1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Duhet dallim i qartë mes antisemitizmit dhe kritikës ndaj Izraelit

Gjermania dhe antisemitizmi janë përsëri temë. Mes urrejtjes verbale ndaj hebrenjve dhe kritikës për Izraelin jo gjithnjë bëhet dallim. Por kjo duhet bërë dhe me qetësi, mendon Volker Wagener.

Antisemitizëm! Janë të pakta gjërat që na prekin në palcë si kjo akuzë. Mund të jetojmë me sharjet nga vendet në krizë në eurozonë për shkak të kursit të kursimit të përcaktuar në radhë të parë nga Merkeli. S'ka problem. Por: antisemitizëm? Jo, kjo na prish ekuilibrin tonë të brendshëm. Për ta thënë më qartë: nuk flas për të majtën dhe të djathtën ekstreme në vend dhe as për pjesë të migrantëve myslimanë në vendin tonë, të cilët duan t'i shkatërrojnë hebrenjtë dhe Izraelin dhe e përdorin diskutimin aktual për cytje. Këto devijime kritikohën me të drejtë nga pjesa më e madhe e popullsisë gjermane.

Duhet të ndodhë vërtet shumë që Presidenti federal dhe kancelarja të bëhen aktivë njëkohësisht. Dhe tani ka ndodhur. Dhe kur kjo bëhet edhe në aleancë me gazetën më popullore bulivardeske, Bild, atëherë është arritur shkalla më e lartë e alarmit. Bëhet fjalë për akuzën më të rëndë për gjermanët: antisemitizëm. "Kurrë më urrejtje ndaj hebrenje!", kërkojnë Gauck, Merkel dhe Bild shoqëruar nga komente të njëjta të shumë njerëzve të shquar nga politika, kultura dhe sporti. Akuza, se pjesë të shoqërisë gjermanë qenkan (përsëri) antisemitë, është për Gjermaninë dhe gjermanët një katastrofë politiko-psikologjike. Ne kemi një problem!

Një fjalë si një goditje tokmaku

Me "ne" kam parasysh shumicën e madhe të atyre që kanë përjetuar fëmijërinë dhe rininë në vitet '60 dhe '70. Ata që kanë studiuar në vitet '80 dhe kanë mësuar me themel në shkollë dhe universitet historinë e nacionalsocializmit gjerman. Aq me themel sa nuk mbetej më kohë dhe hapësirë për kulturën e zhvilluar greke, perandorët romakë, luftërat fetare të kohës së re dhe krijimin e shtetit kombëtar gjerman. Me këto mangësi në arsim duhet të jetojmë ne të lindurit vonë.

Pengje të historisë

Por mësimin për nacionalsocializmin e kemi mësuar. Solidariteti pa kushte me shtetin e ri Izrael, një pasojë e Aushvicit, nuk ishte konsensus shoqëror vetëm për gjeneratën e viteve '60 dhe '70. Ai ishte gati një dogmë. Shkaktuar nga krimet me përmasa të paimagjinueshme të gjyshërve tanë ndaj hebrenjve, ne nipërit e nazistëve ndjenim faj. Kështu e shohim edhe sot. Përse pra akuza për antisemitizëm si goditje tokmaku?

Për mendimin tim kemi të bëjmë me një problem të vecantë gjerman. Kompleksi i fajit ndaj hebrejve, me rrënjë të thella në shpirtin tonë, për një kohë të gjatë e ka bllokuar kritikën ndaj Izraelit për sjelljen me palestinezët. Një tabu. Francezët dhe anglezët mund ta bënin, ne jo. Disa e quajnë këtë neurozë. Por shumë nuk ndihen më të lidhur me këtë kod vlerash. Jo sepse janë armiqësorë ndaj Izraelit, por sepse në politikën izraelite të sigurimit të ekzistencës, u mungon perspektiva për palestinezët.

Dallim i pastër në vend të ritualit të indinjatës

Deutsche Welle Volker Wagener Deutschland Chefredaktion REGIONEN

Redaktori i DW, Volker Wagener

E keqja në debatin aktual të antisemitizmit është detyrimit për të justifikuar që ndiejnë shumë vetë, të cilët i respektojnë hebrenjtë si këdo tjetër, qofshin të krishterë, myslimanë apo budistë. Detyrimi për t'i shpjeguar vetes përse kritika politike racionale nuk ka të bëjë aspak me antisemitizmin. Ndërkohë që lexoj vazhdimisht të njëjtat argumente kritikë kundër politikës së Netanjahut nga pena e gazetarëve, intelektualëve izraelitë apo hebrenjve gjermanë.

Thirrja e gazetës Bild "Kurrë më urrejtje për hebrejtë" e ka dobësinë e saj në faktin që i përgjigjet pikërisht asaj që ndien pjesa më e madhe e gjermanëve, por nuk arrin megjithatë deri tek ata që në fshehtësi kanë ndjenja armiqësore ndaj hebrejve. Indinjata e përligjur e gazetës Bild nuk duhet të ngrijë në një ritual. Antisemitizmi nuk duhet të gjejë as sot në Gjermani asnjë lloj jehone. Por kritika ndaj politikës së tjetrit duhet të jetë e lejuar, aq më shumë mes miqsh.