1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Koha që Vuçiqi t'i realizojë premtimet

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi ka pasur parregullësi të shumta. Tani Vuçiqi duhet t'i realizojë premtimet. SNS mund të qeverisë pa ndonjë partner në koalicion dhe nuk mund të justifikohen se nuk ka mbështetje.

Shumica absolute, një fjalim me çaste stand up pas fitores, dhe premtime se do të punojë në të mirën e Serbisë. Aleksadar Vuçiq është fituesi absolut i zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara të dielën (24.04) në Serbi. I vetmi që përveç Vuçiqit mund të jetë i kënaqur është Sasha Radulloviq, kryetar i lëvizjes "Dosta je bilo" (Mjaft më), i cili e ka kaluar praguan e përfaqësimit në parlamentenzusin dhe në disa komuna të Beogradit ka fituar madje përqindje dyshifrore. Të tjerët që kanë kaluar pragun e 5% mund të jenë vetëm pjesërisht të kënaqur, si p.sh. Vojisllav Shesheli. Parelamenti i Serbisë do të jetë më i larmishëm, por dihet shumë mirë se kush e ka fjalën kryesore.

Majat e SNS

„Një konsensus kaq i madh, gati në formë referendumi, nuk është asnjëherë i mirë për demokracinë, sepse shumica nuk mund të ketë asnjëlloj kontrolli parlamentar", thotë për Deutsche Welle-n, Jovana Gligorijeviq, redaktore e revistës Vreme. Ajo beson se Vuçiqi duhet ta krijojë vet qeverinë, sepse ky edhe ka qenë qëllimi i zgjedhjeve. "Në dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur ai u gëzua pas zgjedhjeve, Vuçiqi tani duhet të brengoset, sepse tani është i vetëm në krye. Ai këtë fitore e ka arritur me premtimet për një të ardhme më të mirë. Dhe për të mbetur në krye, ai duhet të fillojë t'i realizojë këto premtime, e dihet që Vuçiqi në këtë aspekt nuk është shembullor“, pohon ajo. Gligorijeviq shton se mbështetja kaq e madhe e dy partive në pushtet - SNS dhe Socialistëve - "është shqetësuese kur merret parasysh rënia e standardit të jetesës“.

Ngjashëm mendon edhe Mihailo Teshiq, bloger dhe ekspert i marketingut. Ai thotë se Vuçiqi e ka shfrytëzuar pozitën e tij për të kontrolluar mediat dhe të gjitha resurset tjera. Teshiq mendon se Ivica Daçiqi, kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), është humbësi më i madh i zgjedhjeve. Në paraqitjen e tij të parë u sugjerua se ai nuk do të jetë më pjesë e pushtetit. Ai tani e ka shumë të qartë se nuk është i pazëvendësueshëm në kalkulimet e "sundimtarit Vuçiq", në dallim nga dy zgjedhjet e kaluara, kur Daçiqi ishte fillimisht kryeministër e më pas edhe ministër i Jashtëm.

„Rënia e Vojvodinës“

Fitoren e plotë të kryeministrit të tanishëm dhe të ardhshëm e ka mundësuar edhe "rënia e Vojvodinës", e cila deri tani ka qenë një bastion i Partisë Demokratike. „Rezultatet në Vojvodinë shënojnë një fitore të plotë të përparimtarëve të Vuçiqit", mendon sociologu Dario Hajriq. Për DW ai shpjegon se Vuçiqi tani duhet t'i shpërblejë edhe ata që e kanë mundësuar këtë fitore, që do të thotë se në të ardhmen mund të ketë probleme edhe në këtë fushë. "Sa i përket Partisë Demokratike, me humbjen në Vojvodinë, hapet edhe domosdoshmëria e ndryshimeve brenda partisë. Por dyshoj se kjo parti do t'i bëjë këto ndryshime, sepse duket që ata po përpiqen të fajësojnë zgjedhësit dhe jo të marrin përgjegjësinë“, mendon Hajriq.

Atraksioni kryesor në prag të zgjedhjeve ka qenë kthimi i Vojisllav Sheshelit në skenën politike, pas 12 vjet qëndrimi në burgun e Hagës. Partia Radikale Serbe (SRS) e Sheshelit është e treta për nga numri i votave në Serbi. "Kjo paraqet kthimin e cirkut të Sheshelit në parlament, kthimin e retorikës nacionaliste, sharjeve, ofendimeve dhe të gjitha gjërave të tjera që janë në repertorin e Sheshelit", thotë Jovana Gligorijeviq. Shesheli falë Tribunalit të Hagës arriti të futet në parlament, sepse në zgjedhjet e kaluara SRS nuk ishte e përfaqësuar.

"Treni bullgar"

Përderisa SNS festonte, DS dhe partitë tjera "demokratike" u mbodhën në Novi Sad, për të "evituar qëllimet e Vuçiqit që t'i manipulojë zgjedhjet me qëllim që këto parti të mbeten jashtë parlamentit". Që në hapje të qendrave të votimit u tëdielën, se po votohet sipas sistemit të "trenit bullgar", kur votuesi vetëm e hedh në kuti fletën e votimit të plotësuar më parë nga aktivistët e partive. Organizata joqeveritare CRTA, e cila i ka vëzhguar këto zgjedhje, vëren se gjatë votimeve ka pasur shumë parregullësi të rënda.

Kryeministri Vuçiq ka deklaruar disa herë pas zgjedhjeve se aktivistët e partisë së tij gjatë fushatës dhe gjatë votimit kanë qenë të "ndershëm". Dragan Popoviq, ish-drejtor i Qendrës për Politikë Praktike, i cili tani është në listën e së Majtës, mendon ndryshe: „Parregullësitë e shumta tregojnë se jemi shumë afër që të humbasim edhe vlerën e fundit të mbetur nga 5 tetori i vitit 2000 - zgjedhjet e lira. Pushteti, i cili tani më e ka shkelur lirinë e shtypit, po e shkel edhe lirinë e zgjedhjeve të lira. Kjo duhet të na shqetësojë të gjithëve, pavarësisht se në cilën parti politike jemi."

„Sikur zgjedhjet të ishin vetëm një ndeshje futbolli e kampionatit, ato do të mbaheshin mend si një ndeshje skandaloze, në të cilën gjyqtarët kanë mbajtur veshur fanellat e ekipit të parë në tabelë“, pohon Teshiq. "Por askush nuk shqetësohet për këtë fakt, sepse të gjithë janë të interesuar që fituesi të shkojë në Ligën e Kampionëve. As në Evropë askush nuk shqetësohet për këtë fakt.“

Urimet e para nga Evropa kanë ardhur shumë shpejt, me telefon nga kabineti i kancelares Angela Merkel, me Twiter nga Johannes Hahn, shefi i diplomacisë austriake Sebastian Kurz (i cili urimin e ka dërguar në gjuhën serbe). Raportuesi i BE-së për Serbinë, David Mecalister ia ka uruar fitoren SNS në lokalet e tyre në Beograd. Të gjithë ata i gëzohen vazhdimit të bashkëpunimit me Vuçiqin.