1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: Afrika i përvidhet përgjegjësisë

Vdekja e mijëra refugjatëve në Mesdhe ditët e kaluara ishte ngjarja që dominoi në lajme. Jo vetëm Evropa, por para së gjithash qeveritarët e Afrikës duhet të veprojnë më në fund, mendon tanzanezja Assumta Lattus.

Ndoshta ju prisni që unë, si afrikane, të jem e zemëruar me Evropën - siç janë me sa duket shumë evropianë. Por e zemëruar unë jam në radhë të parë me qeveritarët e Afrikës dhe me faktin që ata i lajnë duart nga përgjegjësia.

Evropë, ne nuk kemi nevojë për keqardhjen tënde

Nuk më besohet që me sa duket askush në qeveritë afrikane nuk preferon të mbajë bashkëpërgjegjësi për një zgjidhje të krizës. Politikanët e Evropës kërkojnë zgjidhje, duan t'i përmirësojnë kushtet e jetesës në vendet e origjinës së refugjatëve. Por me sa duket ata e kanë humbur shpresën, që qeveritë e Afrikës do t'i ndihmojnë, t'i gjejnë këto zgjidhje.

Ne afrikanët nuk kemi nevojë për keqardhjen e evropianëve. Ajo për të cilën kemi nevojë më tepër është një besim nga ana e partnerëve tanë se do t'i zgjidhim vetë punët.

Po, është e saktë, Evropa përfiton nga varfëria dhe pagat e ulëta në shumë vende të Afrikës. Po, flotat evropiane të kapjes së peshkut i plaçkitin tabanet dikur të pasura me peshk të brigjeve të Afrikës. Kakao, fruta, perime dhe lule për t'i këputur rriten në kontinentin tim dhe eksportohen në Evropë. Por ne afrikanëve na duhet të qendrojmë jashtë, mundësisht ne nuk duhet t'u vemi pas mallrave tona të eksportit.

Afrika nuk vepron

Që kur qeveritë evropiane nisën të merren seriozisht me fenomenin e migracionit në vitin 2013, qeveritarët e Afrikës kanë mbajtur vetëm një konferencë për këtë temë. Unë nga ana ime kam dyshime të mëdha nëse nga këto takime do të zbatohet ndonjëherë në praktikë qoftë edhe një rekomandim i vetëm. Afrika duhet ta kuptojë eksodin masiv si problem afrikan, nëse duam të kemi një zgjidhje. Mua më vjen turp që jam afrikane dhe më vjen turp për qeveritë në Afrikë. Unë dua që tema "migrim" të jetë fare në krye të agjendave të takimeve të shumta të Bashkimit Afrikan dhe të grupeve të shteteve të rajonit.

Sfida më e madh konsiston në ndryshimin e perceptimit të afrikanëve për Evropën. Sepse Evropa nuk është parajsa mbi tokë - për shumë është më tepër një ferr mbi tokë. Kam takuar afrikanë që punojnë në Evropë për 3 dollarë ose më pak në ditë. Që flenë në rrugë, që bëjnë tregti me mallra të trafikuara, që i shtyjnë ditët si kriminelë të vegjël ose shfrytëzohen si prostituta. Kushtet e jetesës së tyre në Evropë janë më të këqia se ato që kanë lënë pas në Afrikë.

Mesazhi im ndaj vëllezërve dhe motrave të mia afrikane është ky: pushoni së besuari se Evropa do t'ua zgjidhë problemet. Zgjohuni dhe mendohuni për një rrugë për t'ia dalë mbanë në shtëpi, në vend që të ndërtoni kulla në erë. Sepse ato nuk mund dhe nuk do të ekzistojnë.

Asumpta Lattus, e lindur në Tanzani, punon për shërbimin anglisht të Afrikës në DW.

DW.COM