1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: BE-ja i trëmbet një Italie të çoroditur

Kriza qeveritare në Itali nuk është thjeshtë folklor italian, por ajo rrezikon seriozisht luftimin e krizës së euros. Por për kaosin në Itali nuk është përgjegjës vetëm Berlusconi, komenton Bernd Riegert.

Vetëm pesë muaj ia doli të rezistojë koalicioni i gjerë në Itali i përbërë nga socialdemokratët dhe konservatorët. Pasi zgjedhësit në shkurt nuk i dhanë shumicën e votave asnjërit kamp duke imponuar në këtë mënyrë lidhjen e padëshiruar mes së majtës dhe partisë së ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, kryeministri Enrico Letta ndërmori në prill një nismë pothuajse të pamundur: qeverisjen e qëndrueshme të Italisë dhe nxjerrjen e saj nga kriza dramatike ekonomike.

Tani qeveria dështoi kryesisht prej qëndrimit të papërgjegjshëm dhe egocentrik të Silvio Berlusconit. I dënuari për evazion fiskal kapet fort pas postit të tij në senat, i bën presion qeverisë duke shfrytëzuar partinë e bindur të tij, të cilën ai e drejton sikur të ishte një sipërmarrje private. Berlusconi, i cili të dielën (29.09.2013) mbushi 77 vjeç, i tërhoqi ministrat e tij nga kabineti, sepse senati do ta zbatojë vendimin, që ka hyrë ligjërisht në fuqi kundër tij. Berlusconi i drejton fijet me gjakftohtësi të plotë, pa marrë parasysh dëmin, që i shkaktohet Italisë e ndoshta edhe të gjithë Europës. A mos vallë ai është çmendur, gjë që e hamendësojnë jo vetëm kryeministri Letta dhe shefi i shoqatës së sipërmarrjeve italiane?

Deutsche Welle Bernd Riegert

Bernd Riegert, analist i DW për temat europiane

Koalicion pa bazë

Ndërsa Berlusconi rrapëllin në skenën e madhe, në prapaskenën e teatrit politik në Romë qysh në fillim ishte e qartë: Se konceptet e politikës ekonomike dhe fiskale të së majtës nuk përputhen aspak me ato të së djathtës. Deri më sot qeveria nuk ka mundur të realizojë asnjë vendim të rëndësishëm. Rritja e planifikuar e taksës mbi vlerën e shtuar dhe rregullorja e re për taksën e pasurive të patundshme vazhdojnë të zvarriten. Italia çalon sa u përket planeve më të rëndësishme për reformat. Iniciativa kundër papunësisë nuk ka.

BE-ja në maj e pezulloi procesin e masave ndaj deficitit buxhetor kundër Italisë. Tani duket se Italisë sërish do t’i duhet të bëjë më shumë borxhe nga sa është planifikuar. Në tetor do të trokasë ora e së vërtetës, kur komisioneri i Financnave Olli Rehn të paraqesë shifrat dhe do të verifikojë buxhetin e Italisë për vitin e ardhshëm. Ndonëse është e paqartë, nëse ka në fakt një projektbuxhet pa një qeveri të aftë për të vepruar në Romë.

Edhe pse në Bruksel ende askush nuk është shprehur, në institutcionet, kryesisht në ato të 16 partnerëve të zonës së euros, mbizotrëon indinjata dhe nuk ka aspak mirëkuptim për kaosin në Itali. Të dhënat ekonomike për Italinë sapo ishin përmirësuar disi. E tani papritur partitë sikur s’kanë punë tjetër më të mirë për të bërë, sërish e çojnë vendin drejt paralizës disa mujore.

Shtangie në Europë

Tregjet e financave prej një viti po i lenë hapësirë Italisë që ta rimarrë veten. Banka Qendrore Europine (BQE) i ka blerë bonot italiane të thesarit dhe vazhdon të garantojë për ndërhyrje të mëtejshme. Por pikërisht qysh nga e premtja sërish u rrit çmimi, që duhet të paguajë Italia për borxhet e dala jashtë kontrollit. Suplementi për riskun "il spread", që Berlusconi në fushatën elektorale e damkosi si një shpikje gjermane, është tani realitet. Interesat brenda një kohe të shkurtër mund t’i marrin frymën Italisë. Kriza vetëm se ka rënë në gjumë, por kurrsesi ajo nuk është kapërcyer.

Nëse Italia ndodhet sërish në gjendje të keqe, atëherë edhe pjesa tjetër e Europës Jugore do të vuajë. Në fund kriza sërish mund të përfshijë të gjithë zonën e euros. Vendet veriore duhet të japin më shumë para dhe garanci për ta stabilizuar Italinë.

Italia para zgjedhjeve të reja

Në nëntor 2011 kryetarët e shteteve dhe të qeverive e imponuan largimin e kryeministrit Berlusconi nga posti, sepse Italia po rreshkiste me vrull drejt humnerës për shkak të politikës financiare. Por as kjo ndërhyrje masive nuk ndihmoi. Berlusconi vazhdon t’i ketë në dorë levat e komandimit. Gjendja në Itali u përmirësua lehtë. Brukseli është i shtangur.

Si rrjedhojë politikanët europianë ditët e fundit me të gjitha mundësitë u përpoqën t’i bindnin aktorët në Itali, që të mos zhyten sërish në një krizë qeveritare. Por ishte shumë vonë. Kriza qeveritare është e pranishme dhe ajo për disa muaj do të kurorëzohet me zgjedhje të reja. Deri atëherë presidenti Napolitano sërish duhet të mandatojë një qeveri teknokratësh. Ky do të ishte mjeti i fundit, për ta shmangur përhapjen e krizës italiane në shtetet e tjera të zonës së euros. Por edhe një qeveri teknike nuk mund të rezistojë më shumë se një vit.

Berlusconi ante portas?

Në Itali tri kampet politike qëndrojnë të papajtueshëm kundrejt njëri-tjetrit: Socialistët, pasuesit e Berlusconit dhe ithtarët e nihilistit Beppe Grillo. Se ç’qëndrim do të mbajnë tani "Grillinit", zgjedhësit e zhgënjyer të protestës, është krejt e paqartë. Grillo vazhdimisht ka parathënë, se sistemi italian do të asgjësojë vetveten, përpara se të krijohet diçka e re. Me sa duket ai ka pasur të drejtë.

Por kampi i Berlusconit është më i fortë nga ç’mendojnë shumë jashtë Italisë. Pothuajse një e treta e zgjedhësve në shkurt, pavarësisht skandaleve dhe aferave pa fund, votuan për Berlusconin. Politikani i ngritur nga varri do ta themelojë rishtas partinë e tij të vjetër "Forza Italia" dhe do të bëhet sërish kryeministër në zgjedhjet e ardhshme.

Në interesin e Italisë dhe të Europës duhet vetëm të shpresohet, që plani i Berlusconit të mos realizohet. Italia mund të qeveriset vetëm, nëse kundërshtari i euros Beppe Grillo vihet në lëvizje, ose nëse krahu i politikës reale të „Grillinive“ bashkohet me të majtën.