1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koka e turkut e BE-së: Dilema Juncker

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker bëhet përgjegjës për shumë probleme në BE. Po a janë të drejta këto akuza? Edhe një çudibërës nuk mund t'ua plotësojë aktualisht të gjithëve dëshirat në Evropë.

Javët e kaluara Jean-Claude Juncker u përball me kritika të shumta: atij i mungojnë vizionet për të ardhmen e BE-së, ai nuk do Evropë sa duhet, ai humbi shancin për një fillim të ri për BE-në. Si kancelarja gjermane Merkel edhe evropianolindorët duan ta heqin atë qafe nga posti.

Junckeri është për një Evropë josociale dhe josolidare. Ai e lë të dobësohet Paktin e Stabilitetit. Ai është fajtor për dobësinë ekonomike në jug. Dhe mbi të gjitha që shumë qytetarë e refuzojnë BE-në. Shumë nga këto akuza përjashtojnë reciprokisht njëra-tjetrën. Edhe një çudibërës nuk mund t'ua plotësojë aktualisht të gjithëve dëshirat në Evropë.

Të vazhdojmë si deri tani apo vizione të reja?

Jean-Claude Juncker reagoi fillimisht emocionalisht për referendumin për Brexit-in. Ai tha se është shumë i prekur si „njeri dhe si evropian“. Por ai theksoi edhe se BE-ja duhet të vazhdojë rrugën e saj politike de Britania e Madhe të dalë sa më parë prej saj. Në këtë qëndrim ai ishte në një linjë me Parisin, por jo me qëndrimin e përmbajtur të Berlinit. Por çdo ndryshim i marrëveshjeve për më tepër përgjegjësi të përbashkëta për Evropën, sikurse kërkon edhe miku politik i Juncker-it, presidenti i Parlamentit, Martin Schulz, për momentin do të dështonte dhe kjo do të thoshte fundin e BE-së.

Për këtë kritikuesit e akuzojnë Juncker-in se i mungon një vizion evropian, ndërkohë që nga ana tjetër sidomos vendet lindore anëtare të BE-së duan shprehimisht një BE më pak të fortë.

Më tepër efektivitet apo më shumë demokraci?

Në kuadrin e samitit pas Brexit-it Junckeri mbrojti pak me kokëfortësi vendimin e tij që marrëveshja tregtare CETA me Kanadanë të ratifikohej vetëm prej Komisionit dhe Parlamentit Evropian. Nga forma dhe momenti ky qe një gabim politik. Komisioni duhet t'i sigurojë Evropës më tepër rritje ekonomike dhe vende pune. Nga kjo perspektivë do të ishte e arsyeshme që marrëveshja CETA të zbatohej sa më shpejt.

Junckeri iu dorëzua kërkesave gjermane që CETA duhet të miratohet nga parlamentet e vendeve anëtare. Kjo do të zgjasë tani shumë kohë. Dhe edhe pse këtë nuk e thotë kush me zë të lartë, në rast se parlamenti i çdo vendi do të duhet të vendosë për çdo marrëveshje të BE-së, atëhere BE-ja do të bëhet e paaftë për të vepruar.

Kursime apo shpenzime të mëtejshme?

Ka kohë që Komisioni i BE-së akuzohet se nuk është i rreptë në zbatimin e paktit të stabilitetit, sepse i lejon vazhdimisht Francës, Portugalisë apo Spanjës të kalojnë nivelin prej 3% të deficitit. Junckeri ndryshe nga ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, është për një politikë stabiliteti „të arsyeshme“ për sa kohë vendet përpiqen për reforma dhe buxhete solide. Kurse Schäuble kërkon të njëjtat të drejta dhe detyrime për të gjithë.

“Politika e kursimeve shkakton frustrim dhe frikë te shumë qytetarë evropianë“ – tha presidenti amerikan Barack Obama gjatë një vizite në Spanjë. Dhe jo vetëm ekonomistët amerikanë janë të një mendimi të kundërt me politikën e kursimeve të Berlinit. Edhe shumë vende evropiane kërkojnë të bëjnë më shumë borxhe për të stimuluar ekonomitë e tyre.

Këtu përplasen dy teori ekonomike: a duhet që buxhetet të jenë solide dhe të krijojnë aftësinë konkurruese edhe përmes sakrificave, apo duhen shpenzuar para për të krijuar përmes investimeve një bum ekonomik. Kjo është në fund të fundit një çështje pushteti dhe ajo nuk vendoset në Bruksel, por në kryeqytetet e vendeve anëtare. Londra, përkrahëse e politikës së fortë të kursimeve, nuk merr më pjesë në këto diskutime.