1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Koha për zgjidhje politike - Nuk duket ende fundi i luftës në Libi

Një fund i luftës në Libi nuk po duket. Trupat e pushtetmbajtësit Muammar Gaddafi dhe opozita ndodhen që prej javësh në një situatë pati ushtarak. Ka ardhur koha që të kërkohet më shumë zgjidhje politike.

default

Natë për natë, bombarduesit e NATO-s ndërmarrin sulme kundër kryeqytetit libian Tripoli. Institucionet e ushtrisë së Gaddafit, të policisë së tij dhe të aparatit zyrtar shtetëror janë objekt i këtyre sulmeve ajrore. Sulme të cilat - ia vlen t'i kujtosh- të gjitha i nënshtrohen një synimi: mbrojtjes së popullsisë civile.

Por që në sulmet gjithnjë e më të ashpra nga ajri vriten edhe civilë, kjo duhet të jetë llogaritur. Edhe nëse nga mediet e kontrolluara nga Gaddafi, të ashtuquajturat dëme kolaterale të këtyre sulmeve instrumentalizohen me ndërgjegje si armë propagandistike. Padyshim që sulmet e përnatshme me bomba u futin frikën dhe i terrorizojnë njerëzit në konglomeratet urbane, përveç terrorit të regjimit që lufton për të mbetur në pushtet.

Angazhimi në Libi ka ngecur në vend, NATO-ja mbështet në mënyrë të njëanshme shkallëzimin ushtarak. Gaddafi me sa duket merr parasysh vdekjen e shumë njerëzve dhe shkatërrimin e infrastrukturës së rëndësishme se sa largimin nga pushteti.

Scheschkewitz, Daniel Zentrale Programmredaktion, Reporter-/Autorenpool Foto DW/Per Henriksen 15.02.2011 #DW1_2565

DW Deutsches Programm Daniel Scheschkewitz

Nëse Perëndimi i ka seriozisht fjalët që thotë me detyrimin e tij për mbrojtje dhe me interesat humanitare, atëherë më e vonta tani ka ardhur koha për negociata. Dy inisiativa politike për një zgjidhje në mirëkuptim ekzistojnë tashmë: njëra e paraqitur nga anëtari i NATO-s, Turqia, tjetra nga Bashkimi Afrikan. Ato ngjajnë në masat që rekomandojnë: armëpushim i menjëhershëm, fund i rrethimit të qyteteve, vënie e papenguar në dispozicion e ndihmës humanitare dhe nisja e një procesi negociatash midis palëve në konflikt. Këtë përpjekje për ndërmjetësim e mbështesin aktualisht edhe të ashtuquajturat vende BRICS: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut. Presidenti i Afrikës së Jugut, Zuma i testoi këto ditë personalisht në Tripoli shanset për sukses të misionit diplomatik.

Në SHBA ndërkohë janë rritur kritikat për angazhimin, megjithatë në radhë të parë për shkak të refuzimit të presidentit Obama, për të nisur në kongres procedurën e zakonshme të miratimit për ndërhyrjet e armatosura.

Planifikimet për kohën pas ndërhyrjes ushtarake kanë nisur prej kohësh. Bashkësia ndërkombëtare me siguri nuk ka rrugëzgjidhje tjetër veç një trupe ndërkombëtare paqeje për Libinë. Por që ajo të mos bëhet objekt i vazhdueshëm sulmesh - si në Afganistan- duhet gjetur sa më shpejt të jetë e mundur një zgjidhje politike. Largimi i Gaddafit jashtë vendit do të ishte për këtë parakushti më i mirë.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Aida Cama