1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: E vërteta në Siri të kushton jetën

Në Sirinë e shkatërruar nga lufta civile, as qeveria e Asadit dhe as xhihadistët nuk kanë interes për një raportim të lirë mediatik. Kush kërkon të vërtetën si gazetar, ka nevojë për shumë guxim, shkruan Samar Yazbek.

Liria e shprehjes së mendimit do të thotë për mua gjithçka. Ajo vendos për jetën dhe fatin tim. Përballja me realitetin, raportimi me fakte, ashtu si janë – nuk ka asnjë mundësi vetëmbrojtjeje në Siri –veç fjalës së lirë, mendimit të pavarur dhe fakteve. Jeta ime është pjesë e kësaj lirie.Prandaj liria e mendimit merr një kuptim ekzistencial. Unë mund të shkruaj vetëm kur ajo ekziston. Ajo është ndërgjegjja ime, marrëdhënia ime me drejtësinë, bukurinë dhe të ardhmen e njerëzimit.

Liria e mendimit ndodhet në një gjendje kritike si në Siri, një barrë e rëndë. Por në Siri ajo do të thotë rrezik jete. Sepse metodat që ndjek regjimi i Bashar Al Asadit për të shtypur lirinë nuk lidhen vetëm me eliminimin e drejtpërdrejtë. Ka edhe forma të tjera të vrasjes.

Çdo gazetar apo autor kërkon të sjellë në dritë të vërtetën. Për një femër nga bota arabe kjo ka qenë gjithmonë e vështirë. Unë e di mirë se sa guxim kërkon, se sa gatishmëri për të marrë rrezikun në sy kërkon gjetja e së vërtetës. Një pjesë e kësaj gatishmërie është liria ime, që të pozicionohem në jetë për gjëra të caktuara. Por kur dikush e paguan me jetë informacionin, atëherë liria për aksesin e informacionit kthehet në një problem të madh, që i kalon kufijtë e punës profesioniste gazetareske.

Manipulimi i mediave

Samar Yazbek Syrien Schriftstellerin

Samar Yazbek

Në Siri gjendja është mjaft e komplikuar dhe e vështirë. Sigurimi i informacionit përballet me një realitet të përfaqësuar nga regjimi diktatorial i Asadit, ku mediat manipulohen dhe shtrembërohen faktet mbi atë se çfarë i shkakton popullit të vet ky regjim. Kur sirianët në vitin 2011 demonstruan paqësisht për më shumë demokraci dhe drejtësi, ata u arrestuan në mënyrë masive, u burgosën dhe u vranë. Katër vite të përgjakshme pas kalimit të këtij revolucioni paqësor në një konflikt ndërkombëtar dhe rajonal dhe lindjes së „Shtetit Islamik“, e vërteta dhe informacioni gazetaresk janë rralluar edhe më shumë. Grupet xhihadiste që u futën në Siri ushtrojnë dhunë në një mënyrë që nuk është më pak e rrezikshme se ajo e regjimit, një dhunë që i pengon gazetarët të raportojnë mbi faktet e këtij konflikti.

Në të njëjtën kohë vazhdojnë të shtypen njerëzit në rajonet e kontrolluara nga qeveria, dhe të manipulohet raportimi. Qeveria kërkon në këtë mënyrë të përmirësojë imazhin e saj dhe të justifikojë masakrat dhe krimet. Në këtë „shoqëri lufte“ është e vështirë të futesh në rajonet e kontrolluara nga grupet e armatosura të Shtetit Islamik apo të frontit Al Nusra. Rrëmbimi i gazetarëve është kthyer prej kohësh në një burim të mirë të ardhurash për këto grupe.

Informacioni dhe lajmi paguhen edhe me jetë

Megjithë gjendjen e vështirë ende ka aktivistë të guximshëm sirianë që i mbeten besnikë parimeve të revolucionit të tyre dhe përpiqen të vazhdojnë punën megjithë grupet e armatosura xhihadiste dhe bombardimit të lagjeve të banuara nga aviacioni luftarak i Asadit. Shumë nga këta aktivistë e kanë paguar me jetë punën e tyre, të vrarë ose nga bombardimet ose nga Shteti Islamik. Numri i tyre zvogëlohet përditë.

Unë jam përballur vetë me një përvojë të tillë në vitin 2012 dhe 2013 në provincën veriore Idlib. Aty më duhet të zhvilloja intervista me civilë dhe luftëtarë. Ka qenë shumë e vështirë të maskohesha apo të lëvizja në mënyrë anonime, thjesht prej bombardimeve. Kam parë se sa e vështirë ka qenë për qytetarët të mbijetonin. Pa përmendur vështirësitë për raportimin mbi ngjarjet e atjeshme.

Çdo informacion dhe lajm mund të paguhet me jetë. Në Sirinë e sotme për të gjitha informacionet dhe lajmet ekziston ky kusht.

Samar Yazbek, lindur në vitin 1970 në qytetin sirian, Dashbla është një autore dhe gazetare e nderuar me çmime. Pas përndjekjes politike nga Shërbimi Sekret Sirian ajo jeton nga viti 2011 në ekzil në Francë. Në Gjermani po publikohet libri i saj „Revolucioni i rrëmbyer- udhëtim në Sirinë time të shkatërruar“, nga shtëpia botuese zvicerane Larissa Bender in Nagel & Kimche.