpritës i keq.

Me shkarjet e tij verbale kundër Gauck, Erdoan i hoqi vetes mundësinë që zemërimi i tij pas deklaratave të Presidentit gjerman, të mirëkuptohej. Ndërsa Gauck duhet të pranojë se kritika e tij ishte më e fortë dhe me tone më të larta nga sa duhej. A nuk mund ta kishte shprehur Gauck kritikën ndaj rrethanave jodemokratike, të cilat i kujtojnë dekadat e kaluara në ish-RDGJ, diku tjetër dhe jo para studentëve të një universiteti elitar në Ankara? Për shembull në drekën festive për nder të tij në formën e një fjalimi në krye të tryezës?

Sidoqoftë, uji në burimin gjermano-turk , të paktën për momentin, është helmuar. Deklaratat plot urrejtje të Erdoanit kundër përfaqësuesit më të lartë shtetëror të Gjermanisë, për fat të keq lanë në hije perceptimin në publik të inaugurimit festiv të universitetit gjermano-turk në Stamboll. Të akuzosh Gauck-un se beson që është ende prift, është në kufi të mungesës së taktit diplomatik.

Në 24 maj do të ketë një "lojë kthimi" në Köln, kur Erdoan të vijë në festimet e 10 vjetorit të themelimit të "Unionit të demokratëve evropiano-turq", e afërt me partinë e kryeministrit AKP. Është planifikuar një fjalim i Erdoanit para 18.000 bashkëatdhetarëve të tij në arenën e Kölnit. Ka rrezik që Erdoan krahas reklamës për veten si kandidat i mundshëm për president, të përdorë përsëri artileri të rëndë kundër Gjermanisë dhe politikanëve të saj.

Ajo që mbetet është shpresa për kufizimin e dëmeve pasuese edhe sa i takon bashkëjetesës pa tensione mes turqve dhe gjermanëve në Gjermani. Kjo bashkëekzistencë e brishtë ende nuk i ka kapërcyer pasojat e rënda të vrasjeve të celulës neonaziste NSU. Marrëdhëniet ndërnjerëzore nuk duhet të keqpërdoren si ushqim i ri për ekstremistët politikë dhe fetarë në të dy vendet.

Edhe për këtë Gauck duhej të kishte menduar më mirë përpara se të drejtonte kritikën pa doreza kundër stilit diktatorial të Erdoanit, kritikë e cila gjithsesi është e drejtë. Nuk duhet harruar se Gjermania dhe autoritetet hetimore gjermane nuk e kanë nderuar aspak veten me dështimet e shumta në çështjen e NSU-së. Për këtë arsye Gjermania mbetet e lëndueshme në këmbimin e replikave me Turqinë.

Një rrugëdalje nga kriza mund të ishte angazhimi më i fortë i Gjermanisë për afrimin e Turqisë me BE-në. Një njësim i vlerave bashkëkohore nuk do të jetë i mundur për sa kohë pengesat e Evropës kundër Turqisë nuk do të zvogëlohen. Lëvizjet demokratike, grupet e shoqërisë civile dhe opozitarët kanë nevojë për këtë mbështetje në përpjekjet e tyre për një Turqi pa censurë dhe arbitraritet.