1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Koha për një politikë të re dhe solidarizuese europiane

Në një kohë që kriza financiare vazhdon të kërcënojë, në Evropë gjithnjë e më shumë po vihet në dukje dështimi i liderëve europianë për të gjetur një përgjigje të vërtetë, që mund të largojë problemet aktuale.

default

Përgjigjja e liderëve europianë ndaj krizës financiare ka qenë jo në nivelin që kërkohej dhe ndoshta përgjysmë. Liderët e Gjermanisë dhe Francës, vazhdimisht refuzuan që të implementojnë politika specifike që në fillim të problemeve, dhe më pas i adoptuan ato, javë më vonë, kur kostoja e mosveprimit ishte shumëfishuar. Kjo, ka minuar besueshmërinë e e Bashkimit Europian, si dhe ende kërcënon ekonominë europiane.

Është koha që Merkel dhe Sarkozy t'i dalin në ballë të gjithëve për një kauzë më të fortë europiane, përmes një politike solidarizuese. Një bashkëpunim më i mirë mes vendeve anëtare të BE-së, dhe në të njëjtën kohë, përgatitje në nivel kombëtar për sakrifica finanziare. Këto duhen për të garantuar jetëgjatësinë e mirëqenies së rajonit. 

T'i vësh një emër krizës

Që kur dallgët e para të krizës, mbërritën në brigjet europiane, nisi edhe kërkimi për fajtorët, bankat e “babëzitura”, shtete me një mirëqenie mbi normalen, dhe qeveritë e papërgjegjshme. Lidershipi gjerman për shembull, ka ngritur gishtin mbi disa nga këto subjekte, duke u justifikuar disi moralisht për përgjigjen e vonuar. Por ka patur edhe nga ata aktorë të këqinj që ndërmorrën hapa për kredi mjaft të rrezikshme dhe morën mbi supe më shumë sesa mund të mbanin, dhe pikërisht këta u bënë “koka turku” duke injoruar sistemin europian të përgjegjësisë.

Merkel dhe Sarkozy takohen shpesh muajt e fundit

Merkel dhe Sarkozy takohen shpesh muajt e fundit

Ky dimension europian është në mënyrë thelbësore i planifikuar që të mbështetet në monedhën e përbashkët, por pikërisht nga kjo, përfituan edhe aktorët e këqinj. Këto aksione të disa shteteve europiane lanë në orbitën e ekonomisë së kontinentit të vjetër, disa “mina” lundruese”, dhe më pas… çfarë ndodhi!

Yje dhe eurobonus

Si pjesë e sistemit të madh që krijoi Euron, Banka Qendrore Europiane u fokusua në një politikë shtrënguese për të frenuar inflacionin, një gjë që kishte qenë prej kohësh në fokusin e Bankave gjermane. Agjencitë Ndërkombëtare të Vlerësimit shtuan “yjet” për Gjermaninë, në kontrast me vendet e tjera. Italia dhe Greqia morën një “Eurobonus” pas të cilit normat e interesit ranë dhe u shtuan ofertat për kredi. Kjo krijoi një system likuiditetesh qarkullues ku bankat nga vendet “bërthamë”, pra ato inspiruese të ekonomisë, dhanë para me kredi për periferinë. Periferia e BE-së më pas shpenzoi paratë në mallra që derivojnë nga “bërthama”. Mendoni për bankat gjermane që dhanë kredi për grekët, dhe më pas grekët blenë me ato para, BMW luksoze. Fitoi gjithkush!!!

…deri kur humbën të gjithë. Kur kriza financiare arriti kulmin edhe simptomat u shfaqën anembanë Europës. Investitorët shkundën aksionet e tyre dhe tërhoqën paratë në banka, duke detyruar këto të fundit ti bashkangjiten krizës. Qeveritë (shembull Irlanda) nuk ndihmuan bankat duke transformuar krizën deri diku private, në një borxh mbizotërues. Në vende të tjera si Greqia, ndihma e munguar minoi tregtimin e bondeve.

Banka Qendrore Evropiane, Frankfurt

Banka Qendrore Evropiane, Frankfurt

Edhe pse kriza u duk se do të mbahej në periferi të BE-së, shumë nga borxhet e këqija (publike apo private qofshin) u mbajtën nga bankat në vendet “bërthamë” ndërsa blerësit në vendet periferike u zhytën edhe më shumë në batak. Rrethi vicioz i borxheve u mbyll me një epokë të re masash shtrënguese, destinacionet e eksportit në Evropë u tronditën, duke bërë që kompanitë kryesore, veçanërisht ato gjermane, të shihnin me interes tregjet aziatike. Por me rritjen e ngadalësuar në Azi perspektiva e një arratisje lindore u zbeh.

Është shumë e lehtë të vendosësh gishtin mbi fajtorët, por liderët europianë duhet të riformatojnë burimet dhe të krijojnë një mënyrë të menduari për përgjegjësi të përbashkët, si dhe solidaritet për të kapërcyer krizat.

Mësime që (ri-)mësohen

Kriza ekonomike ka sjellë mësime me vlerë për bërjen e politikave europiane dhe përfaqësojnë sfida të mëdha për ecjen përpara. Së pari interesat kombëtare janë në lojë. Nga e gjithë kjo zallamahi ekonomike, gjermania dhe Franca janë riafirmuar si lojtarë dominues, por fatkeqësisht për Europën, projekti i përbashkët ka humbur një pjesë të madhe të domethënies, pasi të gjithë tani shohin Gjermaninë si “lokomotivën” ekonomike.

Autor: Robert Mudge/Aurel Boriçi

Redaktoi: Lindita Arapi