1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: E Majta po vjen!

Pas fitores së lëvizjes Syriza, edhe në Spanjë të majtët radikalë duan të vinë në pushtet. Lëvizja e re Podemos noton në një valë suksesi, por ajo mund ta humbasë shpejt magjinë, mendon Gemma Casadevall.

Në fakt Evropa duhet të gëzohej, kur në kohët e rënies së pjesëmarrjes në zgjedhje në skenën politike dalin formacione të reja. Grupime si Syriza ose Podemos nuk drejtohen nga kundërshtarë pa tru të sistemit, por nga figura drejtuese të përgatitura mirë. Në Greqi kemi Alexis Tsipras, një inxhinier brilant me buzëqeshje sharmante, në Spanjë një mësues të shkollës së lartë, Pablo Iglesias. Ata kërkojnë nga qytetari që ai të përdorë mjetin më demokratik që ka në dorë: votën e tij.

Tsipras dhe Iglesias përfaqësojnë një të Majtë evropiane, e cila di si t'i tërheqë votat e të dëshpëruarve. Në anën tjetër ajo kërkon distancë sa më të madhe nga establishmenti politik i partive të konsoliduara. Me këtë përshtatet vendimi i Tsipras-it, për të formuar një koalicion me nacionalistët konservatorë të "Grekëve të Pavarur" dhe toni që përdor kryeministri i ri grek me Brukselin dhe Berlinin. Qeveria e re refuzon të njohë si partnerë bisedimesh troikën e përbë nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Komisioni Evropian.

06.10.2011 DW-TV Quadriga Gemma Casadevall

Gemma Casadevall

Brezi i humbur ngrihet

Edhe aleati i Tsiprasit, Iglesias zgjedh provokimin kur i jep një intervistë televizionit iranian në gjuhën spanjolle Hispan TV. Etiketa se e ka vënë veten në shërbim të regjimit iranian është tani e pandarë për të, njësoj si thënia se ai kërkon të importojë në Spanjë modelin e Chavez-it të Venezuelës. Si populiste dhe pa përmbajtje e damkosin mediat dhe kundërshtarët politikë edhe lëvizjen e re spanjolle. Por kjo nuk u bën pështypje mbështetësve të Podemos-it. Të shtunën ata vëshuan në Puerta del Sol, në atë vend ku në vitin 2011 u formua me një kamp monumental çadrash lëvizja e "Të Revoltuarve". Nga këta "Të Revoltuar", nga një rini akademike e shkolluar mirë në pjesën më të madhe dhe me papunësi aq të lartë sa flitet për "një brez të humbur" vijnë zgjedhësit e Podemos-it.

Të gjitha përpjekjet për ta diskredituar këtë parti dështojnë përballë një brezi mbështetësish, të cilët prej kohësh nuk u besojnë më këtyre medieve: për mendimin e tyre ata janë shitur tek punëdhënësit e tyre. Veç kësaj, disa "përpjekje për demaskim" morën tipare groteske, si për shembull përpjekjet për të goditur karrierën akademike të përfaqësuesve të shquar të Podemos-it. Në një vend, ku ka qindra procese për korrupsion kundër politikanëve të të gjitha ngjyrave, përpjekja që të tërheqësh vëmendjen me "zbulime" të tilla është e diskutueshme.

Spanja nuk është Greqia

A duhet të frikësohet Evropa përballë këtij vrulli të së Majtës së re? Në rrethana të zakonshme, Syriza dhe propozimet e saj radikale do të kishin dështuar në kutitë e votimit. Fuqia e tyre nuk ka të bëjë me buzëqeshjen e Tsiprasit, por në shkretimet, që kanë shkaktuar masat e kursimit të "trojkës" në vend. Samarasi, njësoj si Rajoy mishëronte për njerëzit nënshtrimin ndaj "diktatit".

Pas fitores së Syrizas, përfaqësues të partive të mëdha kanë përsëritur në variante të shumta fjalinë "Spanja nuk është Greqi". Në të pasqyrohet tmerri i përgjithshëm përballë Podemos-it. Por kjo thënie është e vërtetë edhe po ta marrësh konkretisht: çlodhja e ekonomisë spanjolle vërtet që deri tani nuk ka arritur deri te qytetari, por në dallim nga Greqia, Spanja nuk ka një mal borxhesh, i cili të jetë i pamundur për t'u përballuar.

Magjia fshihet shpejt?

Por Podemos duhet të kalojë deri në zgjedhjet parlamentare shumë provime, të cilat do të tregojnë se çfarë përshtypje u bën kjo parti qytetarëve. Midis marsit dhe shtatorit do të mbahen zgjedhje rajonale dhe komunale. Në këto muaj, kursi i Tsiprasit përballë BE-së mund të kthehet në armikun më të madh të Podemos-it. Një konfrontim radikal deri në ekstrem, që do t'i vinte pikëpyetje qëndrimit të Greqisë edhe në Eurozonë, do të kishte efekt frikësues ndaj zgjedhësve të moderuar, që mbështesin Podemos-in. Ndoshta do të jetë Iglesiasi atëherë që do të thotë: "Spanja nuk është Greqia".