1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kodorkovski dhe Lebedjevi u dënuan me 14 vjet heqje lirie

Një gjykatë moskovite e dënoi ish-presidentin e koncernit të shpërbërë të naftës Yukos, Kodorkovski dhe partnerin e tij të biznesit, Lebedjev me 14 vjet heqje lirie. Politikanë të opozitës e dënojnë vendimin.

Kodorkovski në burg deri 2017

Kodorkovski në burg deri 2017

Gjykatësi Viktor Danilkin nuk pa shkas që masa e dënimit të shqiptuar prej tij të ishte më e ulët se ajo që u kërkua nga prokuroria. Ai shqiptoi kundër Kodorkovskit dhe Lebedjevit dënimin e kërkuar prej 14 vjet heqje lirie. Ky dënim llogaritet që prej vitit 2003. Që prej kësaj kohe, dy të akuzuarit vuajnë një dënim me burg, për shkak të mashtrimit dhe të evazionit fiskal. Kjo do të thotë, se Kodorkovski dhe Lebedjevi do të lirohen nga burgu në vitin 2017.

Nëna e Kodorkovskit e humbi kontrollin gjatë shpalljes së dënimit me burg në sallën e gjyqit dhe i bërtiti gjykatësit Danilkin:

Marina Kodorkovskaja, nëna e Mikhail Kodorkovskit

Marina Kodorkovskaja, nëna e Mikhail Kodorkovskit

"Ti dhe familja jote: qofshi të mallkuar!"

Vendim me presion të Putinit

Për avokatin e Kodorkovskit, Juri Schmidt është e qartë se pse vendimi u mor i tillë. Ai iu referua edhe njëherë deklaratës së kryeministrit Vladimir Putin, i cili e quajti mandantin dy javë më parë një hajdut: "Vendimi u mor për shkak të presionit të atyre, që janë të interesuar për ta parë Kodorkovskin edhe më tej pas hekurave. Si zvarritja e vendimit, ashtu edhe dalja në televizor e Putinit flasin për këtë. Putini e sinjalizoi atëherë gjykatën se kush është shefi dhe se është ai që vendos për fatin e Kodorkovskit dhe të Lebedjevit."

Avokati Vadim Kljuvgant kishte bërë të ditur që të hënën, kur dy mandantët u shpallën fajtorë se do të kërkonte revizion.

Kodorkovski e pranoi shpalljen e vendimit me një buzëqeshje. Në përfundim ai tha se procesi kundër tij dhe Lebedjevit kishte treguar se askush në Rusi nuk duhet të shpresojë, se mund të mbrohet para një gjyqi nga përfaqësuesit e qeverisë. Ai dhe Lebedjevi megjithatë nuk e kanë humbur shpresën- as miqtë e tyre nuk duhet ta humbasin.

Regjistra kontabiliteti në anglisht për mashtrim?

Danilkini i shpalli dy të akuzuarit fajtor për mospagim taksash dhe për pastrim parash. Të hënën, gjykatësi nisi leximin e argumentimit prej 800 faqesh të dënimit. Me zë të ulët dhe monoton Danilkini lexonte me nxitim tekstin - të pranishmit në sallën e gjyqit e kishin shpesh të vështirë që ta kuptonin çfarë thoshte.

Gjykatësi Viktor Danilkin, djathas lexon verdiktin e fajësisë për Kodorkovskin dhe Lebedjevin

Gjykatësi Viktor Danilkin, djathas lexon verdiktin e fajësisë për Kodorkovskin dhe Lebedjevin

Por një defekti ai nuk mundi t'i bëjë bisht - pa dashur ai lexoi një faqe nga një vendim krejt tjetër. Por të ashtuquajturat dëshmi për fajin e Kodorkovskit dhe të Lebedjevit shkaktuan megjithatë më shumë zemërim. Jo më pak se ish-ministri i Ekonomisë German Gref dhe ministri i Industrisë, Viktor Christenko i patën konfirmuar pikat e aktakuzës, tha Danilkini. Një shtrembërim i plotë i fakteve. Sepse si Grefi, ashtu edhe Christenko patën deponuar para gjyqit si dëshmitarë dhe i patën quajtur akuzat si të pakuptueshme. Të qeshura tallëse te i akuzuari Lebedjev solli akuza e gjykatësit se regjistrat e kontabilitetit ishin mbajtur me qëllim në gjuhën angleze, për të fshehur regjistrat e dyfishtë dhe për të gabuar aksionerët rusë.

Përfaqësues të opozitës ruse e dënuan ashpër burgimin. Leonid Grosman nga partia Çështja e Drejtë tha se atij i vjen turp jo vetëm për vendimin, por edhe për mënyrën si u shpall. Aktivistja e njohur e të drejtave të njeriut, Ljudmilla Aleksejeva u tregua e shokuar. Ky proces ishte brutal dhe pa kuptim, tha ajo.

Autor: Stefan Laack/ Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 31.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zrk4
  • Data 31.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zrk4