1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koment: 2017 mund të bëhet vetëm më i mirë për BE

Shumë kriza do ta karakterizojnë politikën në Evropë në vitin 2017. Por BE kujdeset që të mos mungojnë as shkëndija shprese.

Viti i ri vetëm mund të bëhet më i mirë për BE, sepse duhet të bëhet më i mirë! Edhe një vit tjetër plot me kriza dhe katastrofa, plot terror dhe hapa pas Evropa nuk mund ta durojë. E parë nga ana politike, 2015-a ishte i keq. Por 2016-a ishte edhe më i keq. Në 2017-ën punët duhet të marrin për mirë.

Lajme të mira nga Evropa

Në vitin 2017 në Evropë do të ketë edhe ngjarje pozitive: BE do të prezantojë kabllo të njësuara telefonike për telefonët celularë. Një kampionat evropian të futbollit: në Holandë janë femrat që do të luftojnë për titullin! Në tetor do të hapet aeoroporti i ri i Berlinit! Ndoshta. Që prej pranverës do të bëhet muzikë në Filharmoninë e re të Elbës në Hamburg. Më në fund Evropa ka një tempull të ri kulture! Megjithë krizën e borxheve në Greqi dhe bankat me probleme në Itali në vitin 2017 në Eurozonë do të rritet ekonomia dhe inflacioni do të mbetet i ulët. Frankfurti do të bëhet në vitin 2017 interesant jo vetëm për shkak të Bankës Qendrore Evropiane, por do të informojë  si "kryeqytet i gjelbër i Evropës" edhe për energjinë e ripërtëritshme, për ndërtimet që i rezistojnë kohës dhe për komunikacionin neutral ndaj klimës.

Po është për t'u druajtur se kaq qenë perspektivat pozitive. Krizat e vitit të kaluar do ta ndikojnë edhe në 2017-ën Evropën: terrorizmi islamik, Brexit, populizmi, lodhja në rritje e BE. "Poli-krizë" e quan këtë shefi i Komisionit të BE, Jean-Claude Juncker. E gjithë kjo atmosferë sentimentale bëhet edhe më pikante nga pasiguria që buron me fillimin e detyrës së Presidentit të ri të paparashikueshëm të SHBA. A do të dalë vërtet vetëm e dyta në zgjedhjet në Francë kundërshtarja populiste e djathtë e Evropës, Marine le Pen? Ç'pamje do të ketë vendi më i rëndësishëm i BE, Gjermania pas zgjedhjeve në vjeshtë? Me një Merkel të dëmtuar apo fare pa të?

Një vit jubilar dhe shkas për të festuar 

Si do të ndryshojnë shoqëritë evropiane për shkak të vazhdimit të kërcënimit prej terrorit? A do të bëhet qëndrimi i tyre më armiqësor përballë të huajve, fesë islame apo atyre që mendojnë ndryshe? A do të jemi ne më të hapur për reforma dhe për një pajisje më të mirë të policisë dhe të aparatit të sigurisë, për të garantuar sigurinë e qytetarëve?

Viti 2017 do të ishte për evropianët në fakt një vit për t'u gëzuar dhe për të festuar: në fund të fundit, Bashkimi Evropian mbush 60 vjet. Por kaq e madhe nuk duket se do të bëhet ceremonia në Romë në mars, megjithëse Bashkimi Evropian i ka sjellë Evropës paqe dhe mirëqënie. Por këtë askush nuk ka dëshirë ta dëgjojë më. Përreth despotët dhe antidemokratët po përgjojnë: Erdogani, Putini, Orbani, Trumpi. Një vit i fillimit të ri 2017-a me sa duket nuk do të bëhet dot. Më tepër një vit i pritjes dhe i "shtyje-si-ta-shtysh" .