1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Koment: Banka Qendrore Evropiane ndihmon partitë e majta

Reformat e politikës ekonomike janë të mundimshme- dhe mbase shumë të dhimbshme për disa nga vendet e krizës. Por paratë e Bankës Qendrore Evropiane mund t'i bëjnë mendjelehta këto vende, mendon Barbara Wessel.

Për ta bërë të qartë: Mario Draghi, shefi i Bankës Qendrore Evropiane sigurisht që nuk e deshi këtë efekt. Kjo në një kohë kur prej ditësh dihej se koha e shpalljes së një injeksioni gjigand për eurozonën ishte të paktën delikate: një masë e tillë e politikës financiare tri ditë para zgjedhjeve në Greqi nuk do të mbetej pa pasoja.

Nga kampi i shefit të Syrizas, Alexis Tsipras ka ditë që shpërndahet ngazëllimi se më në fund, Banka Qendrore Evropiane do t'i ndihmojë grekët e varfër. Tani ka ardhur momenti për t'u çliruar nga borxhet, për t'i dhënë fund politikës së kursimit dhe për ta ndihmuar që të rritet ekonominë greke. Tsipras madje e shpjegoi si e përfytyron këtë punë: në lidhje me blerjet e huave nga BQE, me metoda teknike borxhet e Greqisë thuajse mund të zhduken në atë masë, sa të mos rëndohen takspaguesit evropianë.

Si do të funksionojë në realitet kjo magji, nuk u bë shumë e qartë. Por vetë lajmi se Banka Qendrore Evropiane "do të shtypë para" solli ndjenja lumturie në Athinë. Tani mund të investohen menjëherë 11 miliardë Euro, për të kthyer mbrapsht masat e qeverisë së mëparshme, të kthehen nëpunësit e shtetit dhe të hiqet tatimi mbi pasurinë e patundshme, që do të sillte para në arkën e shtetit. Syriza shpreson tani që financimi do të vijë nga Frankfurti, ku që nga marsi do të nisë noti në detin e parave.

Qeveria në Berlin dhe Komisioni i BE vërtet që kundërshtuan në kohë: që Eurozona mund të jetojë edhe me Greqinë, që marrëveshjet e nënshkruara duhet të respektohen etj. Trilionat e eurove që do të vërshojnë deri në vjeshtën e 2016-ës në Eurozonë bëjnë që edhe ministri aktual i Financave të Greqisë të thotë se është e padrejtë ta ndëshkosh Greqinë për varësinë e saj dhe ta përjashtosh nga lumi i parave.

Efekti e kalon Greqinë: edhe në Spanjë, partia që po forcohet, Podemos, kërkon t'i jepet fund planit të kursimeve. Vetëm se asnjëri nga heronjtë e rinj në Madrid ose në Athinë nuk e ka bërë të qartë si duan të sigurojnë rritjen e mëtejshme të ekonomisë. Synimi i deklaruar është që Evropa të riorganizohet duke nisur nga jugu, për të pasur një qeveri të majtë pas tjetrës, të cilat ta flakin diktatin gjerman të kursimeve.

Ky mund të jetë pa dyshim rezultat i zgjedhjeve demokratike. Vetëm se deri tani mungojnë planet si duan të rimëkëmben ekonomitë me probleme të vendeve në krizë, kur të mos jetë më e mundur që kancelarja Angela Merkel të paraqitet në politikën financiare si gogol për të trembur fëmijët. Në Itali, Mateo Renzi ka premtuar shumë nga reformat e nevojshme për vendin e tij, po deri tani thuajse nuk ka ofruar gjë. Në Francë Presidenti Hollande ka avancuar në rastin më të mirë një metër- para tij ka ende edhe një gjysmë maratone.

Vendet e krizës marrin para për të investuar, arrijnë të sjellin pak rritje ekonomike dhe vazhdojnë kështu si deri tani. Mario Draghi mund të protestojë sa të dojë: është më se e mundur që kështu do të vinë punët.