1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: BE nuk duhet të ndërpresë negociatat me Turqinë

Vizita e presidentit të Parlamentit Evropian Martin Schultz në Ankara erdhi në momentin e duhur. Por nuk mjaftojnë vetëm fjalët. Duhet të hapen disa kapituj, mendon Baha Güngör.

Kritika nga Ankaraja për mangësinë e reagimit të shpejtë dhe të vendosur të Bashkimit Evropian pas puçit ushtarak në Turqi ka qenë e ashpër. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe qeveria e tij mendojnë se BE nuk ka reaguar si duhet dhe nuk ka treguar solidaritetin e duhur. Ndërsa qeveria turke është larguar ndërkohë në emër të sigurisë në vend, hap pas hapi nga respektimi i vlerave të demokracisë moderene, të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias.

Martin Schulz duhej të kryente një mision shumë të ndjeshëm dhe ka theksuar se pritjet e BE nga Turqia nuk do të zvogëlohen, nëse Turqia synon heqjen e vizave. Turqia duhet të plotësojë 72 kushte - ndër to edhe lehtësimin e ligjit anti-terror, gjë që nuk është bërë.

Kryeministri i Turqisë Binali Yildirim ka të drejtë shikuar nga këndvështrimi turk: në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund të ndryshojë ligji për mbrojtje nga terrorizmi. Në periudhën e operacioneve edhe jashtë vendit, me apo pa pëlqimin e partnerëve si SHBA, kundër "Shtetit Islamik" në Siri, si pasojë e sulmeve të tmerrshme terroriste në Turqi, nga qeveria dhe presidenti do të kuptohej si dobësi nëse e pezullojnë këtë ligj. Ndaj kërkesat e BE nuk po realizohen.

Baha Güngör

Baha Güngör

Në anën tjetër, BE nuk mund t'i lejojë vetes që të liberalizojë vizat pa u plotësuar kushtet. Përderisa Turqia me më shumë se 100 gazetarë të burgosur zë vendin e parë në botë, Evropa nuk mund t'i nënshtrohet kërkesave të Ankarasë që në emër të masave më të ashpra të heqë dorë nga vlerat demokratike. Yildirimi ka deklaruar në një konferencë të përbashkët me Schulzin se të gjithë gazetarët, shkencëtarët dhe intelektualët e arrestuar kanë punuar si "mbështetje logjistike" e organizatave terroriste.

Versioni më i shkurtër i Martin Schulzit ishte që duhet të marrë fund kakofonia mes BE dhe Turqisë. Vija e kuqe e BE në negociatat me Turqinë është e qartë: respekimi i të drejtave të njeriut, lirisë së shtypit dhe shprehja e lirë e mendimit. Këtë linjë do ta mbështesin edhe përfaqësuesit e tjerë në Bruksel, Federica Mogherini dhe Johannes Hahn si dhe Elmar Brok.

Por benzinë zjarrit i kanë hedhur eurodeputetët që kërkojnë përfundimin e negociatave për anëtarësimin e Turqisë në BE. Pikërisht për këtë shkak, sa më parë duhet të hapen kapitujt 23 dhe 24 për çështjet juridike, të drejtat elementare, lirinë dhe sigurinë. Me Turqinë duhet të negociohet për këto gjëra. Dështimi i politikës evropiane ndaj Ankarasë mund të ndihmojë vetëm nacionalistët në BE dhe në Turqi.