1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Diplomacia në limitet e saj

Ndoshta marrëveshja e Minskut nuk ka dështuar ende. Por rasti Debalcevos tregon se vetëm me bisedime diplomatike nuk mund të vendoset paqe në Ukrainën lindore, mendon Bernd Johann.

Nëse merret një qytet me rëndësi strategjike, atëherë nuk mund të flitet për armëpushim. Nëse sulmuesit vazhdojnë të përdorin tanket dhe raketahedhësit, atëherë nuk mund të flitet për tërheqjen e armëve të rënda. As një javë nuk ka kaluar nga marrëveshja e Minskut, e cila duhet të shërbejë si një lloj udhërrëfyesi për paqen në Ukrainën lindore. Por në fushën e betejës Debalcevo në veri të Donjeckut ky proces me sa duket po dëmtohet tani nga të shtënat dhe bombardimet.

Shpresa të mëdha për ҫtensionim në Ukrainën lindore nuk kishte në Minsk. Në Debalcevo separatistet e kanë injoruar krejtësisht armëpushimin dhe tërheqjen e armëve, dy objektivat e para të marrëveshjes, që përfshin 13 pika. Kanë shkelur armëpushimin, për të krijuar fakte ushtarake. Duke bërë që përpjekjet diplomatike të shkojnë dëm.

Kjo ka ndodhur me sa duket me miratim nga Rusia. Këtë e bëri të qartë presidenti rus Vladimir Putin në një mënyrë gati provokuese, të martën (17.02) në daljen e tij para shtypit në Hungari, një vend anëtar i BE dhe vend fqinj i Ukrainës. Ai e quajti udhëheqjen politike në Kiev përgjegjësen e vetme për gjakderdhjen në Debalcevo. Putin kërkoi madje edhe kapitullimin e ushtrisë ukrainase. Më qartë nuk ka si të formulohet mbështetja e tij për planet e pushtimit të separatistëve.

Poshtërim për Poroshenkon

Për presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko rasti i Debalcevos nuk është vetëm një katastrofë ushtarake, por edhe politike. Në vendin e tij kritikohet shumë marrëveshja e Minskut, e cila u arrit në negociata të vështira mes Ukrainës dhe separatistëve prorusë, me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe qeverive të Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës. Dokumenti përmban shumë kompromise, që janë të dhimbshme për Kievin. Sepse faktikisht në këtë mënyrë krijohet një "konflikt i ngrirë" në tokën e Ukrainës dhe një strukturë shtetërore separatiste nën ndikimin e Rusisë.

Bernd Johann drejton redaksinë ukrainase të DW

Bernd Johann

Qysh në Minsk ishte e qartë, se as separatistët as Rusia nuk pranonin, që Debalcevo të mbetet ukrainase. Sepse nëpër qytet kalonte lidhja kryesore - rruga dhe shinat e hekurudhës- ndërmjet Donjeckut dhe Luhanskut. Kjo rrugë është trafiku lidhës i dy "republikave popullore". Dhe që andej hekurudha vazhdon për në Rusi. Furnizimet ushtarake për separatistët mund të sigurohen tani më lehtë.

Ushtria ukrainase e rrethuar prej javësh në Debalcevo nuk kishte asnjë shans ndaj kundërshtarit të pajisur me armë moderne ruse. Por Poroshenko nuk donte të dorëzohej, këmbëngulte për qëndresë. Ndërsa tani ushtarët ukrainas duhet të tërhiqen të mundur nga Debalcevo. Prandaj humbja është edhe një poshtërim për Poroshenkon, i cili brenda vendit do të bjerë nën një presion të mëtejshëm.

Vetëm diplomacia nuk mund ta ndalë një agresor

Shumica e ukrainasve e kanë të qartë se të vetëm nuk mund ta fitojnë ushtarakisht luftën. Prandaj përpjekjet diplomatike duhet të vazhdojnë. Nëse luftëtarët prorusë do ta ndalojnë përparimin e tyre pas rënies së Debalcevos, atëherë ndoshta do të ketë ende një shans për ta shpëtuar marrëveshjen e Minskut. Por kërcënon edhe një rrezik i mëtejshëm. Nga Debalcevo nuk është shumë larg deri në qytetin e madh të Kharkivit në veri. Edhe Mariupol në jug është ende në shënjestrën e separatistëve. Lufta mund të shkallëzhet në mënyrë dramatike.

Ndoshta separatistët do të mjaftohen me zonat Luhansk und Donjeck. Por ngjarjet në Debalcevo tregojnë se me diplomaci, qoftë edhe në nivelin më të lartë, nuk mund të ndalet një agresor, që grabit toka. Nëse luftëtarët prorusë do të marshojnë me të vërtetë në drejtim të Kharkivit apo Mariupolit, atëherë çështja e furnizimit të Ukrainës me armë do të dalë në rend të ditës. Mbi të gjitha duhet të përgatiten të tjera sanksione kundër separatistëve dhe mbështetësve të tyre në Rusi. Diplomacia e Europës ka arritur në limitet e saj.

DW.COM