1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Asnjë arsye për gëzim

Qeveria e re mori detyrën, kancelarja Merkel dhe ministrat e saj të martën u betuan. Por për demokracinë në Gjermani, kjo nuk është një ditë e mirë komenton Bettina Marx.

Më në fund! Gjermania e ka sërish qeverinë! Pas një faze të ndërmjetme jashtëzakonisht të gjatë, prej gati tre muajsh, që nga koha e zgjedhjeve parlamentare, kabineti i ri betohet, koalicioni i madh mund të fillojë nga puna. Dhe ai madje duhet t'ia nisë menjëherë nga puna, pasi shumë projekte nuk durojnë dot asnjë shtyrje.

Republika Federale e Gjermanisë, vendi më i fuqishëm ekonomik i Europës, motori politik i Bashkimit Europian dhe "një global player" - lojtar global në parketin ndërkombëtar duhet të jetë e gatshme për veprim shumë shpejt. Koalicioni i konservatorëve me socialdemokratët, që mund të qeverisë me një mazhorancë kaq të fortë, duhet të zgjidhë probleme, që nuk u zvogëluan në kohën e stanjacionit si: kriza e euros, infrastruktura gjermane e plakur dhe në nevojë urgjente për t'u rinovuar, problemet në arsim në universitete, thellimin e hendekut mes të varfërve dhe të pasurve, dhe së fundmi por jo i fundit, megaprojekti i kthesës energjitike. Kësaj i shtohen sfidat e politikës së jashtme, të cilat kërkojnë një qeveri të fortë dhe të mençur në veprime: Kriza në Ukrainë, katastofa e refugjatëve në Lindjen e Afërt, grindja për programin atomik iranian, dhe humbja e besimit kundrejt Shteteve të Bashkuara.

Qeveri e re me surpriza

Qeveria e re që duhet të përballojë gjithë këtë barrë detyrash, ofron disa surpriza, që të bëjnë të shpresosh se në katër vitet e ardhshme ka për të ndryshuar diçka. Një grua e fortë zgjidhet kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, një grua, tek e cila mund të kesh besim se do t'i vërë shpatullat aparatit të komplikuar. Një jurist i ri dhe i pakonsumuar si ministër Drejtësie, i cili me autoritetin e këtij sektori të rëndësishëm do të kujdeset për mbrojtjen e konsumatorit. Një specialist, pak i njohur në krye të Ministrisë së Zhvillimit dhe një ministre shteti për Kulturën, me një prestigj të lartë. Angela Merkel dhe Sigmar Gabriel (SPD) si zëvendëskancelar, të padiskutueshëm qëndrojnë në krye kabinetit të ri dhe në zenit të pushtetit të tyre.

Nuk ka arsye për të festuar

Të gjitha këto duhet të ishin arsye që në Gjermani çdo gjë ndodhet në duar të sigurta. Por nuk të vjen të ndodhesh në një atmosfera festive. Për faktin se nuk mund të gëzohesh për qeveri kaq të pushtetshme. Partitë pas tyre paraqesin një mazhorancë të tillë të fortë në parlament, saqë është i pamundur një kontroll i efektshëm i kësaj qeverie. Opozita duket gati e shtypur nga një koalicion i tillë. Ajo do ta ketë shumë të vështirë të sjellë në parlament projektligje të sajat, dhe t'u prezantojë qytetarëve një alternativë të tjetër. Në legjislaturën e re duket se do të kemi debate të mërzitshme dhe "qeverisje pa ndalur" të rutinuizuar.

Për demokracinë kjo është negative. Sepse ajo jeton nga ballafaqimi dhe nga ndeshja e ideve dhe projekteve të ndryshme politike. Kur shumica e gjermanëve në sondazhe janë pro një koalicioni të tillë, ndoshta kjo tregon më shumë për nevojën për harmoni dhe orientimin drejt konsensusit të shoqërisë gjermane, ose edhe depolitizimin e saj. Për parlamentarizmin, demokracinë dhe për vendin tonë kjo është qeveria më e keqe e të gjitha qeverive të mundshme.