1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Ata britanikët nuk janë në rregull nga mendja

Në Britaninë e Madhe nisi zyrtarisht fushata elektorale për referendumin për BE. Përfundimi i referendumit është fare i hapur. Pavarësisht se kush fiton, Cameron nuk e ka mbuluar veten me lavdi, mendon Rob Mudge.

Po, Mbretëria e Bashkuar dhe Evropa kontinentale kanë një të kaluar të trazuar dhe kanë lënë pas disa përplasje. Konflikti nëse britanikët do të mbeten në BE ose jo premton që të kthehet në një aventurë tjetër epike. Zyrtarisht fushata për referendumin nisi të premten (15.04.), por le të flasim hapur: burimi i të gjitha të këqiave midis britanikëve dhe pararendësve të BE duhet kërkuar në vitin 1984, kur Margaret Thatcher-i e acaroi skajshëm grindjen e saj të famshme e famëkeqe me Komunitetin Ekonomik Evropian për sasinë e kontributeve britanike. Në një krizë legjendare zemërimi në takimin e nivelit të lartë në Fontainebleau ajo ua vërviti simbolikisht çantën e saj kolegëve evropianë.

Që prej kësaj kohe, raporti midis britanikëve dhe BE karakterizohet njëkohësisht nga dashuria dhe urrejtja. Megjithatë: shumë dashuri, veçanërisht në Bruksel nuk sheh. Në sipërfaqe atje shikon vërtet skërmitje dhëmbësh për referendumin dhe frikë për pasojat e një Brexit për BE. Sepse për fuqinë rrezatuese ndërkombëtare të projektit evropian dhe për vizionin e një superfuqie politike dhe ekonomike Evropë, dalja e Britanisë së Madhe nga BE do të ishte një katastrofë.

A kemi nevojë vërtet për britanikët?

Por po të gërmosh pak më thellë, vë re se shqetësimet duken artificiale. Francezët, siç e kanë zakon, demonstrojnë qendrimin e tyre moskokëçarës: në rast dyshimi, ata preferojnë të shpëtojnë më mirë sot se nesër nga britanikët e bezdisshëm, për t'i çimentuar pretendimet e tyre për pushtet brenda BE dhe për ta vënë sërish në lëvizje motorin gjermano-francez që punon me defekte.

Përsa i përket Gjermanisë: si drejtuese faktike e Evropës, Merkeli duhet ta mbështesë të paktën formalisht planin e David Cameronit për ta reformuar monstrën burokratike në Bruksel. Por a nuk është kjo më tepër një manovër mashtrimi? Gjermanisë i duhet Britania e Madhe për t'i theksuar ambiciet e saj në Bruksel po kaq pak sa i duhet Berlinit dikush tjetër në BE - të paktën po kaq pak sa i beson dikujt tjetër - për ta zgjidhur çështjen e refugjatëve sipas kuptimit të saj (Të gjithë ne e dimë se të kujt ishin ideja dhe iniciativa për të bërë marrëveshjen me Turqinë).

Cameroni e di se me referendumin, në vend që të vinte vetulla nxorri sytë, si për vete ashtu edhe për vendin e tij. Ky ndërgjegjësim i erdhi ngadalë dhe ka bërë që javët e fundit ai të përpiqet si i marrosur ta mbajë në kontroll gogolin dhe që mundësisht ta kthejë pas skenarin "duam të mbetemi jashtë".

Taktikat e Cameronit

Para pak ditësh ai shkroi një koment si i ftuar në "Daily Telegraph", ku përshkruan me hollësi dhe me detaje se pse një Brexit "do të ishte i panevojshëm dhe i rrezikshëm". Kur lexon këtë e pyet veten se pse nuk luftoi që para disa vitesh me kaq angazhim dhe përkushtim për qëndrimin në BE Cameroni.

A qenë këto të gjitha taktika, për të qetësuar anëtarët e partisë së tij që ngrenë krye? Në këtë rast i bie që Cameroni të ketë pozitë shumë të dobët në partinë e tij, që i hyn një rreziku të tillë. Veç kësaj: sjellja e tij ngurruese dhe kursi me zikzake në aferën e Panama Papers e kanë dëmtuar edhe më shumë besueshmërinë dhe prestigjin e tij.

Askush nuk është ishull

Për fat të mirë, shumica e britanikëve tregohen më tepër të arsyeshëm, se sa beson Cameroni dhe nuk e ndjekin atë pas. Vërtet, përparësia është e vogël - por në shumicën e sondazheve mbështetësit e BE janë përpara.

Robert Mudge Kommentarbild App PROVISORISCH

Robert Mudge

Mbretëria e Bashkuar është krenare për ekzistencën e saj si ishull, krenare për aftësinë për t'u treguar gjoksin rrethanave të vështira, krenare për rolin e personit të jashtëm në Evropë. Dhe ka çdo të drejtë për këtë, pavarësisht ironisë, me të cilën britanikët përballen në Bruksel, kur gjërat ecin ters. Por këtu qendron vështirësia, siç e kuptoi atë në shekullin e 17-të shkrimtari John Donne, i cili shkroi "Askush nuk është ishull". Gati më të rëndësishme janë fjalët që pasojnë:"...në vetvete krejtësisht; çdo njeri është pjesë e kontinentit. Kur një copë e merr deti, Evropa bëhet më e pakët."