1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: CDU dëshiron të bëhet multikulti

CDU dëshiron të bëhet më e larmishme. Disa muslimanë më shumë në rradhët e saj do ta bëjnë CDU më të hapur dhe tolerante. Një revolucion me një dozë të mirë interesi vetjak, mendon Volker Wagener.

Debati për integrimin në Gjermani është tmerrësisht i lodhshëm. Ai është aq e parashikueshëm në ato që thuhen, shpesh herë aq politikisht korrekt në drejtimin që i jepet dhe prandaj edhe hipokrit. Në të predikohet një "kulturë mirëseardhjeje", lavdërohet "një shoqëri e larmishme" dhe kërkohet "diversitet". Shumë mirë, shumë në rregull. Por tani CDU do t'i japë fund fjalëve të bukura për integrimin.

Risitë e CDU-së në politikën e emigracionit

Politika moderne e emigracionit duhet të zëvendësojë debatet për integrimin. Kjo, nëse nisemi nga imazhi, që kanë konservatorët për veten, është një kthesë e madhe. Pasi të Gjelbërit kanë një kryetar Özdemir dhe Socialdemokratët një sekretare të përgjithshme Fahimi, tani edhe Unioni Kristiandemokrat do të hapet. Multikulturalizmi nuk është më një çudi nga mjedisi i gjelbër dhe i kuq (socialdemokrat). Edhe CDU do që të bëhet e larmishme. Një revolucion kulturor është ky, të paktën një i vogël.

Volker Wagener

Volker Wagener

Kanë kaluar katër vjet që një politikan udhëheqës i Unionit tentoi t'u tërhiqte vemendjen gjermanëve për realitetin. "Feja islame është pjesë e Gjermanisë", tha presidenti i atëhershëm, Christian Wulff, dhe kjo në ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Por në asnjë parti nuk hasi më shumë rezistencë se sa te Unioni. Por kjo fjali ka kohë që e ka humbur provokativen. Ndërkohë Merkel duke e kuptuar se feja islame është pjesë e së përditshmes së jetuar në Gjermani, mund të mbështetet në këtë thënie duke e konkretizuar debatin e përjetshëm për migracionin.

Ekonomia ka nevojë për migrantë të kualifikuar

CDU e ka kuptuar qëkur se defensiva e praktikuar në politikën e emigracionit i përket së djeshmes. Nëse migrantët në Republikën e vjetër Federale ishin një domosdoshmëri ekonomike, tani janë një domosdoshmëri për arsye demografike. Natyrisht në industri dhe në ndërmarrjet e mesme ka akoma rezerva ndaj emrave jogjermanë në aplikimet për punë, por asnjë degë nuk mund t'ia dalë në konkurrencën globale duke marrë vendime sipas origjinës. Bëhet fjalë për faktet: zotërim i mirë i gjermanishtes, kompetencë në shkencat shoqërore dhe njohuri praktike në IT. Janë integrimi dhe kompetencat ato, që kërkon unioni.

Kultura aktuale e mirëseardhjes ka akoma diçka dekorative. Ekonomisti me origjinë turke, familja e të cilit jeton prej tre brezash në Gjermani, në një koncern zgjidhet më parë si i ngarkuar për integrimin dhe sa shef financash. Të prekurit nuk kanë patur alternativë tjetër vite me rradhë, ndërkohë gjermano-turqit gjejnë vende të kualifikuara në Stamboll dhe Ankara. Por ne kemi nevojë për to këtu!

Deri në vitin 2050 Gjermania ka nevojë për më shumë fuqi punëtore për të kompensuar humbjen e popullsisë. Pa migrantët e arsimuar mirë nuk mund të bëhet asgjë. Unioni është i alarmuar dhe përqiqet me sa duket të moderojë një integrim më të mirë. Dhe kjo gjë është e domosdoshme, sepse njerëzit nga shtresa e mesme, që kërkojnë të ecin, frikësohen për statusin e tyre.

Sa bujare zonja Merkel!

Sa i drejtë është impulsi i Merkelit në lidhje me migracionin, aq edhe egoist është ai. Unioni e ka të vështirë me të ardhurit. Me vetëkënaqësi ata i kanë parë për një kohë të gjatë si mysafirë, gjë që gjithmonë rezononte me një afat të pashpehur kohor. Shumëllojshmëria sociale dhe gjëra të ngjashme, që të kujtojnë vokabularin e predikimeve të së dielës, kanë qenë elemente politike majtas Unionit Kristiandemokrat. CDU e Merkelit e krahasuar me socialdemokratët dhe të gjelbrit është jo edhe aq tërheqëse për migrantët. Ky përbën edhe një rrezik për aftësinë për të patur shumicën politike në një vend, ku ndërkohë një ndër pesë banorë ka prejardhje të huaj. Prandaj jo vetëm Gjermania, por sidomos Unioni Kristiandemokrat si parti e madhe popullore duhet të ndryshojë dhe të hapet. Një hap është bërë.