1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Koment: Bosnje-Hercegovina mbetet vrima e zezë e Evropës

Në Bosnje-Hercegovinë politikanët nacionalistë të tre grupeve të popullsisë pengojnë çdo lloj përparimi. Dy emisarë të BE-së donin të nxisnin një fillim të ri. Por diplomacia nuk mjafton, mendon Benjamin Pargan.

Ose përfaqësuesit e BE-së kanë një durim ëngjëjsh, ose janë politikisht dhe strategjikisht krejtësisht të verbër. Ose vërtet nuk kanë asnjë alternativë. Politikanët boshnjakë të mbushur me mllef, u zunë në Sarajevë në pranit të së ngarkuarës me politikën e jashtme të BE-së Federica Mogherini dhe të komisionerit të fqinjësisë Johannes Hahn, me tone aq të papajtueshe sa bisedimet u desh të shtyheshin. Këtu nuk ndihmoi as fakti që negociatat ishin iniciuar personalisht nga ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, Frank-Walter Steinmeier dhe Philip Hammond.

Përfaqësuesit e BE-së gjatë dhjetë viteve të kaluara janë mashtruar dhe vënë në rolin e budallait vazhdimisht nga politikanët qeverisës të Bosnje-Hercegovinës. Ata kanë shpresuar në kartën e gabuar: tek politikanët me bindje nacionliste dhe vullnetin e tyre të rremë për reforma. Ata kanë pranuar fjalët boshe të një kaste të korruptuar politikanësh për gjoja rrugën evropiane të vendit ballkanit të tronditur nga luftërat. Ngadalë edhe përfaqësuesit më të fundit të burokracisë së Brukselit duhet t'i jetë bërë e qartë se këta politikanë nuk mund ta çojnë Bosnje-Hercegovinën në BE. Dhe as nuk e duan këtë.

Bosnje-Hercegovina është që prej vitit 2010 një kandidat potencial për anëtarësim në BE. Për një afrim konkret në Union vendi duhet të iniciojë reforma, por ato nënkuptojnë një fund të politikës klienteliste. Përfaqësuesit politikë të tre grupeve etnike, boshnjakëve myslimanë, serbëve ortodoksë dhe kroatëve katolikë, për vite me radhë kanë ruajtur armiqësitë mes tyre. Megjithatë ata kanë ndarë pa problem burimet dhe pasuritë e vendit. Çdo parti i jep mbështetësve të saj punë në administratë, tendera publikë dhe subvencione. Kjo ka funksionuar për vite me radhë, partitë rizgjidhen vazhdimisht në parlamentet e shumta të strukturave të përçara politike. Edhe vetëm kjo është arsye që kryetarët e tyre të bllokojnë të gjitha reformat, të cilat do t'i jepnin vendit të paktën statusin e kandidatit të BE-së.

Pargan Benjamin Kommentarbild App NICHT MEHR VERWENDEN

Redaktori i DW Benjamin Pargan

Në bllokadën e tyre të paepur i ka forcuar edhe një rast nga Kroacia fqinje. Atje ish kryeministri Ivo Sanader u arrestua dhe u dënua me dhjetë vjet heqje lirie për korrupsion. Pamjet e ish kryeministrit kroat me pranga në duar kanë lënë përshtypje të fortë tek politikanët e lartë në Bosnje-Hercegovinë. Ato iu treguan se çfarë do të ndodhë nëse shteti ligjor boshnjak, me mbështetjen e BE-së, do të vepronte kundër korrupsionit. Pikërisht për këtë një drejtësi funksionuese dhe lufta kundër korrupsionit janë kushtet më të rëndësishme për fillimin e negociatave me BE.

Të dënohet ashpër korrupsioni

Vërtet është e drejtë dhe e rëndësishme që ministrat e jashtëm gjerman dhe britanik duan t'u vijnë në ndihmë vendit të vogël ballkanik për t'u afruar me BE-në përmes reformave ekonomike dhe politike. Por kjo është të paktën e katërta inisiativë e këtij lloji dhe para një përpjekjeje të re në Bosnje-Hercegovinë duhet të fillojë një ofensivë e ndjekjeve penale. BE duhet të mbështesë drejtësinë e vendit për të vepruar kundër politikanë të korruptuar. Zyra e Përfaqsuesit të Lartë të Bashkësisë Ndërkombëtare në Bosnje-Hercegovinë duhet të zvogëlohet në mënyrë radikale, të hiqen postet shumë të shtrenjta të këshilltarëve dhe paratë e kursyera në këtë mënyrë t'i vihen në dispozicion prokurorive me mangësi të mëdha teknike dhe në personel.

Në një bisedë jozyrtare një diplomat evropiano-perëndimor u shpreh me ironi makabre: "Disa politikanë në Bosnje-Hercegovinë kanë më shumë kufoma në bodrum se sa krematori i një qyteti të mesëm gjerman." Vetëm kur drejtësia të heqë nga qarkullimi drejtuesit më të korruptuar politikë, vendi do të ketë një shans realist për të lëvizur në drejtim të BE-së. Ndryshe inisiativa e tanishme gjermano-britanike do të ketë fatin e një flluske sapuni si shumë të tjera përpara.