1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kohë të vështira për BE

Bashkimi Evropian po rrëshqet gjithnjë e më thellë në një krizë politike. Skepticizmi rritet dhe aftësia për reforma zvogëlohet, mendon Bernd Riegert.

Sukseset e fundit elektorale të euroskeptikëve dhe eurokritikëve në Poloni, Spanjë, Britaninë e Madhe dhe Finlandë, duhet t'ua bëjnë të qartë edhe romantikëve të fundit të integrimit se Bashkimi Evropian ka probleme serioze, që do të përkeqësohen në muajt e ardhshëm.

Për arsye shumë të ndryshme në disa shtete anëtare zien. Në thelbin e ngushtë të BE-së, në Gjermani, Holandë, Belgjikë, Luksemburg dhe në një farë mase në Francë, qeveritë bazohen në mënyrën "të vazhdojmë si zakonisht!". Kjo në fund nuk do të mjaftojë. Sepse forcat centrifugale janë forcuar shumë.

Presion nga majtas dhe djathtas

Greqia e qeverisur prej radikalëve ndodhet gjithë kohën para falimentimit dhe përjashtimit, së paku nga Eurozona. Britania ndodhet para një referendumi për daljen nga BE, me rezultat të pasigurtë. Në Spanjë dhe Portugali shtohen lëvizjet e majta, që u krijojnë vështirësi mbështetësve konservatorë të kursit të deritanishëm evropian. Në Poloni fiton papritur një kandidat presidencial, i cili në qëndrimin skeptik ndaj BE-së nuk i lë asgjë mangët britanikëve. Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Poloni mund të sjellin përsëri në pushtet skeptikët ndaj BE-së.

Bernd Riegert

Bernd Riegert

Në Finlandë një parti kritike ndaj BE-së hyn për herë të parë në qeveri. Në Hungari qeveris një skeptik i BE-së, të cilin Presidenti i Komisionit Evropian - e ka quajtur diktator - edhe pse me shaka. Vetëm në Itali kryeministri socialist ka arritur t'i mbajë eurokritikët në kontroll. Çfarë po ndodh me Evropën? Kritikët e BE-së, të majtë dhe të djathtë, kanë popullaritet më shumë se kurrë.

Më shumë Europë?

Po të shohësh në hartë, Gjermania praktikisht mbyllet. Qeveria reagon ndaj rritjes së skepticizmit në skajet e BE-së me një politikë mbrojtëse. Në samitin e ardhshëm të BE-së kancelarja gjermane Angela Merkel do të propozojë së bashku me Presidentin francez Hollande thellimin e bashkëpunimit në Bashkësinë me monedhën euro, që përmban 19 shtete. Një plan të tillë shtetet e Eurozonës e patën ndërmarrë në kulmin e krizës së euros dy vjet më parë, sot askush nuk dëshiron të dëgjojë më për të.

Angela Merkel refuzon ndryshimin e traktateve të BE-së, siç kërkohet nga kryeministri britanik David Cameron. Cameron ndjehet i fortë nga zgjedhjet, që i ka fituar bindshëm. Merkel është për të si një erë, që e bie direkt në fytyrë. Një ndryshim në traktatet e BE-së në situatën e tanishme të tensionuar, parë realisht, është thuajse i pazbatueshëm, sidomos për faktin se do të nevojiteshin referendume në shtetet e ndryshme anëtare.

Më shumë solidaritet?

Një reformë e madhe e Bashkimit Europian është e vështirë, edhe për shkak se kërkesat e kritikëve dhe arsyet e kërkesave janë shumë të ndryshme. Britanikët duan më pak Evropë, dhe në fund edhe të paguajnë më pak. Ata janë në një situatë deri diku të mirë ekonomike dhe mendojnë se nuk kanë nevojë për BE-në. Polonia dhe Spanja përfitojnë nga BE, ekonomia e tyre është në rritje. Megjithatë njerëzit e projektojnë pakënaqësinë e tyre te Evropa. Shtetet anëtare jugore kërkojnë nga Gjermania më shumë solidaritet në kuadër të BE-së, menaxhim të përbashkët të borxhit, me fjalë të tjera më shumë para. Por për këtë gjermanët nuk janë të gatshëm. Gjermania ka ekonomiki të mirë. Tendenca për të ndihmuar fqinjët e varfër është megjithatë e kufizuar.

Një rrugëdalje të qartë nga situata të bllokuar nuk ka. Komisioni Evropian vazhdon të përpiqet të financojë planin e tij të investimeve, që do të sjellë vende pune. Shtetet anëtare presin. Komisioni i BE-së propozon një shpërndarje më të barabartë të refugjatëve. Shtetet anëtare e refuzojnë. Komisioni Evropian përpiqet të negociojë një marrëveshje të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara. Veçanërisht popullsia gjermane është skeptike. Kudo që të shikosh, dallon gjithmonë e më pak qëllime vërtet të përbashkëta tek 28 kryetarët e shteteve dhe qeverive.

Pa fuqi para humnerës politike?

Tendenca për një reformë themelore, që të kënaqë njokohësisht britanikët, spanjollët, grekët, polakët dhe gjermanët, nuk mund të priten. Të vazhdojnë kështu disi, është zgjidhja më e mundshme. Të paktën deri në zgjedhjet presidenciale në Francë në pranverën e vitit 2017, në të cilat Fronti Nacional, me orientim të djathtë dhe armiqësor ndaj BE-së, ka shpresa se do të arrijë një sukses shumë të madh. Më së voni, nëse Franca kalon në kampin euroskeptik, Bashkimit që është rritur dhe zgjeruar për 60 vjet, do t'i vijë fundi. Prandaj edhe Gjermania duhet të lëvizë. Vetëm mbrojtja defensive në kufijtë e jashtëm, nuk do të jetë e mjaftueshme.