1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Bie erë urrejtjeje…

Në Uashington Trump u kundërvihet demonstruesve dhe medieve, në Koblenc shokët e tij të idealit në Europë festojnë. Pa asnjë dyshim: Rendi i vjetër është vënë në shënjestër, mendon Volker Wagener.

Bota e vjetër e shekullit të 20-të ka marrë fund pa kthim - Frank-Walter Steinmeier, ende ministër i Jashtëm dhe së shpejti kreu i shtetit gjerman nuk është një nga ata që i shpëton kollaj goja- e megjithatë ai i përmblodhi kështu zhvillimet aktuale. E pikërisht, Marine Le Pen, kryetarja e Front National i jep atij të drejtë. „Po përpjetojmë aktualisht fundin e një bote dhe lindjen e një të reje", tha ajo të shtunën (21.01) në Koblencin gjerman, ku u mblodhën 800 të ftuar, populistë të djathtë nga e gjithë Europa. Mund të qahesh për këtë, po nuk ia vlen. Brexit është realitet. Trump po ashtu. Në Europën perëndimore po ndodh një metamorfozë politike. Populizmi është në modë. Asgjë (ende) nuk duket se do të jetë si më parë. Së shpejti votohet në vende të tjera të rëndësishme: Franca, Spanja, Gjermania.

Një flakëvënës në Shtëpinë e Bardhë?

Ndërkohë që SHBA po i thonë përfundmisht lamtumirë epokës si fuqi e rendit botëror. Në Siri ato i kanë hapur vend Putinit. Aq më shumë do të përqëndrohen ato tani në Izrael. Premtimi i fushatës për zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalem nuk është thjesht një vendim organizativ – ajo është një deklaratë politike. Një deklaratë e fortë madje. Një zhvendosje e tillë mund gati të barazohet me njohjen faktike të Jeruzalemit si kryeqytet i vetëm i Izraelit. Më pak i rrezikshëm do të ishte një flakadan nëpër një pikë karburanti.

E për Europën nuk ka pse ta vrasë mendjen presidenti i ri, për këtë ai ka Petryt, Le Penët, dhe Wildersit – të afërmit e tij në qëndrime në format perëndimor. Qëllimi i të djathtëve europianë është kthimi tek shtetet egoiste, të përqëndruara në madhështinë e vet, pasqyrim i qëndrimeve të Trumpit „America first". Nuk të çudit fakti, që Theresa May është kryeministrja e parë nga kontinenti i vjetër që takohet me Trump. Lamtumira e britanikëve nga BE është për Trump dhe populistët europianë një ushqim i gatshëm për të shprehur hapur përçmimin ndaj aleancave ndërnacionale.

Duket sikur zotëron tallja me çdo gjë që mësoi bota perëndimore pas Luftës së II Botërore. Politika e aleancave, parimi i solidaritetit, ndihma ekonomike. Sigurisht vota e Brexit ishte fitore e ngushtë, më shumë të mobilizuar ishin kundërshtarët e Brexit, të tjerët qëndruan në shtëpi, duke menduar, se do të mjaftojë edhe pa mua, ndoshta është menduar. Edhe Trump përfitoi nga sistemi amerikan i votimit, ndërkohë që në bazë të numrit absolut të votave ai përfaqëson më pak se gjysmën e amerikanëve. AfD në Gjermani dhe Front National janë ende në opozitë. Por ajo që e bën mjaft të rrezikshme zhvendosjen në skaj djathtas të politikës, ndryshimin e normave dhe atmosferën shoqërore në SHBA dhe Europë është urrejtja e hapur ose e nënkuptuar e populistëve ndaj shtetit, demokracisë dhe elitave shoqërore, multinacionalitetit dhe mediave.

Kur e drejta bëhet padrejtësi, rezistenca kthehet në detyrim

Fundjava që kaloi pasqyron nga Uashingtoni në Nju Jork, Boston, Sidnei, Londër, Paris - edhe Koblenc - një realitet tjetër: protestën, protestën masive kundër qëndrimit të thjeshtëzuar, shpjegimeve sempliste për botën dhe nxitësve të së keqes. E nëse demokracia duhet të jetë më shumë, se një koncept akademik në shkolla, atëherë ajo duhet të provojë veten tani, kudo: në parlamente, në media dhe në rrugë.

 

Ju mund të jepni opinionin Tuaj në fund të këtij artikulli. Ne ju mirëpresim!