1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Bukë në vend të parave

Ide të reja përballë rritjes së numrit të refugjatëve: Ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere kërkon që azilkërkuesve t'u jepen më shumë ndihma materiale se para në dorë. Christoph Hasselbach e quan ide të mirë.

default

Qendrat e pranimit të refugjatëve: Ministri i Brendshëm gjerman de Maiziere (në qendër) dhe kryeministri i Brandenburgut, Dietmar Woidke (majtas)

143 euro në muaj. Kaq merr një azilkërkues i vetëm në pritjen fillestare si të ashtuquajtura para xhepi. Këto para janë menduar për të plotësuar nevojat personale, si komunikimi dhe lëvizja. Strehimi, ushqimi, veshja dhe kujdesi për trupin mbulohen me sende materiale.

Pas pritjes fillestare ndihma zhvendoset gjithnjë e më shumë në para. Së bashku me paratë e xhepit një person i vetëm përfiton pastaj 359 euro në muaj. Me kaq para askush në Gjermani nuk mund të bëjë gjëra të mëdha. Paratë janë për t'u siguruar njerëzve gjatë kohëzgjatjes së procedurës së azilit një ekzistencë dinjitoze. As më shumë, dhe as më pak.

Para xhepi këtu sa një rrogë diku tjetër

Për shumë njerëz nga vendet e Ballkanit Perëndimor paratë që marrin, korrespondojnë me paratë, që fitojnë nga një punësim normal në vendin e tyre. Kësaj i shtohet edhe fakti se ato zakonisht nuk shohin perspektivë në vendet e tyre. Prandaj mund të kuptohet, përse marrin rrugën për në Gjermani. Megjithatë shumë pak prej tyre kanë shans, që t'u njihet kërkesa për azil, sepse ligji gjerman i azilit konsideron si arsye për njohje vetëm përndjekjen.

Hasselbach Christoph

Christoph Hasselbach

Kush dëshiron që edhe varfëria të njihet si arsye për azil, duhet ta ketë të qartë, se një pjesë mjaft e madhe e popullsisë së botës do të kishte të drejtë për t'u arratisur për në Gjermani. Momentalisht 40 për qind e azilkërkuesve vijnë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Megjithatë ato kalojnë përmes procedurës së azilit me të gjitha pasojat e strehimit dhe përkujdesjes. Kjo shkon në fund të fundit në kurriz të kapaciteteve për refugjatët nga luftërat dhe luftërat civile.

Biletë autobusi apo para për të?

Ministri i Brendshëm gjerman mendon që nga përfitimet në para, të kalohet jo terësisht, por së paku pjesërisht në të ardhura materiale. Ai e ka halë në sy sidomos praktikën e disa landeve gjermane për t'i paguar shumat disa muaj me parë. Ai e sheh prova se azilkërkuesit ua japin të hollat kontrabandistëve, të cilëve u kanë para borxh.

Ideja është në rregull dhe nuk prek aspak dinjitetin e njeriut, siç pohojnë kritikët. Dinjiteti i njeriut nuk vendoset, nëse merr nga autoritetet një biletë autobusi, apo para për të blerë vetë një të tillë. Nga ana tjetër do të reduktohej interesi për të bërë kërkesë për azil në Gjermani, megjithë shanset minimale për njohjen e azilit. Dhe nëse kjo nuk funksionon, atëherë të paktën gjatë periudhës të shqyrtimit të procedurës së azilit, të shfytëzohen mënyrat më të arsyeshme. Edhe si mesazh ky do të ishte i rëndësishëm.

Për të rifituar pushtetin krijues

Megjithatë nuk duhet të ketë iluzione. Nga njëra anë Gjykata Kushtetuese gjermane me të drejtë i ka përcaktuar shumë qartë përfitimet për azilkërkuesit dhe ka vendosur kufij të ngushtë për ndryshime. Prandaj shteti nuk mund të shkurtojë thjesht të ardhurat, edhe pse kjo shërben për të dhënë një sinjal. Edhe në qoftë se marrin më shumë përfitime në natyrë në vend të parave, prej kësaj nuk ulet mjerimi dhe mungesa e perspektivës e njerëzve në vendet e tyre të origjinës.

Nga ana tjetër mund të krijojhen mundësi punësimi për ata njerëz nga Ballkani Perëndimor, që kanë predispozita të mira. Kjo nuk ka të bëjë aspak me azilin. Gjermania do ta zgjidhte fuqinë punëtore sipas interesave të saj. Shumë e rëndësishme është kjo: vetëm nëse rregullat e azilit politik zbatohen me të vërtetë, mund të mendohet për rrugët për një emigracion të dëshiruar pune.

Në moment ka një bujari të kuptuar gabim në trajtimin e refugjatëve. Pothuajse secili, që dëshiron të qëndrojë, mund të qëndrojnë. Shumë qytetarë mendojnë se shtetit i ka ikur nga dora kontrolli në çështjen e refugjatëve. Kjo dëmton gatishmërinë për pranim. Propozimi i de Maizière do të jetë vetëm një hap, por që ka një rëndësi simbolike për të treguar se shteti rimerr fuqinë e tij për të krijuar.