1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

'Kohë e pamjaftueshme për t'u njohur me paketat programore të partive'

Forcat politike në Shqipëri kanë nisur fushaten elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Po cilat janë disa tipare të kësaj fushate? Cilat janë mangësitë e saj? Analisti Aleksandër Çipa prononcohet për DW.

Pamje nga qendra e Tiranës

DW: Si do t'i karakterizonit argumentat e partive konkuruese në këtë fushatë?

Aleksandër Çipa: Qeveria e Zotit Berisha ia ka dalë mbanë të krijojë imazhin e një investitoreje të pakrahasueshme me qeveritë e mëparshme. Por ka edhe një aspekt tjetër, që i kushton kosto qeverisë Berisha. Në programin e paraqitur deri tani, elektoratit nuk i është dhënë asnjë argument dhe nuk i është bërë asnjë arsyetim për koston e këtyre projekteve në buxhetin e shtetit dhe në ato që njihen si financat kombëtare. Ndërkohë që arsyetimet e shprehura nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë parathonë mundësinë e një krize, që mund të ndikojë drejtëpërsëdrejti në xhepat e qytetarëve dhe në buxhetin publik të viteve të mandatit të ardhshëm.

DW: Cila është mangësia e shfaqur nga të dyja palët në fushatën elektorale të deritanishme?

Aleksandër Çipa: Koha e pakët, e ngushtuar në dispozicion për të shpalosur programet dhe alternativat e qeverisjes së ardhshme. Deri tani që po flasim, të dyja palët vetëm kanë premtuar se kanë paketa programore. Por e vërteta është që koha për t´u njohur, konsultuar dhe përvetësuar nga publiku dhe elektorati është e pamjaftueshme deri në 28 qershor.

DW: Si e parashikoni etikën e palëve në këtë fushatë?

Aleksandër Çipa: Duket qartë që ajo do të jetë një nga aspektet më të cënuara, jo vetëm në media, por edhe në artikulimin dhe sidomos në sjelljen politike. Për fat të keq parashikoj të përsëriten episode të fyerjeve dhe cënimit të jetës private.

DW: Pyetja e fundit. Partitë dhe shoqëria. Si po shfaqet raporti mes tyre ne këtë fushatë?

Aleksandër Çipa: Shoqëria shqiptare paraqitet mjaft e pjekur në këtë tur elektoral. Politika po dëshmon që nuk ndjek vlerat dhe pjekurinë e saj, duke mbetur kështu e vonuar në raport me shoqërinë.

Do të shtoja edhe diçka tjetër. Në këtë fushatë palët nuk kanë dalë me nismën e kandidatëve nga shoqëria civile. Nayrisht, personalitete të shoqërisë civile ekzistojnë, por shoqëria civile duket se ka përvetësuar dy mekanizma: atë të heshtjes për shkak të moskompromentimit dhe së dyti atë të rekrutimit për shkak të përdorimit të saj . Të dyja këto mekanizma janë pjesë e marrëdhënies së shoqërisë civile me këtë fushatë elektorale.

Intervistoi: Ani Ruci/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi



  • Data 22.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HvOr
  • Data 22.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HvOr