1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Dorëheqja e Annette Schavanit

Ministrja gjermane e arsimit, Annette Schavan dha dorëheqjen. Asaj nuk i mbeti asgjë tjetër. Një ministre arsimi, së cilës universiteti i heq gradën e doktoraturës - kjo nuk shkon, edhe nëse heqja ndodh pas 30 vjetësh.

default

Annette Schavan

Schavanin në fund nuk e ndihmoi asgjë. As miqësia me kancelaren Angela Merkel, as shprehjet e simpatisë të kryetarit të Partisë Socialdemokrate Gjermane, SPD, as mbështetja nga qarqe të gjera të sistemit konservator të arsimit. Ja që Republika Federale e Gjermanisë nuk është republikë bananesh, standardet shkencore vlejnë për të gjithë, edhe për studentet e reja, të cilat kanë ambicien që të mbrojnë doktoraturën që në moshën 24 vjeçare, me një punim shumë të gjerë. Një ministre e arsimit, e cila ndodhet në grindje me shkollën e saj të lartë, që e hedh në gjyq vendimin e profesorëve të saj dhe që e mobilizon për synimet e saj botën e shkencëtarëve, ajo nuk është në gjendje ta mbrojë si duhet lirinë e shkencave.

Kështu që as shoqes së Schavanit, kancelares gjermane, nuk i mbeti gjë tjetër veçse ta pranojë dorëheqjen e ofruar. Me mundim të madh, siç u shpreh. Në vlerësimin e hollësishëm dhe dukshëm të ngrohtë për shoqen e partisë së saj, ajo theksoi angazhimin e saj për Gjermaninë si vend i shkencës, për kërkimet shkencore dhe për arsimin. Krejt ndryshe nga rasti i dorëheqjes së ish-ministrit të Ambjentit, Norbert Röttgen, të cilin Merkeli e përcolli shumë e ftohtë pasi ai humbi zgjedhjet në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë dhe që e zëvendësoi me një ministër, i cili nuk bën figurë shumë më të mirë, në këtë rast ajo tregoi se qe e prekur vetë.

Kjo nuk të çudit, sepse dorëheqja e Schavanit është humbje e madhe për kancelaren. Me të ajo humbet një mbështetëse në kabinet dhe një të besuar të ngushtë. Por rrëzimi i Schavanit për shkak të aferës së plagjiaturës tregon edhe se Merkeli nuk ka dorë të mbarë me personelin që zgjedh. Edhe dy ministrave të Mbrojtjes, Jung dhe zu Guttenberg iu desh të largohen, sepse i kapën duke gënjyer. Presidentët e sjellë në post prej saj, Wulffi dhe paraardhësi i tij i mbështetur prej saj, Köhler-i e dëmtuan rëndë me dorëheqjet e tyre të parakohshme postin e presidentit. Edhe në rastin e Schavanit, me sa duket nuk është mbivlerësuar vetëm doktoratura e ministres, por edhe veprimtaria e saj politike. Vërtet që Schavanin e nderuan me shumë tituj të doktores së nderit dhe me një titull honorifik profesori në Universitetin e Lirë të Berlinit. Por situata e rëndë në universitetet gjermane, ku pedagogë të paguar keq duhet të përgatisin studentë të munduar nga stresi dhe mungesa e kohës në dispozicion flasin një gjuhë tjetër.

Tetë muaj para zgjedhjeve në Bundestag, Merkeli dhe qeveria e saj nuk të ofrojnë një pamje që të gëzon. Një koalicion qeveritar në grindje të pafundme, ministra pak bindës, suksese thuajse të padukshme, ky është bilanci pas tri vjetësh e gjysmë. Prandaj dorëheqja e Schavanit, sa do e nevojshme që qe, nuk e lehtëson Merkelin. Ajo më shumë tregon për gjendjen e këtij koalicioni qeveritar.

Autor: Bettina Marx

Redaktoi: Auron Dodi