1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komando e re për misionet ushtarake në Bruksel

Kai Kystner
7 Mars 2017

Ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të BE ndërmorën një hap tjetër drejt politikës së përbashkët të sigurisë: vendimin për ngritjen e një komandoje të BE për misionet në botën e jashtme. Selinë do ta ketë në Bruksel.

https://p.dw.com/p/2YhmZ
Deutschland Deutsch-französische Brigade in Müllheim
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Haid

Një gjë është e qartë: në politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes aktualisht po ndodhin shumë gjëra. Jo vetëm sepse shtetet anëtare të NATO-s nën presion masiv nga SHBA diskutojnë për një rritje të ndieshme të buxheteve të tyre të mbrojtjes. Por edhe sepse në BE ka shpërthyer një gjallëri e madhe përsa i përket bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes. Michael Gahler e sheh me optimizëm bashkëpunimin në këtë fushë. "Përshtypja ime është se politika e mbrojtjes është një nga ato fusha, e cila mund ta ribashkojë Bashkimin Evropian. Përsa u përket temave të tjera ne jemi larguar disi nga njëri-tjetri, si p.sh.në çështjen e refugjatëve."

Kështu shprehet eksperti për çështjet e mbrojtjes i CDU-së në Parlamentin Evropian. Tani ekziston një hap i dukshëm në përpjekjen për të formuar një bashkim të vërtetë mbrojtjeje: ky do të jetë shtabi i ri për misionet në botën e jashtme të BE-së. Kjo instancë e re drejtuese do të vihet në punë në Bruksel që këtë muaj dhe do të jetë kujdeset fillimisht për tri misione trajnimi të BE. Këto janë misionet në Mali, në Somali dhe në Afrikën Qendrore. Në të tria bëhet fjalë për zona krize, në të cilat BE do të përpiqet të fuqizojë përmes trajnimeve forcat e sigurisë në vend. Për këtë do ta marrë tani komandën Brukseli.

"Deri tani ne e bëjmë këtë përmes shtabeve nacionale. Por kjo është një punë që duhet ta bëjmë ne në Bruksel. Sepse planifikimi bëhet këtu.", shprehet Michael Gahler në intervistë me Studion e ARD-së në Bruksel.

Por shumë ekspertë e konsiderojnë këtë përpjekje për t'i koordinuar forcat si një fillim shumë modest. Sepse pesë shtabet ushtarake të shteteve të veçanta të BE nuk eleminohen në asnjë mënyrë. Kështu, misioni i Mesdheut "Sofia" për luftimin e trafikut të njerëzve komandohet edhe më tej nga Roma. Në Bruksel do të koordinohen vetëm ato misione, ku nuk bëhet fjalë "për gryka armësh që nxjerrin tym", siç e shpreh një diplomat i BE, pra për misione pa përdorimin e armëve. Günther Oettinger, përfaqësuesi gjerman në Komisionin Evropian bën këtë profeci në intervistë me ARD. "Në Evropë në dhjetë vitet e ardhshme nuk do të krijohet një ushtri evropiane. Por do të kemi një strategji evropiane mbrojtjeje." Paralelisht me planifikimet për komandën e re, BE po avancon edhe projekte të tjera. Këtu bën pjesë një bashkëpunim i thelluar me NATO-n, midis të tjerash edhe mbrojtja nga sulmet kibernetike. Këtu bën pjesë edhe një financim i përbashkët i BE për projekte evropiane mbrojtjeje.