1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: Aleksis Cipras vendos kundër popullit të tij

Pas të gjitha provokimeve dhe premtimeve të pambajtura ministrat e Financave të Eurgrupit nuk mund të vepronin ndryshe, veçse t’i thoshin “jashtë” qeverisë greke, mendon Barbara Wesel.

Në fund ministrave të Financave të Eurogrupit nuk iu desh më shumë se dy orë për t'i treguar derën homologut të tyre. “Leksioneve” të Janis Varoufakis nuk ua vuri më veshin njëri. Përkundrazi, të 18 anëtarët e tjerë të Bashkimit Monetar mbajtën qëndrim ndaj sjelljes së qeverisë së tij. Ata kishin treguar deri tani me të vërtetë durimin e budistëve me Athinën. Pesë herë në dhjetë ditë ishin thirrur në Bruksel, vetëm për t'u ndeshur me kokëfortësinë dhe fundamentalizmin e radikalëve nga Greqia. Aleksis Cipras dhe ministrat e tij jo vetëm që besonin se do ta kapnin Eurogrupin për hunde, por edhe se do t'i impononin në fund vullnetin e tyre. Apo kryeministri dhe partia e tij SYRIZA nuk dëshironin absolutisht asnjë rezultat në fund. Shumica e ministrave të financave në fund arritën në përfundimin se Athina e ka tepruar shumë, dhe i dhanë fund dramës së përhershme. Kjo to të ishte dashur të bëhej që më parë!

Paturpësia si mjet politik

Menjëherë pas samitit në Bruksel kancelarja gjermane bëri edhe një herë thirrje, që Athina duhet të pranojë ofertën e kreditorëve, e cila sipas saj është jashtëzakonisht bujare. Vetëm disa orë më vonë erdhi përgjigja: Aleksis Cipras njoftoi për referendumin në një fjalim televiziv dhe i rekomandoi popullit të tij që ta refuzojë propozimin.

Barbara Wesel

Barbara Wesel

Nga këndvështrimi diplomatik kjo është paturpësia më e madhe, që mund të imagjinohet. Sepse në mesditën e së njëjtës ditë ai kërkoi edhe një herë biseda private me Merkel dhe me presidentin francez Hollande. Nga sa bëhet e ditur ai nuk u kishte treguar asgjë nga planet e tij atyre të dyve. Pastaj në mbrëmje pati një telefonatë me Berlinin, që nuk ndryshoi më asgjë. Ndërsa Angela Merkel deklaroi se ka akoma shpresë për një rezultat pozitiv, homologu i saj grek duhet ta kishte përpiluar prej kohësh planin, për të hedhur në erë bisedimet shumëmujore.

Pretendime të mëdha dhe paturpësi

Kjo qeveri greke ka shkelur që në fillim çdo rregull politik dhe diplomatik. Nuk është fjala vetëm për mënyrën e pasjellshme dhe direkte revolucionare. Përfaqësuesit grekë silleshin me arrogancë dhe paturpësi, dheishte e pakuptueshme se ku bazoheshin pretendimet e tyre pa kufi. Në fakt ato dëshironin financimin e qeverisë së tyre nga taksapaguesit evropianë, pa kufi kohor dhe pa kushte. Vendet e tjera evropiane duhej të pranonin edhe fyerje. Vetëm se është mungesë zgjuarsie, që i dehur nga retorika jote të vësh në pozitë të vështirë vendin tënd.

Cipras bën pazar me interesat e Greqisë

Alexis Cipras po e çon Greqinë në humnerë jo vetëm se nuk ka mundësi tjetër, por edhe nga vaniteti dhe obsesioni për pushtet. Eurozona nuk donte t'i nënshtrohej kërkesave të tij, tani ai rrezikon që ta çojë vendin drejt dëshimit dhe jashtë euros. Kjo është më shumë se e papërgjegjshme, sepse ka muaj që qytetarët e tij kanë treguar në anketime, se ai nuk ka mandat diçka tillë. Po t'i rrihte zemra për të mirën e popullit të tij, do ta kishte pranuar ofertën e fundit të kreditorëve. Ajo do t'i kishte dhënë kohë deri në nëntor, për ta çuar përsëri në këmbë ekonominë. Tani ai vendos për të majtët radikalë të partisë së tij dhe ideologjinë e tyre kundër popullit. Ai do të hyjë në histori si një tjetër kryeministër grek, i cili ka dështuar tërësisht në detyrë në fund akoma më keq se paraardhësit e tij. Nëse nuk ndodh një mrekulli, Greqia rrezikohet tani të bjerë në kaos dhe në falimentim shtetëror Greket duhet ta largojnë sa më parë Ciprasin dhe qeverinë e tij.