1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koment: administratori i mirë

Impulse të reja në marrëdhëniet transatlantike nuk priten nga ministri i ri i Mbrojtjes i SHBA Ashton Carter. Detyra e tij do të jetë të vërë sa më shumë në lëvizje me gjithnjë e më pak para, mendon Miodrag Soric.

Anëtar qeverie në Uashington - kjo i kujton atij fatin e të krishterit të përndjekur në Koloseumin romak: "Ti asnjëherë nuk e di se kur do t'i hidhesh luanëve si ushqim." Kështu shprehej para disa vitesh Ashton Carter. Kandidati i Obamës për postin e ministrit të Mbrojtjes di se çfarë thotë. 60-vjeçari Carter ka kohë që është pjesë e cirkut politik të Uashingtonit.

Shembulli aktual për këtë është se sa shpejt ekzekutohet dikush politikisht: Chuck Hagel, ministri i deritanishëm i Mbrojtjes. Ai vazhdonte të shihte me mosbesim kur Presidenti Obama e përcolli zyrtarisht, e detyroi të jepte dorëheqjen pas vetëm dy vitesh në post. Fjalët e bukura dhe mirënjohëse për largimin para shtypit ishin vetëm një teatër i dobët politik. Mirënjohja dihet se nuk është kategori që i përket politikës. Në Uashington aq më pak.

Demokratët dhe republikanët dakord

Ashton Carter, i cili ka punuar në Pentagon nën administrata të ndryshme, do të bëjë atje një "punë të mirë" dy vitet e ardhshme. Për këtë demokratët dhe republikanët janë në një mendje. Emërimi i Carter-it duhet të konfirmohet edhe nga Senati. Republikanë të lartë kanë sinjalizuar tashmë se nuk do të ketë pengesa. Ata do t'i shfrytëzojnë seancat e marrjes në pyetje në rastin më të mirë për të kritikuar politikën e Presidentit. Edhe kjo është pjesë e cirkut politik të Uashingtonit.

Zentrale Programmredaktion Miodrag Soric

Redaktori i DW Miodrag Soric

Carter nuk ishte zgjedhja e parë e Presidentit. Por të tjerë e refuzuan. Një kandidate parapëlqeu të angazhohej më mirë në ekipin e Hillary Clinton se sa të merrte një post kabineti në administratën Obama. Clinton muajt e ardhshëm pritet të shpallë kandidaturën për postin e presidentit. Edhe një tjetër kandidat për postin e ministrit të Mbrojtjes bëri shpejt të qartë refuzimin. Dhe kështu është tani Carter që e merr postin.

Modernizimi i Ministrisë së Mbrojtjes pret

Ai do të jetë një administrator i mirë, që do menaxhojë në një farë mënyre shkurtimet në buxhet dhe në të njëjtën kohë do t'i duhet të zhvillojë luftë përtej detit. Klima në radhët e gjeneralëve është e keqe. Mungojnë paratë për sisteme të reja armësh. Kostot për shpenzimet sociale në Pentagon po shpërthejnë. Ushtarët, që nuk arrijnë të përpunojnë tmerret e luftës, kthehen të sëmurë në atdhe. Jo, Carter-in nuk mund ta kesh zili për punën e tij.

Prej tij nuk do të vijnë impulse të reja në politikën e mbrojtjes. Dhe as në marrëdhëniet transatlantike. Carter në përgjithësi do të bëjë atë që Shtëpia e Bardhë do t'i urdhërojë. Ndryshe nga tre paraardhësit e tij në post ai ka marrëdhënie të mira personale me Susan Rice, këshilltaren e Presidentit për sigurinë. Kjo me siguri do të ndihmojë për t'i dhënë fund fërkimeve të vazhdueshme mes Pentagonit dhe Shtëpisë së Bardhë. Në fund të fundit SHBA është ende në luftë. Mungon për shembull një strategji e përgjithshme se si Uashingtoni do të veprojë kundër "shtetit islamik". Ajo që përjetojmë aktualisht është për fat të keq një punë e papërfunduar.