1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Donald Trump po bën të fortë Kinën

Peter Sturm
4 Qershor 2017

Të mos thotë kush, se Donald Trump nuk është i suksesshëm. Brenda një kohe të shkurtër, ai ia ka dalë ta bëjë Kinën më të fortë se kurrë ndonjëherë.

https://p.dw.com/p/2e4qk
USA Trump zum Pariser Klimaabkommen
Fotografi: Reuters/K. Lamarque

Nëse klima vërtet është një shpikje e kinezëve për të dëmtuar amerikanët, siç është  shprehur Donald Trump njëherë në ato interpretimet e tij karakteristike të realitetit, atëherë duhet thënë se këta "shpikësit" paskërkan qenë shumë të suksesshëm. Sepse ajo që bie në sy, është se e gjithë bota nuk i bashkohet kësaj "dijeje" të pohuar nga njeriu me kravata tejet të gjata. Kjo të çon aty që të mendosh se ka ndodhur diçka, që po të flasim me ligjërimin e Trumpit meriton të shihet "si sukses i jashtëzakonshëm, historik".

Thjesht me injorancën e tij presidenti amerikan e ka bërë Kinën më të madhe se ky vend ka qenë ndonjëherë. Reagimet ndaj vendimit të Trumpit për të dalë nga marrëveshja e klimës flasin vetë. Në tonalitet ata shprehen të përmbajtur, por gëzimi për atë që cilësohet si "dëmtim i imazhit të Shteteve të Bashkuara" mund të kuptohet menjëherë. Në këndvështrimin e Pekinit madje edhe i kuptueshëm.

Donald Trump madje ka arritur më shumë. Duhet të ketë ndodhur shumë, që kancelarja gjermane, Angela Merkel të arrijë në atë pikë që të mos e hedhë poshtë çdo lloj përshtypjeje se po kërkon aleatë kundër Shteteve të Bashkuara. Madje Merkel nuk po has në rezistencë as në "Atlantikët" e bindur brenda partisë së saj, të mos flasim për konkurrencën politike.

Sa larg do të shkojë kërkimi për aleatë të rinj? Ajo që dihet, është se do të ishte iluzion të mendohej, se Europa do "priste duarkryq" gjithë vitet e mandatit të Donald Trump, që mund të zgjasin më shumë se shtatë vjet...e pastaj të vazhdonte aty ku kishte ndalur më 19 janar 2017. Jo, bota ecën përpara. Dhe Kina po e kap me vrull shansin që i ofron egomani nga Uashingtoni.

Presidenti kinez, Xi Jinping prezantohet si mbrojtësi i tregtisë së lirë dhe i klimës. Politika e Republikës Popullore në realitet nuk i përgjigjet gjithmonë retorikës së bukur. Firmat e huaja dinë të thonë shumë për pengesat që hasin në këtë vend për futjen në treg. Pra, nuk mund të flitet, se për Europën, Kina do të jetë Amerika e re. Por thjesht fakti që kjo po del në pah duhet t'i alarmojë të moderuarit në Uashington. Problemi është se pushtetin e kanë në dorë të tjerë.