1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Kodi i ri zgjedhor - shans për zgjedhje të ndershme dhe demokratike

VMRO-DPMNE, BDI dhe LSDM arrijnë marrëveshje për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Partia opozitare shqiptare, PDSH nuk e përkrah marrëveshjen me arsyetimin e mungesës së dialogut të mirëfilltë. Po analistët çfarë mendojnë?

Partitë më të mëdha politike në Maqedoni kanë arritur një marrëveshje lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor në harmoni me rekomandimet e OSBE-ODHIR-it. Sipas kësaj marrëveshjeje, në periudhën parazgjedhore do të ketë ndarje të partisë nga shteti, do të ndalohet fillimi i ndërtimeve dhe lëshimi në përdorim i objekteve të ndërtuara me mjete buxhetore si dhe do të ndalohet çdo lloj pagese apo transferi nga buxheti që nuk janë të ardhura të rregullta mujore. Donacionet për financimin e fushatave zgjedhore janë kufizuar në 50 mijë euro, përfshirë edhe donacionet nga mediat. Gjithashtu me ndryshimet në Kodin e ri, parashikohet edhe përfaqësimi i balancuar mediatik i partive pjesëmarrëse në zgjedhje dhe ndalohet rreptësisht përfshirja e gazetarëve, redaktorëve dhe prezentuesve në fushatën e partive politike. Zyrtarët që do të shkelin këto rregulla do të dënohen me burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet. Ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti, thotë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe arritja e marrëveshjes mes partive politike dëshmon ekzistimin e dialogut politik dhe nivelin e pjekurisë demokratike në Maqedoni.

Blerim Bexheti

Blerim Bexheti - Ministri i Drejtësisë

“Arritja e harmonizimit dhe funksionimi i konsensusit nga partitë politike për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, është një fitore për demokracinë e brishtë në vend. Kjo është me interes për shtetin me vetë faktin se në Kodin Zgjedhor janë përfshirë rekomandimet e OSBE-ODHIR-it”, shprehet ministri Bexheti.

Kodi Zgjedhor ofron mundësi të barabarta garuese

Partitë në pushtet, VMRO-DPMNE edhe BDI, vlerësojnë se me ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të krijohet një ambient më i sigurtë për mbajtjen e zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike. “Jo vetëm që arritëm t'i inkorporojmë rekomandimet e OSBE-ODHIR-it, por arritëm të ndërtojmë një ambient, i cili do të krijojë kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje. Ato jo vetëm që do të jenë të lira dhe demokratike, por me rëndësi është që ato të jenë të pranueshme për të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje”, thotë sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdylaqim Ademi. Partia opozitare maqedonase LSDM ka qenë tejet aktive në bisedimet për arritjen e marrëveshjes për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

“ Kjo është vetëm një marrëveshje gojore, e cila presim të miratohet në parlament, sipas marrëveshjes, pa ndryshime dhe ndërhyrje me amendamente. Test kryesor për realizimin e kësaj marrëveshjeje do të jenë zgjedhjet presidenciale ku pushteti duhet të dëshmojë në praktikë se dëshiron të organizojë zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike”, shprehet Cvetanka Ivanova deputete e LSDM-se.

Skopje, die Hauptstadt Mazedoniens

Shkupi - kryeqyteti i Maqedonisë

PDSH pesimiste për ndyshimet e Kodit

Partia Demokratike Shqiptare nuk e ka përkrahur marrëveshjen për ndryshimet në Kodin Zgjedhor meqë kjo marrëveshje nuk është rezultat i dialogut të mirëfilltë mes të gjitha partive më relevante në vend, thotë deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu. Sipas tij ndryshimet në Kodin Zgjedhor, aspak nuk garantojnë mbajtjen e zgjedhjeve korrekte , të lira dhe demokratike.“ Listat zgjedhore vazdhojnë të jenë të papastruara nga votuesit fiktivë. Sipas informative, ka mbi njëqind mijë votues fiktivë maqedonas, kurse nga ana tjetër ka fshirje të mijëra votuesve shqiptarë nga listat zgjedhore”, shprehet deputeti Bekim Fazliu. Sipas tij, vota shqiptare vazhdon të jetë e pabarabartë me votën maqedonase edhe pas propozimit për ridefinimin e kufijve të njësisë së gjashtë zgjedhore. Edhe përkundër këtij ndryshimi, njësia zgjedhore numër 6 mbetet me njëzet mijë votues më tepër se sa njësitë zgjedhore numër tre dhe katër, shprehet Fazliu.

Zbatimi në praktikë, jetëson ndryshimet e Kodit

Analisitë për çështje juridike dhe politike vlerësojnë se marrëveshja e arritur për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, paraqet shans që rezultati i zgjedhjeve në të ardhmen të mos jetë objekt polemikash dhe kontestimesh. “Një nga kriteret që duhet të plotësojë Maqedonia në procesin e integrimit në BE, është organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Sfida më e madhe e arritjes së marrëveshjes për Kodin Zgjedhor mbetet respektimi i saj dhe zbatimi në praktikë”, thotë profesori i Universitetit të Tetovës, Mersim Maksuti.

Profesori i Universitetit të Shkupit Nikolla Dujoski, thotë se arritja e marrëveshjes për Kodin Zgjedhor është dëshmi se partitë, nëse duan, mund të arrijnë marrëveshje edhe për çështje madhore. Por, sipas tij në arritjen e kësaj marrëveshjeje më shumë ka pasur ndikim interesi partiak dhe personal sesa ai shtetëror. “Marrëveshjet janë të mundshme edhe për çështje më të mëdha, por shoqëria jonë, para së gjithash politikanët në Maqedoni, nuk janë të gatshëm që çdo herë për çështje të mëdha të arrijnë marrëveshje . Në Maqedoni edhe për një kohë të gjatë partitë do të bëjnë marrëveshje në bazë të interesave të tyre partiake dhe jo të shtetit”, shprehet Dujoski .

Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Nikolla Rilkovski, thotë se institucioni që ai drejton është i gatshëm që në zgjedhjet e ardhëshme presidenciale që do të mbahen në mars apo prill, të zbatojë në praktikë të gjitha ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor që para së gjithash janë bërë sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it.