1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Dëshira e madhe e Kinës për forcë

Kina sërish do ta rrisë buxhetin ushtarak. Kjo i shqetëson vendet fqinjë, por i shkon përshtat Kinës për vetëdijen e re. Megjithatë Kina mund ta demonstrojë forcën edhe ndryshe, mendon Alexander Freund.

China Nationaler Volkskongress in Peking Halle

Kongresi Popullor i Kinës

Kina definitivisht nuk ka forcë efikase ushtarake. Deri tani Pekini ka vetëm ekonomikisht forcën, për t'u imponuar në botë. Gjithçka përqendrohet tek motori ekonomik kinez, ndërsa Pekini qendron i distancuar ndaj konflikteve të mëdha, të paktën ushtarakisht. Fuqizimi ekonomik deri tani ka prioritetin më të lartë. Por kjo me siguri do të ndryshojë, sepse Kina kohët e fundit po tregohet gjithnjë e më e vetëdijshme - madje mund të thuash: më agresive - në vendimmarrje. Në këtë kontekst bën pjesë edhe fakti, që Kina sërish do ta rrisë ndjeshëm buxhetin ushtarak. Ndonëse disi më pak se vitin e kaluar, Kina prej vitesh investon shuma marramendëse për modernizimin e ushtrisë dhe kjo u ngjall shqetësim jo vetëm fqinjëve të saj. Jo pa të drejtë udhëheqja kineze i referohet faktit, që SHBA-ja shpenzon shumë më tepër për armatimet. Por SHBA-ja e konsideron veten si superfuqia e vetme e mbetur. E pra mos vallë këtu kemi të bëjmë me matjen me dy kute të ndryshme?

Pekini ende e ndien veten inferior ushtarakisht. Vërtetë Kina me 2,1 milionë ushtarë ka si numër ushtrinë më të madhe në botë, ka aviacionin ushtarak më të madh në Azi dhe posedon raketa interkontinentale me pajisje atomike, që mund të arrijnë edhe SHBA-në. Pekini nuk synon vetëm mbrojtjen e vendit, por ka si qëllim ruajtjen ofensive të sferave të interesit. Ndaj Pekini në radhë të parë do të investojë për armët ofensive, në mënyrë që të mund t'i fitojë shpejt konfliktet rajonale. Sa u përket aeroplanmbajtëseve p.sh. kombi krenar deri tani ka vetëm një të vetme, një model të ristrukturuar nga Ukraina.

Mund të thuhet, se është e drejta e kinezëve, që pas fuqizimit ekonomik të kërkojnë të aftësohen edhe ushtarakisht në nivel konkurrues, tek e fundit edhe të tjera fuqi të mëdha vazhdimisht i kanë mbrojtur ushtarakisht interesat e tyre. Amerikanët e SHBA-së e bëjnë këtë gjithsesi. Por tani sërish të njëjtën gjë po bëjnë edhe rusët në Ukrainë.

Alexander Freund DW-RADIO/DW-WORLD.DE Leitung Hintergrund NEU

Alexander Freund

Edhe ushtarakisht më në fund kryesuese

Por bazuar tek e njëjta e drejtë në të gjithë Azinë po bëhet një armatim gjigand, që duhet të aktivizojë këmbanat e alarmit jo vetëm tek shtetet fqinjë të Kinës apo ata përtej Paqësorit, por tek të gjithë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për tregtinë e globalizuar botërore përmes itinerarit aziatik të anijeve. Por bëhet fjalë edhe për një rritje të mosbesimit në Azi dhe për kapërcimin gjithnjë e më shumë të kufirit drejt zgjidhjeve ushtarakisht dhe jo më me mjete diplomatike të konflikteve. Kjo mund të përfundojë në katastrofë dhe efekti i saj mund të ndihet në mbarë globin.

Sepse qysh tani krahas Kinës po armatosen fuqishëm edhe India e Japonia, Filipinet dhe Indonezia, Vietnami, e në fakt pothuajse të gjithë. E potencial konflikti ka me bollëk. Kryesisht potencial shpërthyes bartin grindjet për male-ishuj më shumë të pabanuar, për të cilat vazhdimisht hedhin benzinë në zjarr forcat nacionaliste në vendin përkatës. Por natyrisht që në këto konflikte është fjala për bazat e peshkimit apo rezervat e munshme të lëndëve të para, e në radhë të parë për sferat e influencës. Kina provokon dhe përmes eskavatorëve ka krijuar anë e mbanë fakte të kryera duke i betonuar atolet si pista tokësore, duke ndërmarrë kryqëzata me anije luftarake dhe duke treguar prezencë në mënyrë demonstrative, nën moton pa shihni këtu: ne kemi ardhur për të qendruar. Kjo diplomaci e eskavatorëve shoqërohet nga një flotë ushtrake gjigante, e cila nuk le më aspak vend për dyshime.

Mes ruajtjes së interesave dhe agresionit

Kina do të ripozicionohet në politikën e sigurisë. Këtu bën pjesë edhe një "ligji ri kundër terrorit", përmes të cilit t'i lejohet Kinës që të ndërhyjë ushtarakisht edhe jashtë vendit, në rast se kërcënohen shtetasit apo interesat e saj kombëtare. Ndërkohë që edhe Japonia fqinje po planifikon një ligj të ngjashëm. Edhe atje qeveria konservatore-nacionaliste e konsideron kushtetutën jo më të përshtatshme për kohën, në sfondin e kërcënimeve që supozohen - ndër të tjera edhe nga Kina. Kush do t'ia mohojë ndokujt të drejtën për mbrojtje? A nuk duket në rregull në vështrim të parë "ligji kundër terrorit"? Por siç dihet kufijtë drejt agresionit janë të luhatshëm. Edhe këtë e kanë demonstruar ndërkohë rëndom fuqitë e tjera të mëdha.

Rritja e buxhetit ushtarak në Kinë megjithatë nuk do të thotë, se Pekini vërtetë armatoset për një luftë. Ende është koha për t'i shmangur gabimet e së shkuarës. Në shumicën e vendeve aziatike zhvillimi ekonomik luan një rol më të rëndësishëm se grindjet territoriale. Tregtia e gërshetuar fort i pengon përshkallëzimet dhe forcon bashkëpunimin në frymën e besimit. Tek e fundit të gjithë preferojnë të bëjnë biznes. Një ekonomi në lulëzim prodhon mirëqenie. Nëse prej saj përfitojnë mundësisht sa më shumë, gjaknxehtët nacionalistë nuk kanë shans - qofshin ata në Pekin, në Tokio apo në Uashington. Ndaj tani kërkohet maturi, sepse provokimet shumë shpejt mund të dalin jashtë kontrollit. Të qenit i rezervuar nuk duhet të jetë shenjë dobësie. Forca mund të demonstrohet në mënyra të ndryshme. Sepse edhe Kina prej kohësh është një superfuqi. E këtë ajo e ka arritur pa ndonjë armatim masiv.