1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Diletantizëm diplomatik!

Stuhia e fyerjeve diplomatike, që ka përfshirë aktualisht shprehjet përçmuese të një diplomateje amerikane ndaj politikës së BE-së për Ukrainën, është dëshmi paaftësie, mendon redaktori i DW Robert Mudge.

default

Një gjë e tillë nuk thuhet, e aq më pak nuk mund ta thotë një diplomate e lartë. Ishte ky opinioni i përbashkët pas shprehjes fatkeqe të ambasadores së SHBA për Evropën, Victoria Nuland, në të cilën ajo formulon vlerësimin e saj aktual për Bashkimin Evropian.

Diplomatja kërkoi menjëherë falje, përzgjedhja e fjalëve mund të kishte qenë më e përshtatshme, më diplomatike.

Por ndoshta ajo shprehu atë që mendojnë disa evropianë dhe amerikanë. Pasi as SHBA dhe as BE nuk po luajnë një rol të lavdishëm në përpjekjet e tyre për të vënë nën kontroll situatën në Ukrainë. Në vend të kësaj dëgjohen breshëri akuzash të ndërsjellta: SHBA janë tepër energjikë dhe të vrullshëm, ndërsa BE e tërhequr. Pikërisht kjo e fundit është bërë tani temë, gjithashtu bazuar në regjistrimin e një telefonate mes dy diplomatëve të BE-së, të cilët flasin keq për atë që u tha nga diplomatja e SHBA-së.

Një shtysë për të vënë palët në lëvizje

Edhe pse diplomatja e lartë nuk duhej të ishte shprehur në atë formë, gafa e fundit diplomatike mund të sjellë diçka pozitive dhe të jetë një thirrje për zgjim ndaj gjithë palëve.

Këto lojëra nuk janë dinjitoze për të vetmen superfuqi botërore dhe partnerin e saj më të fuqishëm në Perëndim. Në vend të fajësimeve dhe fyerjeve të ndërsjellta, duhet të mbledhin mendjen dhe të përballen së bashku me udhëheqjen ruse dhe atë ukrainase.

Amerikanët dhe evropianët janë të indinjuar dhe pretendojnë se autoritetet ruse dhe/apo ukrainase kanë dirigjuar skandalin diplomatik, edhe me qëllimin për të futur një tjetër fitil sherri mes SHBA dhe BE-së.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë momenti është zgjedhur me zgjuarsi, pasi nuk duhet shumë për të acaruar raportet tashmë të tendosura transatlatike.

Tani të dy gjelat që zihen duhet të kapërdijnë krenarinë dhe inatin dhe të përqendrohen tek thelbësorja: gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët dhe koherente për krizën në Ukrainë.

Për momentin opinioni publik vë buzën në gaz me shpoti për shprehjen e Nuland, por së shpejti e gjitha bota mund të qeshë me Perëndimin gjoja të fuqishëm, që nuk është në gjendje të gjejë një emërues të përbashkët dhe humbet në diletantizëm diplomatik. Këto "lojëra" do të harrohen shpejt, por jo aq shpejt situata dramatike në Ukrainë.