1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Disfatë në zgjedhje për Erdoganin

Në Turqi, AKP në pushtet që prej vitit 2002 e humbi për herë të parë shumicën e saj qeverisëse. Përsa i përket politikës së brendshme, vendi ndodhet para kohëve të turbullta, mendon Baha Güngör.

Populli turk foli në zgjedhje fjalën e tij demokratike dhe të pushtetshme: ka dy humbës të qartë dhe një fitimtare të qartë në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Ata që humbën janë Presidenti i shtetit, Recep Tayyip Erdogan si dhe partia fetare-konservatore AKP, e mbështetur me të gjitha mjetet në dispozicion prej tij . Partia kurde HDP nga ana tjetër e kaloi për herë të parë kufirin e dhjetë përqindshit dhe arriti që me meritë të hyjë në Asamblenë e Madhe Nacionale në Ankara. Ky rezultat është i barabartë me një dështim në zgjedhje për të ardhur rëndë për Erdoganin. Erdogani i vuri të gjitha në një kartë për të arritur objektivin e tij, për ta shndërruar Turqinë në një republikë presidenciale. Duke shkelur detyrimin e tij për qëndrim neutral si president i vendit, për javë të tëra ai vajti kudo në vend për të bërë publicitet për AKP-në. Njëkohësisht nuk u spraps nga sulmet e pafrenuara verbale kundër partive kundërshtare, madje edhe nga shpifjet për to. Erdogani dhe pasardhësi i tij si kryetar i qeverisë dhe i AKP-së, Ahmet Davotuglu u ndëshkuan edhe për shpërdorimin e fesë si mjet për të arritur objektivat politike.

Guengoer Bahaeddin Kommentarbild App

Bahaeddin Guengoer

AKP -ja, e cila në 2002 nën drejtimin e Erdoganit arriti me 34 përqind të votave fitoren e parë të bujshme, pas rekordeve të viteve të fundit, me gati 50 përqind katër vjet më parë dhe 52 përqind në zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale tani duhet të kënaqet me vetëm 40 përqind të votave. Shumica prej dy të tretash, e shpresuar nga Erdogani si kusht për ndryshimet kushtetuese, për të futur sistemin presidencial në Turqi, tani mund të konsiderohet vetëm utopi. Humbja e qartë për herë të parë e shumicës absolute e detyron AKP-në që të lidhë koalicione. Përndryshe atë e kërcënon një rol opozitar me pasoja të pasigurta për fatin e mëtejshëm të partisë. Që prej më shumë se 20 vjetësh, të gjitha partitë dikur në qeveri dhe të forta janë kthyer në parti politike të parëndësishme, pasi kryetarët e partive janë bërë presidentë të vendit.

Vota taktike për HDP-në kurde

Fitimtarja e mirëfilltë e zgjedhjeve, HDP-ja kurde nuk duhet të flejë asnjë ditë mbi dafina dhe të bëjë gabimin e mbivlerësimit të vetes. Përndryshe, në zgjedhjet e mundshme të parakohshme për Parlamentin në vjeshtë, ajo kërcënohet sërish që të mbesë jashtë Parlamentit. Dy bashkëkryetarët e HDP, Selahattin Demirtas dhe Figen Yüksekdag duhet të jenë të ndërgjegjshëm, që për këtë sukses ata i kanë ndihmuar vota taktike prej të gjitha partive të tjera, duke përfshirë edhe AKP-në. Shumë i madh qe refuzimi për planin e Erdoganit për ta çimentuar pushtetin e tij në të gjitha shtresat e popullatës dhe për ta larguar Turqinë nga demokracia pluraliste.

HDP duhet të ofrojë dëshminë për pretendimin e fiksuar edhe në emrin e saj, për të qenë një parti demokratike e të gjithë popujve. Ajo duhet t'i bindë njerëzit, se nuk është krahu politik i organizatës militante kurde, PKK. Pas vdekjes së më shumë se 40.000 vetëve, të cilët kanë humbur jetën që prej vitit 1984 në luftimet midis PKK dhe shtetit turk, nacionalistët e majtë dhe të djathtë janë në përgjim të shansit të tyre për ta nxjerrë HDP-në sërish nga parlamenti. Pasoja fatale për HDP-në mund të kishte përpjekja, që me anë të taktikave politike të arrijë lirimin e udhëheqësit të PKK-së, Abdullah Öcalan, të arrestuar që prej 16 vjetësh.

Po kaq i hidhur sa është medikamenti që duhet të gëlltisin tani Erdogani dhe AKP, po kaq e rrezikshme do të ishte mendjemadhësia për tri partitë opozitare. Ato janë vetëm përfituese të arrogancës politike të Erdoganit dhe të AKP-së, të cilave hë për hë iu tregua kufiri.