1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Koment: Ai që po i shkund gjermanët nga gjumi

Gjysma e mandatit të presidentit Joachim Gauck ka kaluar. Pas mundimeve të fillimit presidenti tani është në rrugën e suksesit, mendon Ralf Bosen.

Kur Joachim Gauck para dy vitesh e gjysëm mori këtë post, pritjet ishin të mëdha. Prifti i dikurshëm protestant dhe aktivisti i të drejtave të njeriut kishte namin e një oratori elokuent, që flet edhe të vërteta të pakëndshme. Një njëri, që mund të fitojë të tjetrët njëherësh me sharm dhe ndjeshmëri, por kur është nevoja, nuk druhet as nga mosmarrëveshjet me të fuqishmit. Siç debatoi me kancelarin Helmut Kohl në kohën, kur ishte shef i zyrës për dokumentat e Stasit, sepse Kohl nuk e vlerësonte hapjen e dosjeve të Shërbimit Sekret të RDGj-së.

Gauck nuk tregohet i ashpër si dikur

Këtë njerëzit e kërkuan më kot nga Gauck në fillim të mandatit të tij. Sigurisht: Ai mbajti fjalime të mënçura, politikisht korrekte. Por ata ishin shumë të buta dhe nuk i emociononin gjermanët fare. Në vend që të tregohej i ashpër, Gauck u zbut. Ndonjë qytetar duhet të ketë menduar me vete, nëse banori i ri në pallatin Bellevue do të ishte i treti president gjerman, që do të dilte si person jo i përshtatshëm për këtë post. Prestigji i postit të presidentit gjerman kishte rënë shumë për shkak të dorëheqjeve të Horst Koehler-it dhe sidomos të Christian Wulff-itj. I pari u largua shumë shpejt, i dyti tepër vonë.

Gauck mban fjalimin për 75 vjetorin e luftës së Dytë Botërore

Gauck mban fjalimin për 75 vjetorin e luftës së Dytë Botërore

Por 74 vjeçari sot në gjysmën e mandatit të tij ka kohë që ka dalë nga hijet e paraardhësve të tij. Kush e vështron sot Gauck-un, përjeton një president të sigurtë, i cili e shijon rolin e tij. Gauck hyn me shkathtësi në linjat e mëdha politike, pa rrëshqitur në thellësitë e politikës së ditës. Gauck i bën mirë Gjermanisë! Presidenti gjen fjalë të qarta, aty ku kancelarja hesht, ose mbetet e paqartë. Me këtë janë dakord të dy. Në vend të konkurrencës mes dy politikanëve të lartë, gjermanët e habitur përjetojnë të kundërtën: Një duo që e plotëson perfekt njëri-tjetrin me një ndarje të punës për t'u admiruar. Nga njëra anë pragmatikja Angela Merkel, që i trajton problemet me saktësi shkencore dhe qetësi të ftohtë. Nga ana tjetër Joachim Gauck, i cili kërkon qasje direkte dhe luan me mjeshtëri në tastierë e emocioneve.

Kritikë ndaj Rusisë dhe Turqisë

Gauck është në formë, që kur ai ka gjetur temat kryesore të presidencës së tij: Roli i Gjermanisë në botë dhe konfliktet e mëdha të kësaj kohe. Ai kritikoi ashpër Rusinë, dhe në lidhje me çështjen e konfliktit në Ukrainë ai tha se "koncesionet territoriale shpesh vetëm shtojnë oreksin e agresorëve." Mbështetësit ekstremit të djathtë NPD i quajti "të çmendur" dhe kursin e Rexhep Taip Erdoganit, që u zgjodh president i Turqisë e quajti "kërcënim për demokracinë". Në Konferencën e Sigurisë e Mynihut ai me të drejtë mbrojti pikëpamjen se Gjermania me peshën e saj ekonomike duhet të angazhohet më herët dhe më me vendosmëri në krizat ndërkombëtare. Edhe me mjete ushtarake. Në këtë çështje opinioni është i ndarë. Kjo çështje dominoi për ditë të tëra titujt e gazetave dhe dëshmoi përfundimisht se Gauck nuk dëshiron që të përfaqësojë vetëm një president të rehatshëm.

Ralf Bosen

Ralf Bosen

Që ai shkakton debate të rëndësishme me deklarata të tilla, është për t'u përshëndetur. Presidenti Federal është ai që po zgjon nga gjumi, për një gjë të tillë ka nevojë urgjente Gjermania në kohën e koalicionit të gjerë. Përndryshe Republika Federale E Gjermanisë mund të paralizohej nga politikat e konsensit gjithëpërfshirës të partive të mëdha dhe taktikës së ngadalësimit të Merkelit. Gjermanët falenderojnë kryetarin të tyre të shtetit duke e vendosur atë rregullisht në majë të shkallës së popullaritetit, menjëherë pas kancelares.

Një mbrojtjës i lirisë

Tani që forcohet kursi i suksesit të Gauck-ut, ngurrimi i tij fillestar duket tani në retrospektivë si një studim i zgjuar i terrenit politik dhe social. Por jo në gjithçka ai ka qenë i suksesshëm. Shumë do të kishin dashur që Gauck të kritikonte më qartë SHBA për shkak të çështjes NSA. Kjo do të kishte qenë e pritshme pikërisht nga një ish-qytetar i RDGJ, tema e madhe e të cilit ka qenë liria. Në vend të kësaj ai nuk tha pothuajse asgjë.

Por kjo nuk e dëmton imazhin në tërësi. Gauck është në rrugën e duhur për t'u bërë një president shumë i mirë. Madje ndoshta edhe një i Madh!? Për një paraqitje dinjitoze në historinë gjermane atij i duhet skena e përshtatshme: Kundërshtarë, nga përplasjets me të cilët do të bëhet më i fortë, konflikte në të cilat ai mund të provojë veten. Potencialin dhe kohën për to Gauck i ka. Dhe kush shikon vetëm një emision lajmesh në këtë kohë të trazuar, e kupton shumë shpejt, se skena për të është gati.