1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kolping ndihmon Shqipërinë

Familja gjermane Kolping, gjithmonë në lëvizje për nxitjen e zhvillimin e një shoqërie me vlera të larta morale e sociale. Ajo ndihmon njerëzit në Shqipëri.

Shoqata Kolping në Shqipëri.

Shoqata Kolping në Shqipëri

Shoqata Kolping është një lidhje katolike shoqërore dhe ka në themel të saj, mesazhin e Krishtit: “Bota është e të gjithëve, jo vetëm e disave“. Kësaj thënie i përgjigjet edhe Idea Kolping, që mbetet akome edhe sot si piknisja vendimtare për një luftim të varfërisë me ndikim afatgjatë. Një apel i përhershëm për solidaritet, bashkim, unifikim i forcës së përbashkët për punë dhe përmirësim të gjëndjes materiale dhe shpirtërore për të gjithë ato që kërkojnë mbështetje, siguri dhe orientim. Ajo është një model për të jetuar me punë e me nder. Shoqata është e organizuar nëpërmjet familjeve Kolping që i përgjigjet moralit: “Nëse familja është e shëndoshë edhe shoqëria bëhet e shëndoshë. Nëse familja sëmuret, atëherë është në rrezik e gjithë shoqëria“. Familja Kolping e shtrirë në 15 qytete e fshatra si Tiranë, Durrës, Lezhë, Elbasan, Shkodër etj, përpiqet për t'i shërbyer nëpërmjet veprimtarive aktive, nevojave të anëtarëve të saj dhe të komunitetit në përgjithësi.

Kolpingu si lëvizje

Shoqata Kolping është themeluar nga prifti, reformisti social, publicisti, udhëheqësi shpirtëror dhe “babai“ i zejtarëve, Adolph Kolping (1813-1865). Me 6 maj të vitit 1849 ai themeloi në Këln të Gjermanisë, Shoqatën e Cirakëve, që u bë më pas edhe pika e nisjes së veprës së tij. Në Këln, Kolping fillimisht krijon Shoqatën e parë të Zejtarëve, e cila ishte paraardhësja e familjeve Kolping të sotme. Karakteristikë e veprës së tij u bë “ndryshimi i shoqërisë nëpërmjet ndryshimit të njeriut“ dhe në një kohë shumë të shkurtër idea e tij i ndihmës për veten dhe shoqërinë u përhap përtej kufijëve të Europës. Vepra e tij vazhdon të vihet edhe sot në jetë në më shumë se 60 vënde të botës. Me 27 tetor 1991 ai u lumturua nga Papa Gjon Pali II.

Qëllimet e ndihmës

Shoqata Kolping ndihmon fëmijët.

Shoqata Kolping ndihmon fëmijët

Kolpingu e ka filluar aktivitetin në Shqipëri në vitin 1992 dhe është themeluar si shoqatë shqiptare në 1998. Ajo e ushtron veprimtarinë e saj në bazë të kompetencave që i jep Statuti, duke koordinuar punën me shoqatën në Këln të Gjermanisë dhe Familjeve Kolping në Shqipëri. Në 15- vjetorin e krijimit të shoqatës, familja gjermane Kolping në Shkodër, ka shpalosur kontributin e dhënë në dobi të shoqërisë gjatë këtyre viteve. Sipas administratorit të Qëndrës Kolping në Shkodër, Andrea Darragjati, “familja ka zbatuar të gjitha objektivat e veta me ndikim afatgjatë në disa sektorë të rëndësishëm, veçanarisht në veri të Shqipërisë".

Aktivitetin e saj human kjo shoqatë e ka përqëndruar në dhënien e ndihmës ekonomike, me synim zbutjen e varfërisë dhe kapërcimin e vështirësive të mëdha të banorëve, kryesisht atyre pa asnjë përkrahje sociale. Gjithnjë në zbatim të misionit që ka familja Kolping në Shkodër, me fondet e veta ka trajtuar me ushqim falas dhe me materiale të tjera të nevojshme një numër të konsiderueshëm grupnjerëzish të vetmuar dhe të paaftë për punë, fëmijë të braktisur dhe pa asnjë përkrahje, si dhe banorë të përmbytur nga fenomenet natyrore, duke ndihmuar e investuar për parandalimin e katastrofave të ndryshme. Me projekte konkrete në të mirë të komunitetit, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me shoqatat Kolping në Gjermani dhe si motrat e saja në Shqipëri e Kosovë, dega Shkodër gjatë këtyre viteve ka financuar në përmirësimin e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve, mjedisit, shëndetësisë dhe disa sektorëve të rëndësishëm dhe jetik, kryesisht në zonat e thella malore“. Sikurse është publikuar, në vitin 2011, Shoqata Kolping në Shkodër, por edhe në të gjithë veriun në përgjithësi, me një projekt të financuar nga shoqata në Këln, ndërmori një nismë për paisjen me libra dhe mjete të tjera mësimore rreth 25 fëmijë nga familjet e ngujuara në fshatrat Bardhaj e Velipojë. Kjo nismë në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Arsimore të Shkodrës, ishte një fillim i projekteve për të luftuar analfabetizmin, për shkak të fenomenit të gjakmarrjes.

