1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Belgjika një shtet i dështuar?

Barbara Wesel24 Mars 2016

Që nga koha e sulmeve të Parisit është folur për Belgjikën si një "failed state" (shtet i dështuar) dhe djep të terrorizmit. Shteti i përçarë ka bërë gabime, por kjo nuk është e gjithë e vërteta, mendon Barbara Wesel.

https://p.dw.com/p/1IIez
Belgien Brüssel Flughafen Zaventem nach Anschlag Sicherheit Untersuchung
Fotografi: Reuters/G. Vanden Wijngaert

Ne prej muajsh e dimë se terroristët banojnë në Molenbeek, si dhe në Anderlecht apo Schaerbeek - të gjitha këto pjesë të Brukselit. Por atentatorë dhe njerëz që kanë të bëjnë me sulmet mund të fshihen edhe në qytetet e tjera. E dimë po ashtu se policia në Bruksel është e ndarë në gjashtë autoritete të ndryshme, të cilat nuk bashkëpunojnë mes vete me shumë dëshirë. Dihet që hetuesia antiterror ka 750 vende, por vetëm 150 prej tyre janë të punësuar. Një kaos organizativ, i cili është shkaktuar si pasojë e ndarjes së vendit mes flamandëve dhe valonëve.

Terrori nuk mund të evitohet në tërësi

Me një bashkëpunim më të mirë qe e mundur të arrestohej më parë ndonjë prej vrasësve. Por të gjesh të gjthë anëtarët e një rrjeti terrorist është e mundur vetëm me vendosjen e një shteti me mbikqyrje totale. Turqia apo Rusia tregojnë se ky argument nuk është i mundur dhe se probleme me aparatin e sigurisë kanë edhe shtetet autokratike dhe jo vetëm demokracitë e mëdha.

Kur një ministër i shërbimeve sekrete izraelite kritikon belgët se "ata po hanë shumë çokollata për të shijuar jetën", në vend se të koncentrohen tek siguria, atëherë vetëm mund të qeshësh. As vendi i tij i armatosur deri në dhëmbë, nuk ka mundur të evitojë sulmet terroriste idividuale. Edhe kryeministri polak e ka gabim kur thotë se vendi i tij nuk do të marrë asnjë refugjat, për shkak të këtyre sulmeve. Atentatorët nga Brukseli janë kryesisht me nënshtetësi belge, nga prindër të ardhur para dhjetëra vitesh. Terrroristët janë në mesin tonë, prej kohësh.

Barbara Wesel
Barbara Wesel

Nuk duhet të ketë tolerancë

Përgjigje nuk mund të jetë papunësia e të rinjve dhe problemet sociale. Nuk është varfëria ajo e cila i detyron ata të bëjnë bomba, por është një mesazh i formës antiperëndimore e fesë së radikalizuar islame. Kjo urrejtje është përhapur prej vitesh në Belgjikë, duke filluar prej salafistëve dhe ideologjisë së tyre, e cila dëgjohet në shumë xhami belge.

Në Belgjikën kryesisht katolike, prej kohësh mbretëron bindja se myslimanët duhet të jetojnë sipas dokeve të tyre. Kjo ka mundësuar që përhapësit e urrejtjes këtu në veçanti kanë mundur të përhapin urrejtje. Është krijuar një shoqëri paralele, ku mbizotëron urrejtja ndaj shoqërisë perëndimore dhe shtetit. Këtu mund të gjenden edhe simpatizantët e terroristëve që strehojnë vrasësit.

Lufta kundër urrejtjes

Në Belgjikë dhe gjithandej ku ka një popullatë të madhe myslimane, duhet të përfundojë toleranca e rrejshme. Duhet të përfundojë hezitimi i përballjes me disa aspekte të islamizmit dhe atyre që përhapin urrejtje. Kjo nuk ka ndodhur deri tani për shkak të kujdesit politik. Masat e këtilla duhet të shtrihen prej kontrolleve në xhami, përmes strategjive kundër radikalizimit e deri tek përndjekja e të kthyerve nga lufta e IS.

Të gjitha këto janë masa kontestuese dhe të rënda. Por është mundësia e vetme, për të luftuar terrorin. "Zoti nuk ka nevojë për vrasës", thuhet në një koment të një gazete të madhe gjermane. Ky është mesazhi që duhet të përhapin edhe vetë myslimanët dhe të cilin qeveria në Belgjikë duhet ta shndërrojë në program të saj.