1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Armët janë vetëm një pjesë e problemit

Deputetë demokratë duan të luftojnë sërish me ligje më të ashpra për armëmbajtjen. Kjo bën efekt publik. Por problemet e mirëfillta ajo i ndryshon pak.

Kur politikanë të regjur nuk dinë më ç'të bëjnë përveç se të rrokin armët e lëvizjes qytetare, del e qartë: bëhet fjalë për diçka, që është më e rëndësishme dhe më e madhe se sa gjërat e vogla të përditshme të deputetëve.

Të drejtuar nga John Lewis, i cili ka luftuar që me Martin Luther Kingun për të drejta të barabarta për zezakët, demokratët protestuan para dy javësh për herë të parë me një bllokadë ulur në kongres - për një ditë dhe për një natë të tërë. Këtë të enjte ato duan ta bëjnë këtë sërish, sepse nuk shohin mundësi tjetër që ta detyrojnë kongresin e përçarë për të mbajtur një debat përmbajtësor për kërkesën e tyre për ligje më të ashpra armësh.

Fytyrë e shëmtuar e SHBA

Në këtë luftë Amerika politike shfaq fytyrën e saj më të shëmtuar: këtu del në pah sa i pazoti është bërë ky vend që të miratojë ligje për të mirën e të gjithë njerëzve përtej kufijve partiakë dhe llogarive politike. Dhe jo vetëm për të mirën e supozuar të një partie apo të një politikani të veçantë.

Në rastin konkret bëhet fjalë sa thjesht, ashtu edhe në mënyrë brutale, që ta humbasin jetën pa kuptim më pak njerëz . Mbi 25.000 vetë u vranë vetëm vitin e kaluar, çdo ditë jetën e humbasin shtatë fëmijë nën moshën 12 vjeç, çdo muaj mesatarisht vriten 50 gra nga burrat e tyre. Ndërkohë në SHBA vdesin më shumë njerëz nga armët, se sa nga aksidentet.

Trashëgimia kulturore

E drejta për të mbajtur armë është shkruar në kushtetutën e SHBA. Ky është argumenti kryesor i mbrojtësve të mbajtjes së armëve. Për të huajt kjo është një gjë e huaj, ata nuk e kuptojnë dot. Por ja që e tillë është trashëgimia kulturore: jo të gjitha zakonet shoqërore janë patjetër bashkëkohore. Edhe në Gjermani ka gjëra të cilat nuk i kuptojnë dot shumë të huaj: që me shumë shkaqe edhe historike, edhe shumë të mira, preferohet që të qendrohet larg misioneve ushtarake jashtë vendit. Por njëkohësisht, me eksportet e armëve që rriten çdo vit Gjermania fiton para nga luftërat në të gjithë botën. E sinqertë kjo nuk është.

Për sinqeritet ka kohë që nuk bëhet fjalë edhe në konfliktin në SHBA. Bëhet fjalë për të pasur të drejtë dhe për pushtet në këtë sistem dypartiak në të cilin prej kohësh nuk luftohet më për të gjetur kompromisin më me kuptim.

Çfarë do të thotë kjo për bllokadën aktuale duke ndjenjur ulur? Ndoshta do të shohim sërish pamje të forta, të aktivistëve veteranë të të drejtave të njeriut, të cilët të mbledhur e kalojnë natën në dysheme. Por vërtet këto pamje këtë herë do të impresionojnë këtë herë vetëm ata, të cilët gjithsesi janë të bindur se ligjet duhet të ashpërsohen, kur është fjala për zotërimin e armëve.

Ines Pohl

Ines Pohl

Luftë për më shumë drejtësi

Kjo nuk do të thotë se një aksion i tillë është i gabuar. Por ai duhet të jetë vetëm një pjesë e luftës për kushte më të mira jetese të amerikanëve. Sepse në temën e dhunës së armëve bëhet fjalë gjithmonë edhe për racizëm, për arsim, për padrejtësi sociale dhe për një sistem të pamjaftueshëm shëndetësor. Që para së gjithash në zona të varfra, ku jetojnë shumë të zinj, ndodh shumica e shkëmbimeve të zjarrit nuk është rastësi. Studimet kanë nxjerrë në pah prej kohësh që strukturat shoqërore dhe familjare të shkatërrua ushqejnë dhunën. Dhe çdo studim konfirmon nga e para që shumë doras vuajnë në mënyrë masive nga probleme psikike, që nuk trajtohen, sepse njerëzit kanë sigurime të pamjaftueshme shëndetësore ose nuk kanë sigurime shëndetësore dhe nuk paguajnë dot as diagnozën dhe as trajtimin.

Për këtë nuk mjafton lufta për ligje më të ashpra. Dhe pikërisht demokratët duhet të kuptojnë se lufta deklarative në rrugë për më pak armë nuk bën thuajse asnjë efekt, kur gjithnjë e më shumë njerëz ndihen të braktisur dhe kanë hequr dorë nga ëndrra për të pasur ndonjëherë pjesë në Amerikën e pasur. Prandaj lufta për më pak armë duhet të jetë edhe luftë për më shumë drejtësi.