Kopingu një zemër e madhe

Leonard Çorraj, punon vullnetarisht.

Leonard Çorraj, punon vullnetarisht.

Një ndër arritjet e rëndësishme është edhe themelimi i Rinisë Shqiptare Kolping në vitin 2004. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar shumë veprimtari si rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit të punës me bordin drejtues dhe zyrës qëndrore në Tiranë. Një periudhë krejtësisht e veçantë, e cila angazhoi direkt familjen Kolping në Veri të Shqipërisë, ka qënë ajo e emergjencës kosovare në vitin 1999. Anëtarët e saj pa kursyer asgjë, ofruan ndihmën e tyre duke krijuar kushte tepër të favorshme strehimi dhe ushqimi, si dhe një jetesë normale vëllezërve të tyre refugjatë. Kështu në Shkodër janë trajtuar me ndihma dhe shërbime rreth 2000 mijë persona, ku një rol kryesor ka luajtur familja Kolping, në Elbasan po ashtu, në Lezhë janë strehuar mbi 1500 kosovarë, ku kontriboi në mënyrë aktive Shoqata Kolping.

Aktivitetet e Koplingut

Aktiviteti i kësaj Qëndre ndahet në disa sektorë si kurse formimi për të rinjtë e të moshave të ndryshme në të gjithë rrethin e Shkodrës. Ekonomi e ndarë në tre drejtime: kontabilitet, plan dhe kontroll biznesi dhe menaxhim i sektorit jofitimprurës. Në këtë qëndër krahas atyre të muzikës dhe shkencave kompjuterike, zhvillohen edhe kurse për mësimin e gjuhëve të huaja si anglisht, gjermanisht, frëngjisht e italisht. Njëkohësisht në këtë qendër ekzistojnë ambjente pritëse si hotel, bar, salla, restorant etj, që shërbejnë jo vetëm për komunitetin vëndas, por edhe atë të huaj. Me të ardhurat nga aktiviteti i qëndrës, financohen edhe projekte të ndryshme në qarqet Shkodër dhe Lezhë. Qëndra jep kontributin e saj edhe në Shtëpinë e Fëmijës Parashkollor. Bashkëpunon me OJQ të ndryshme që operojnë në Shkodër si: ACLI – IPSIA, Hapat e Lehtë, Malteser Ndihmon Shqipërinë, e shumë të tjera, për zbatimin e projekteve të përbashkëta në fushën sociale dhe për të gjitha problemet që shqetësojnë shoqërinë, si fenomeni i gjakmarrjes, uljen e emigracionit, barazinë gjinore, luftën kundër drogës e prostitucionit, rolin e gruas në familje e shoqëri, në bashkëpunim edhe me pushtetin lokal.

Së fundi Kolping në bashkëpunim edhe me Malteser, ka zbatuar një projekt trajtimi në ndihmë të komunitetit Rom, si më i varfëri ndër etnitë e tjera që banojnë në Qarkun e Shkodrës. Aktualisht Famija Kolping e Shkodrës, është duke bashkëpunuar me Zyrën e Punës në kuadër të zbatimit të projektit për punësim e personave me aftësi të kufizuar. Familja Kolping në Shkodër po bashkëpunon edhe me Shoqatën Ndërkombëtare Kolping të komunës Autonome të Bolzanos në Itali, për financimin e kurseve për të rinjtë e zonave rurale. Funksionimi i Qëndrës së Shkodrës shërben si një pikë referimi e gjithë punës së kryer nga shoqata dhe mbështetje për zbatimin e objektivave, duke u përpjekur të jetë jo vetëm një qëndër e mirfilltë pune, por edhe orientuese për të gjithë shoqatën që në të ardhmen e shpejtë ajo të kthehet në një model për përhapjen e përvojës së saj në të gjitha familjet Kolping të Shqipërisë.