1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Dhuna policore - rutinë shqetësuese në SHBA

Racizmi është ende i rrënjosur thellë në SHBA dhe nuk është e rastësishme, që vazhdimisht janë policë të bardhë që vrasin me armë zezakë, mendon Ines Pohl.

Një realitet i trishtuar: fotografi dhe videoklipe të rinjsh me ngjyrë që vriten nga policë të bardhë janë në SHBA aq të zakonshme sa që vendi ka zhvilluar një rutinë të habitshme për t'u marrë me to. Ato përcaktojnë lajmet e mëngjesit, zhvillohen protesta, nganjëherë konfrontime të dhunshme dhe arrestime. Shefat e policisë dhe politikanët shprehin ngushëllimet e tyre, thonë shprehjet e zakonshme dhe pastaj jeta e përditshme vazhdon. Deri tek incidenti tjetër, derisa një i ri tjetër humb jetën.

Para syve të botës

Po këtë herë ka diçka ndryshe. Ky është veçanërisht reagimi , në duke thuajse i pashpirt i Lawish Reynolds, e cila transmetoi me telefonin e saj celular një video live në internet dhe dokumentoi para syve të botës, se si vdiq i përgjakur i dashuri i saj. 32-vjeçari Philando Castile po i jepte makinës, kur e ndaluan në Minesota për shkak një kontrolli automjetesh. Gjatë inspektimit, atë e qëlluan për vdekje me armë. E gjitha kjo ndodhi vetëm një ditë pasi dy policë kishin hedhur përtokë Alton Sterlingun në Luiziana dhe e kishin vrarë me disa të shtëna. Në Luiziana ishte reagimi tepër i përmbajtur i së shoqes gjatë konferencës për shtyp që i preku njrëzit shumë thellë. Njëra grua filmon ngjarjen, tjetra del përpara shtypit: Të dyja reagimet tregojnë se gratë duan t'i bëjnë këto ngjarje publike. Por ato tregojnë gjithashtu se sa esëll dhe të kontrolluara janë ato në të tilla situata, për shkak se shumë amerikanë me ngjyrë e presin pothuajse që djemtë apo burrat e tyre do të humbasin jetën prej konflikteve me armë në rrugë ose në konflikt me policinë.

Ines Pohl

Ines Pohl

E gjithë kjo ka pa dyshim të bëjë shumë me racizmin. Nuk është e rastësishme, që vazhdimisht janë policë të bardhë që vrasin me armë zezakë. Shumë shpesh në zona ku njerëzit janë të varfër, ku ka një shkallë të lartë kriminaliteti dhe ku armët dhe dhuna diktojnë në jetën e përditshme.

Më tepër se racizëm

Por analiza do t'i binte vërtet shumë shkurt në qoftë se mbetej vetëm tek racizmi. Që policët përdorin shpejt armët lidhet thjesht edhe me faktin se probabiliteti është i lartë që personi që kanë përballë nuk fut dorën në xhep për të nxjerrë patentën e shoferit, por një armë. Sepse për shkak të ligjeve liberale për armët, shumë amerikanë mbajnë armë me vete. Respektivisht i madh është tensioni në radhët e policëve. Edhe kjo del shumë e qartë në videon live të Lavish Reynolds. Ndërsa ajo flet me qetësi tek kamera dhe shpjegon se çfarë ka ndodhur, në sfond shihet një polic, i cili lëviz me histeri armën e tij.

Shkollim i keq

Shkollimi i pamjaftueshëm i policisë amerikane luan këtu rolin e vet. Policët nuk mësojnë si të reagojnë në mënyrë adekuate në situata të tilla stresi ekstrem dhe kështu shpesh ndodhin situata që duken më shumë si ekzekutime sesa si punë profesionale e policisë.

Të gjitha këto probleme janë të njohura prej kohësh. Dhe është e turpshme që kjo temë nuk ka luajtur ndonjë rol në fushatën zgjedhore, përveç shprehjes së keqardhjes. Është e vështirë të përfytyrohet se kjo do të ndryshojë në situatën e ngarkuar aktuale. Më tepër diskutohet për tweets dhe e-mailet se sa punohet për ligje të arsyeshme për mbajtjen e armëve. Dhe kjo ka sërish të bëjë shumë me faktin se janë kryesisht të rinj me ngjyrë ata që vriten çdo ditë në rrugë. Kështu në fund dalim gjithmonë tek racizmi që është ende i rrënjosur thellë dhe që edhe pas tetë vitesh të Obamës si president, jep tonin në këtë fushatë të mprehtë.

Ne gëzohemi për mendim tuaj për këtë artikull. Na shkruani!